Ndryshimet ligjore për Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Brendshme parashikon rritje të kompetencave për strukturën e re që do të quhet Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Sipas draftit të propozuar parashikohet që teknikat e gjurmimit apo të  mbikëqyrjes të bëhen përmes përdorimit të mjeteve, pajisjeve apo teknika të veçanta të sofistikuara të cilat mund të identifikojnë apo lokalizojnë vendndodhjen e efektivëve të policisë të dyshuar për shkelje të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës. Këto ndryshime juristi Kastriot Frashëri i sheh si pozitive.

"Ndoshta mund të jetë efikas ky ligj, përderisa ky ligj ka të bëj me përgjime që janë vetëm në sektorin e Policisë dhe nuk kapin sferën e publikut të gjerë, për mua është diçka pozitive. Por, do të dëshiroja që kjo të mos ishte shumë zhurmë pa asgjë, me pretekstin “e bëmë” dhe pastaj edhe pse do të bëhet ky ligj për ndryshimet në SHÇBA dhe prap do të vijoj të bëhet e njëjta gjë dhe policia do të ricikloj vetëveten", tha ai.

Në bazë të ndryshimeve të ligjit për SHÇBA-në, struktuara e re do të japë llogari jo vetëm tek Prokurori i Përgjithshëm por edhe te Ministri i Brendshëm dhe SPAK.

Këto ndryshime ligjore krijojnë edhe një lloj konflikt interesi pasi struktuara e re kur të hetojë policinë e shteti duhet ti raportojë edhe ministrit të Brendshëm. Krijimi i agjencisë se re pritet të diskutohet se shpejti në komisionet parlamentare.