Merr një tjetër goditje të mëtejshme armëpushimi i brishtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. SHBA-të nisën një raund të tretë sulmesh kundër Iranit në hakmarrje për të shtënat ndaj anijes me flamur të Qipros që kalonte në Ngushticën e Hormuzit.

Këshilltari ushtarak i Liderit Suprem të Iranit, Mohsen Rezaei tha se ngushtica është më e rëndësishme se bombat bërthamore. 

Sulmet ajrore amerikane goditën 140 objektiva ushtarake iraniane, duke përfshirë vende për raketa dhe dronë, rrjete komunikimi dhe vende mbikëqyrjeje bregdetare.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se Irani bëri zgjedhjen e gabuar duke hapur zjarr ndaj anijes në Hormuz dhe se tani po paguan pasojat me sulme të reja.

Në përgjigje të sulmeve amerikane, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike i Iranit mbylli rrugën ujore deri në një njoftim të mëtejshëm dhe paralajmëroi përgjigje të ashpër ndaj agresionit të SHBA-së. Trump dhe Komanda Qendrore amerikane thonë se ngushtica është e hapur.

Brenda pak orësh Irani goditi një bazë amerikane në Jordani, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti dhe Bahreini iu përgjigjën raketave dhe dronëve.

Mediat e afërta me regjimin iranian, publikuan një listë të objektivave të sulmuara të cilat përfshinin Bazën Ajrore Amir Hussein në Jordani, Bazën Ajrore Al-Adid në Katar, portin e Al-Sheikh në Kuvajt, selinë e Flotës së Pestë të SHBA-së dhe zonën Al-Juffair në Bahrein, portin e Al-Daqam në Oman dhe depot e karburantit ushtarak amerikan në të njëjtën zone.

Kryenegociatori me SHBA-në, kryetari i parlamentit Iranian Ghalibaf shkroi në rrjetin social X se "epoka e marrëveshjeve të njëanshme ka mbaruar".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:57
Sulmet e ndërsjellta, sekretari i Përgjithshëm i OKB apel SHBA-së dhe Iranit: Tregoni përmbajtje maksimale, rinisni urgjentisht negociatat!

1783889920_cgyuiuu.JPG

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të ushtrojnë "përmbajtje maksimale" dhe të "rinisën urgjentisht negociatat".

Sipas mediave të huaja, lajmin e bëri të ditur përmes një deklarate zëdhënësi i Guterres, Stephane Dujarric.

Thirrja e Guterres për rinisjen e negociatave vjen pas dështimit të armëpushimit mes SHBA-së e Iranit dhe rinisjes së sulmeve të ndërsjellta.

Ora 22:23
Tel Avivi: Negociatat Izrael-Liban do të mbahen në Romë më 14-15 korrik

1783888004_dyiuus.JPG

Një burim diplomatik izraelit konfirmoi për ANSA-n se raundi i ri i negociatave midis Izraelit dhe Libanit do të fillojë të martën, më 14 korrik, në Romë dhe do të vazhdojë edhe në 15 korrik.

Sipas mediave libaneze, takimet do të mbahen në Ambasadën Amerikane në Romë, ndërkohë që nuk janë bërë të ditura më shumë detaje. Izraeli ka vijuar sulmet ndaj Libanit, edhe gjatë kohës që ka qenë në zbatim marrëveshja e armëpushimit mes dy vendeve.

Tel Avivi ka pretenduar se me sulmet në Liban ka synuar të godasë infrastrukturën e Hezbollahut.

Ora 21:06
Sulmet e Iranit ndaj vendeve të Gjirit, Katari kërkon pezullim të përkohshëm të lundrimit

1782125613_katari.jpg

Ministria e Transportit e Katarit ka kërkuar pezullimin e përkohshëm të lundrimit dhe të të gjitha aktiviteteve detare deri në njoftim të mëtejshëm, pas ofensivës së Iranit kundër disa vendeve të Gjirit dhe Jordanisë.

"Për të garantuar sigurinë publike", ministria u ka bërë thirrje "të gjithë pronarëve dhe përdoruesve të anijeve detare, duke përfshirë anijet e argëtimit, anijet e peshkimit, mjetet lundruese personale dhe të gjitha anijet e tjera të ngjashme, që të pezullojnë përkohësisht lundrimin".

Masa gjithashtu ka të bëjë me "kryerjen e aktiviteteve detare, duke filluar nga data e kësaj qarkoreje dhe deri në njoftim të mëtejshëm".

