Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka marrë një letër të përbashkët nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz sipas njoftimit të Presidencës serbe ditën e diel.

“Ne po ju dërgojmë këtë letër të përbashkët në një moment me rëndësi vendimtare për sigurinë në kontinentin evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Jemi të bindur se, në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës, duhet të bëjmë përpjekje edhe më të forta, në mënyrë që perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet afatgjata dypalëshe dhe rajonale. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie thelbësore për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letrën e dy liderëve evropianë.

Mediat serbe thonë se dy  liderët iu drejtuan Vuçiçit duke i bërë thirrje që "të tregojë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën kujdesin e BE-së”.

“Tensionet e fundit kanë treguar se hapa konstruktivë përpara nevojiten urgjentisht, si në nivel praktik ashtu edhe në atë politik. Prandaj, ne i ngarkuam këshilltarët tanë për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Jens Pletner dhe Emanuel Bono, që t'i ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij. Ne sugjerojmë që këshilltarët tanë, së bashku me Miroslav Lajçak, të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, në mënyrë që të eksplorojnë mundësitë për të çuar shpejt procesin përpara”, thanë Macron dhe Scholz.