SHBA-ja thotë se është 'e shqetësuar' nga ligji i propozuar për agjentë të huaj në Mal të Zi

SHBA-ja thotë se është 'e shqetësuar' nga ligji i propozuar për agjentë të huaj në Mal të Zi

Departamenti i Shtetit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se janë thellësisht të shqetësuara për pasojat e mundshme që ligji i propozuar për agjentët e huaj mund t’i shkaktojë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, përfshirë lirisë së shprehjes dhe bashkimit në Malin e Zi, vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

I pyetur nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë për të komentuar rreth njoftimit nga koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi" se do të propozojë miratimin e një ligji për agjentët e huaj, Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se ai do të mund t’i kufizonte aktivitetet e shoqërisë civile.

“Një ligj i tillë mund ta kufizojë hapësirën për veprime civile, mund t’i stigmatizojë organizatat e shoqërisë civile që angazhohen për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Malit të Zi, dhe mund të pengojë punën kritike të mediave të pavarura të cilat raportojnë duke u bazuar në fakte. Këto elemente janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të gjitha institucionet dhe sistemet demokratike”.

Koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi” tha më 9 tetor se e konsideronte të nevojshëm propozimin urgjent të një ligji për agjentët e ndikimit të huaj në Malin e Zi.

Një ligj i tillë, sipas këtij koalicioni, do të rregullonte “funksionimin e agjencive të huaja që, nën petkun e organizatave joqeveritare, përpiqen të ndikojnë në politikën e brendshme dhe atë të jashtme”.

Koalicioni përbëhet nga partitë proruse të ish-Frontit Demokratik – nga Demokracia e Re Serbe e Andrija Mandiqit dhe nga Partia Popullore Demokratike e Millan Knezheviqit.

Mandiq është kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.

Ambasada e SHBA-së në Podgoricë ka thënë për REL-in se nuk i ka parë hollësitë e propozimit të koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi” për ligjin për agjentët e huaj, dhe se nuk mund të komentojë për ngjashmëritë e supozuara të tij me Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj në SHBA, i njohur si FARA, të cilit i është referuar koalicioni.

FARA është në përputhje me obligimet ndërkombëtare të SHBA-së për të drejtat e njeriut, dhe respekton të drejtën për bashkim dhe lirinë e shprehjes. FARA nuk përpiqet të kufizojë aktivitetet e organizatave të shoqërisë civile apo të mediave, ka thënë Ambasada.

Kërkesa e një pjese të shumicës parlamentare në Mal të Zi për miratimin e një ligji për agjentët e huaj u cilësua nga organizatat joqeveritare dhe nga opozita si kërcënim serioz për demokracinë dhe për integrimin evropian të Podgoricës.

Për këtë iniciativë, partitë e ish-Frontit Demokratik nuk morën mbështetjen e partive të tjera me të cilat ato janë në pushtet, Demokratët dhe Lëvizjen Evropa Tani të kryeministrit Millojko Spajiq.

Një ligj i tillë ekziston në Rusi dhe në Gjeorgji, dhe versione të ngjashme ka edhe në vende të tjera, si Bjellorusia dhe Sllovakia.

Për shkak të këtij ligji, procesi i integrimit evropian të Gjeorgjisë praktikisht është pezulluar./ REL

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

LIVE- Orban: Javën e ardhshme në Luksemburg Shqipëria hap negociatat për grup kapitullin e parë! Ju përgëzoj

LIVE- Orban: Javën e ardhshme në Luksemburg Shqipëria hap negociatat për grup kapitullin e parë! Ju përgëzoj