Masa nuk zbatohet për anijet që i nënshtrohen konventave ndërkombëtare detare, të cilat mund të vazhdojnë operacionet e tyre në përputhje me rregulloret dhe procedurat aktuale.

Ministria sqaroi se vendimi është "i përkohshëm" dhe u miratua "në koordinim me autoritetet përkatëse të sigurisë".

Ora 17:48
Axios: Depot e raketave, dronëve dhe radarët kanë qenë objektiva të sulmeve të SHBA-së në Iran gjatë ditëve të fundit

1783871438_yxtduuu.JPG

Agjencia e lajmeve Axios ka raportuar se sulmet amerikane në Iran gjatë ditëve të fundit kanë synuar radarët e mbikëqyrjes ajrore, depot e raketave dhe dronëve, vendet e lëshimit të raketave e dronëve, radarët e mbikëqyrjes sipërfaqësore, si dhe lëshuesit e raketave tokë-ajër.

Ora 16:24
Netanyahu: Trumpit duhet t'i jepet mundësia të shterojë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje përmes negociatave me Iranin

1783261337_donaldtrumpbenjaminnetanyahu.JPG

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Presidentit amerikan Donald Trump duhet t’i jepet mundësia të shterojë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Iranin përmes negociatave, veçanërisht për çështjen bërthamore.

"Mendoj se Presidentit Trump duhet t'i jepet mundësia të shterojë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje, veçanërisht për çështjen bërthamore, përmes negociatave. Por ai sigurisht nuk ngurron të përdorë forcën kur Irani shkel angazhimet e tij", tha kryeministri Benjamin Netanyahu në një intervistë me NBC News sot, në të cilën ai kujtoi senatorin Lindsey Graham, i cili vdiq mbrëmë.

"Izraeli është mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për faktin që ne bashkuam forcat për të parandaluar Iranin të siguronte armë bërthamore, të cilat përbënin një kërcënim të menjëhershëm jo vetëm për ne, por për të gjithë Perëndimin", shtoi Netanyahu.

"Lindsey gjithmonë më thoshte se ne duhej të vepronim, përpara se Irani të vepronte kundër nesh", përfundoi ai.

Ora 15:50
Hormuzi, Trump: Ngushtica është e hapur! Kundërshton Irani: Lundrimi është i pamundur

Irani nuk e kontrollon Ngushticën e Hormuzit. Ngushtica është e hapur për të gjitha anijet që synojnë të kalojnë ligjërisht nëpër këtë rrugë ujore ndërkombëtare, është shprehur Komanda Qendrore amerikane. Të njëjtën gjë e ka konfirmuar më vonë edhe presidenti Donald Trump në një intervistë për NBC.

Ngushtica e Hormuzit është e hapur. Ne i kemi bombarduar rëndë”, tha ai.

Por ndryshe pretendon pala iraniane.

“Për shkak të manovrave të fundit të paligjshme të forcave ushtarake amerikane në rajon, kalimi përmes Ngushticës së Hormuzit është aktualisht i pamundur”, tha Autoriteti për Ngushticën e Gjirit Persik, duke shtuar: “Sapo të rikthehen stabiliteti dhe qetësia, të gjitha kërkesat do të shqyrtohen sipas një afati të paracaktuar dhe do të lëshohen lejet e nevojshme.”

Autoriteti, i krijuar nga Irani në muajin maj, synon të menaxhojë kalimin e anijeve dhe të ndryshojë në mënyrë të përhershme statusin e Ngushticës së Hormuzit.

Ora 13:46
Këshilltari i Khameneit: Për ne, Ngushtica e Hormuzit është më e rëndësishme se armët bërthamore

Foto: Mohsen Rezaei

Këshilltari ushtarak i Liderit Suprem të Iranit, Mohsen Rezaei, ish-kreu i Gardës Revolucionare, deklaroi sot se Ngushtica e Hormuzit, është më e rëndësishme për Iranin sesa programi i tij bërthamor.

"Ky kalim strategjik është më i rëndësishëm se dhjetëra bomba atomike dhe Republika Islamike e Iranit do ta mbrojë atë", tha Rezaei.

Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe vendet perëndimore dyshojnë se ky program ka qëllime ushtarake. Teherani i mohon këto akuza, por këmbëngul në të drejtën e tij për energji bërthamore civile.