Cmimet e naftës regjistruan rënie të ndjeshme duke arritur nën pragun e 80 dollarëve për një fuçi, në një treg të frikësuar nga një kërkesë energjetike me pak solide pavarësisht kërkesës së madhe botërore për naftë.

Rreth orës 13:20 GMT, një fuçi naftë "light sweet crude" (WTI) për livrim në muajin dhjetor humbi 1,25 dollarë duke u shitur me 79,76 dollarë, në New York Mercantile Exchange (Nymex), pasi zbriti më herët deri në 79,44 dollarë.

WTI regjistroi nivelet më të ulëta të çmimit të naftës që prej 29 qershorit 2012, kur çmimet u ulën deri në 78,28 dollarë për fuçi nafte.

"Tregu është në pritje të një rritjeje të ndjeshme të ofertës në raport me kërkesën në vitin 2015 dhe këto parashikime vazhdojnë të ndikojnë në çmimet e naftës, që kanë pësuar një rënie të ndjeshme që prej mesit të muajit qershor", theksoi Bart Melek, nga "TD Securities".

"Megjithatë, duket pak e mundshme që anëtarët e OPEC-ut (Organizata e vendeve eksportuese të naftës) të vendosin të reduktojnë prodhimin e tyre në takimin e ardhshmëm të radhës", shtoi ai.

Anëtarët e kartelit do të mblidhen më 27 nëntor në Vjenë për të diskutuar veçanërisht për tavanin e përbashkët të prodhimit, vendosur 30 milionë fuçi naftë në ditë që prej fundit të vitit 2011.

ATSH