Presidenti Donald Trump njoftoi se SHBA-të nisën një “sulm të fuqishëm dhe vdekjeprurës” kundër grupit të Shtetit Islamik (ISIS) në Nigerinë veriperëndimore.
Udhëheqësi amerikan e përshkroi ISIS-in si "llum terroristësh", duke e akuzuar grupin për "shënjestërimin dhe vrasjen mizore, kryesisht, të të krishterëve të pafajshëm".
Trump tha se ushtria amerikane "ekzekutoi sulme të shumta perfekte", ndërsa Komanda Amerikane e Afrikës (Africom) raportoi më vonë se sulmi i së enjtes u krye në koordinim me Nigerinë në Sokoto.
Në postimin e tij në Truth Social, Trump theksoi se "nën udhëheqjen time, vendi ynë nuk do të lejojë që terrorizmi radikal islamik të lulëzojë".
Në nëntor, Trump urdhëroi ushtrinë amerikane të përgatitej për veprime në Nigeri për të luftuar grupet militante islamike. Ai nuk tha në atë kohë se për cilat vrasje po i referohej - por pretendimet për një gjenocid kundër të krishterëve të Nigerisë kanë qarkulluar muajt e fundit në disa qarqe të krahut të djathtë në SHBA.
Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, tha të enjten se ishte "mirënjohës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e qeverisë nigeriane".
Ministria e jashtme nigeriane tha në një deklaratë se autoritetet e vendit "mbeten të angazhuara në bashkëpunim të strukturuar të sigurisë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në adresimin e kërcënimit të vazhdueshëm të ekstremizmit terrorist dhe të dhunshëm".
"Kjo ka çuar në goditje precize ndaj objektivave terroriste në Nigeri nga sulmet ajrore në Veriperëndim", thuhet në deklaratë.
Sipas organizatave kundër dhunës thuhet se nuk ka prova që sugjerojnë se të krishterët po vriten më shumë sesa myslimanët në Nigeri, e cila është e ndarë përafërsisht në mënyrë të barabartë midis predikuesve të dy feve.
Javën e kaluar, SHBA-të kryen një “sulm masiv” kundër ISIS-it në Siri. Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) tha se avionët luftarakë, helikopterët sulmues dhe artileria "goditën më shumë se 70 objektiva në vende të shumta në të gjithë Sirinë qendrore". Në sulm u përfshinë edhe avionë nga Jordania.
Komente









