Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria synon të kthehet në një vend eksportues neto të energjisë brenda këtij mandati. Komentet Rama i bëri gjatë takimit për nënshkrimin e marrëveshjes mes SHBA-Shqipërisë dhe Greqisë në fushën e energjisë.
Kryeministri Rama e ka cilësuar si një marrëveshje historike dhe një nga projeketet që forcon partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ka qenë një moment në jetën tonë kur energjia ishte çështje furnizimi, për të mbajtur dritat ndezur sa më gjatë të ishte e mundur në harkun e 24 orëve. Nga ana tjetër, jetonim në një vend ku, deri një dekadë më parë, gjysma e popullsisë paguante për gjysmën tjetër, ndërkohë që e gjithë pasuria e prodhuar nga sistemi ynë ishte, në fakt, e keqmenaxhuar dhe e vjedhur.
OSHEE, deri një dekadë më parë, ishte në buzë të falimentit dhe mbahej gjallë nga subvencionet qeveritare. Borxhi ishte më shumë se 5% e PBB-së. Sot, energjia përcakton sigurinë tonë, fuqinë tonë ekonomike dhe ambicien për vendin që zë në rajon dhe në Europë: të arrijmë që, brenda këtij mandati, të shndërrohemi në një vend eksportues neto të energjisë. Një element kyç i këtij rrugëtimi është partneriteti me SHBA, që mbështetet në zotimin e përbashkët ndaj sigurisë energjetike.
Vlora do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Evropën juglindore. Theksoj rëndësinë e asaj që tha ambasadorja Guilfoyle, për nevojën tonë, të Greqisë dhe të Shqipërisë, për të forcuar lidhjen dhe bashkëpunimin në shumë mënyra, por posaçërisht sa i takon furnizimit me energji, prodhimit, rezistencës dhe pavarësisë. Partneriteti i Shqipërisë dhe SHBA përçon një mesazh: edhe vendet e vogla mund të marrin hapa të guximshëm dhe të bëhen pjesë e zgjidhjes së sfidave më të ngutshme të kohëve tona.
Edhe më shumë se kaq, mesazhi sot nuk mund të jetë më i qartë kur vjen fjala për të lidhur nevojën jetike për energji me nevojën për liri dhe demokraci: për të mos u mbështetur te aktorë që të ofrojnë energji, por mund të të vënë në pozitë të vështirë me lirinë dhe objektivin për të forcuar demokracinë. Dua të theksoj rëndësinë e kësaj marrëveshjeje. Dua të përgëzoj ekipin tonë për shpejtësinë e pazakontë për realizimin e saj; ishte edhe nën trysninë time”, tha Rama.
Në këtë rrugëtim, Rama konsideroi element kyç partneritetin me SHBA-në që mbështetet në zotimin e përbashkët ndaj sigurisë energjetike dhe për një rajon të qëndrueshëm e të begatë.
Lajmi kryesor:
Marrëveshje 6 mld $ SHBA-Shqipëri-Greqi/ Rama: Impiant gazi në Vlorë! Ambasadorja amerikane në Greqi: Vizioni i Trump, forcojmë sigurinë energjetike










