TIRANË- Aksidenti te '21 dhjetori' dhe ai ku u përfshi aktori Gaz Paja kanë një emërues të përbashkët, shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor dhe ky fakt është evidentuar edhe nga Shefi i sigurisë rrugore në Policinë e Shtetit, Skënder Ismaili. Në studion e Report Tv, Ismaili tha se 85% e aksidenteve rrugore në Shqipëri janë pikërisht për shkak të mos respektimit të sinjalistikës nga ana e shoferëve, që ka sjellë për fat të keq 168 viktima nga janari deri tani.

"85% e ngjarjeve rrugore dhe atyre me pasoja kanë ardhur si rezultat i mosrespektimit të rregullave, sinjalistikës, parakalimet e gabuara. Nëse këta do kishin zbatuar rregullat, këto ngjarje mund të ishin ndaluar", tha Ismaili.

Një pjesë e fajtorëve janë padyshim edhe këmbësorët, të cilët duke e thënë në gjuhën e shifrave, 15% e aksidenteve janë shkaktarët kryesor, ku Ismaili vuri theksin se ato lëvizin në mënyrën më të gabuar në rrugë, pa marrë parasysh rrezikun që i kanoset. Ai tha se ka nisur edhe sistemi i gjobitjes së tyre, por një problem është dërgimi i gjobave në banesë, për shkak të sistemit jo të mirë të adresave dhe mosmbajtja me vete nga një pjesë qytetarëve të ID-së.

"15% e ngjarjeve rrugore kanë ndodhur për mosrespektim të rregullave, këmbësorët nuk e kanë fare idenë si qarkullohet në rrugë,kanë trotuaret, kanë kalimin e rrugës nga njëra anë në tjetrën, janë vendkalimet e këmbësore. Kemi pasur aksidente rrugore që kanë ndodhur mbi vendkalimet këmbësore, që nuk kanë respektuar detyrimet ndaj njëri tjetrit dhe këtu duhet të respektohen të gjithë. kaq shumë shkelje tregon se nuk respektohen rregullat e qarkulli, nga mjetet dhe nga këmbësorët. Ka filluar edhe ndëshkimi i qytetarëve, sepse është pak i vështirë për dërgimin e gjobës në adresa të duhura si rezultat i mos pasjes së një adrese të qartë, i qytetarëve nuk mbajnë me vete karta identiteti", tha Ismaili.

Aksidentet mund të parandalohen, por këtu rolin kryesor nuk duhet ta ketë vetëm Policia, por edhe vetë qytetarët, theksoi Shefi i sigurisë rrugore përballë gazetares Migena Sotiri. Fakti që ka shumë gjoba, tha si, nuk tregon qëllimin dashakeqës të efektivëve, siç shumë kanë kritikuar, por se shoferët kryejnë shumë shkelje.

"Policia ka përgjegjësitë e veta morale, 410 mijë shkelje përgjatë këtij viti të përdoruesit të rrugës, që nuk e kanë dhënë efektin e duhur, lë për të dëshiruar është mos zbatimi i rregullave.Ne nuk jemi në çdo rrugë, prezencë të policisë ka të shtuar, se gjithmonë sulmohet policia, qytetarët duhet të jenë të përgjegjshëm, ne jemi kritikuar se vëmë gjoba, por shkeljet janë të shumta,5600 veta të dehur në timon, 12 mijë parakalime të gabuara, 2300 raste që nuk respektojnë sinjalet rrugore", tha ai.

Kjo enjte ka regjistruar një bilanc tragjik me 2 viktima dhe 2 të plagosur. Aksidenti i parë u regjistrua mëngjesin e sotëm te kryqëzimi i '21 Dhjetorit' në Tiranë, ku humbën jetën dy persona, Luan Cenollari, 58 vjeç dhe 69-vjeçari Ali Bejo, e ndërsa më pas ishte aktori Gaz Paja i cili në rrugën “Ndre Mjeda” është përplasur me një makinë, duke marrë lëndime, por fatmirësisht pa pasoja të rënda.