SHBA - Një shqiptar është dënuar me 99 vite burg nga një gjykatë në Denton të SHBA­së pasi masakroi për vdekje bashkëshorten e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 7 dhjetor të vitit 2011, në banesën e çiftit 47­vjeçari, ku shqiptari Petrit Diko nga Pogradeci jetonte sëbashku me bashkëshorten e tij Mimoza dhe dy djemtë.

Sipas raportit të policisë Diko e kishte qëlluar të paktën 39 herë gruan duke përdorur kaçavidë, thikë, gërshërë dhe dërrasë.

Prokurorët e çështjes thonë se 47­vjeçari ndërmori një veprim të tillë për shkak se ishte i zemëruar nga humbja e kontrollit mbi gruan e tij, që prej kohës që ata kishin shkuar në SHBA. Ajo fliste dhe anglisht më mirë se sa ai dhe kjo besohet të ishte një arsye.

Por avokatët mbrojtës kundërshtuan një fakt të tillë. Sipas tyre Diko nuk ishte vetëm xheloz se gruaja e tij fliste më mirë anglisht, por ajo mësohet i ka thënë burrit “budalla” dhe se dy djemtë e tyre nuk ishin në të vërtetë të tij, por të vëllait.

Vetë Diko tha se, ishte në gjendje të tronditur dhe se nuk mund të kujtonte asgjë nga ajo se çfarë kishte ndodhur më 7 dhjetor 2011­të. Gjëja e fundit që ai mund të rikujtonte ishte se pak para sherrit kishte një kaçavidë në dorë për të rregulluar diçka dhe më pas e kaploi zemërimi dhe iu errësuan sytë.

Gjatë seancës gjyqësore Petrit Diko ka  pretenduar se është përpjekur t’i shpëtojë jetën bashkëshortes pasi pa që ajo nuk po reagonte më.

Por raporti i policisë e rrëzonte këtë pretendim, pasi 44-vjeçarja u gjet me rroba me gjak dhe kjo sipas tyre është provë që 47­vjeçari nuk është përpjekur aspak për t’i shpëtuar jetën bashkëshortes.

Tashmë, Petrit Diko do të kryejë dënimin e tij në SHBA, me të drejtë lirinë me kushtë vetëm pas 30 vitesh. Por pasi të dalë nga burgu atij nuk do t’i lejohet të qëndrojë në SHBA, pavarësisht se jeton legalisht.

 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)