Shehi kundër opozitës, jo protesta 
e zgjedhje: Duhet ofertë e re politike

Shehi kundër opozitës, jo protesta <br />e zgjedhje: Duhet ofertë e re politike
Për kryetarin e LZHK-së, Dashamir Shehi, protestat e deritashme për largimin e Metës nga detyra e kryetarit të Kuvendit ia kanë arritur deri diku qëllimit. Prandaj, Shehi sugjeron që kjo fazë të mbyllet dhe opozita të nisë nga e hëna një sezon të ri të formës së protestimit. “Sepse ky “tam- tami” i përditshëm sigurisht që duke u bërë monoton humb edhe energjitë e veta”, – shprehet ai. Por jo vetëm kaq. “Përtej kësaj, unë them se fillojnë dhe prodhojnë efekte negative. Njëkohësisht dobësojnë institucionet dhe denatyrizojnë funksionin që kemi si parti politike dhe si grup parlamentar, sepse në fund të fundit, ne nuk jemi as hetues dhe as prokurorë. Gjithashtu, do ta humbim edhe seriozitetin përpara arbitrave ndërkombëtarë”. Për pasojë, Shehi propozon që vëmendja të përqendrohet tek oferta e re politike, që opozita duhet të ofrojë për zgjedhjet e ardhshme lokale. “…Unë vlerësoj se PD-ja duhet të shkojë me dy gjëra të reja në zgjedhje: me njerëz të rinj dhe me ofertë të re…Nëse nuk do t’u ofrojmë shqiptarëve disa personazhe të reja për kryetarët e bashkive dhe të udhëheqim fushatën me njerëz të ndryshëm nga ata që ishin më parë, mendoj se nuk kemi pse presim shumë vota. Së dyti: çfarë është oferta e re në stadin e ri politik?. Është oferta programore”, – tha ai. Shehi përqendrohet fort te kandidatët dhe te procedura që duhet ndjekur për t’i përzgjedhur ata. Ai i kushton një rëndësi të veçantë edhe Tiranës, që, sipas tij, duhet të garohet sërish nga Lulzim Basha. Në të kundërt, Shehi propozon që kandidatura tjetër për Tiranën të jetë një figurë me profil të lartë politik. “Unë për vete, nëse do të kisha në dorë, do të vendosja për Florian Mimën nëse do të ishte kandidat, ndërsa nëse do të ishte kandidate femër, do të vendosja Majlinda Bregun…Sepse ky nuk është më vend për të bërë eksperimente, për të mësuar zanatin si kryetar. Këtu duhet të vijnë njerëz që e dinë zanatin dhe ta ushtrojnë atë ndershmërisht. Ndaj them që PD-ja po të gjejë njerëz të kësaj natyre dhe të këtij dimensioni, sigurisht që mund ta ngjisë maloren e kryeqytetit…”, – tha ai. Shehi shprehet se çdolloj sektarizmi apo “heronjsh” që mund të krijohen nuk janë gjë tjetër veçse një grup interesaxhinjsh që koha, sipas tij ka treguar se sa shpejt e kapërcejnë gardhin për të kaluar te krahu tjetër.
 
Shehi, Partia Demokratike ka ndërmarrë protesta të përditshme për largimin e Ilir Metës nga detyra e kryetarit të Kuvendit, përmasat e së cilës ditën e enjte nuk ishin ato të pritshmet për opozitën…A mendoni se PD-ja duhet të vijojë me këtë formë proteste dhe çfarë ka fituar politikisht nga ato?

Unë gjykoj që protesta në njëfarë mënyre ia ka mbërritur qëllimit. Protesta e parë e zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” tregoi se populli i përgjigjet një teze të tillë, që është e lidhur me dekriminalizimin. E dyta që, komuniteti ndërkombëtar është bërë i kujdesshëm dhe reflektiv rreth kësaj teme dhe e pamë këtë me një përgjigje relativisht pozitive që erdhi nga Gjermania. PD-ja apo opozita në përgjithësi në këto raste provon gjithashtu muskujt e vet, duke treguar se ajo i ka. Kështu që, nga kjo pikëpamje protesta ia arriti qëllimit të saj. Por duke u shtyrë vazhdimisht dhe më tej, unë them që do të fillojë të provojë efekte te tjera, të cilat nuk janë të gjitha pozitive sepse një protestë nuk mund të vazhdojë në përjetësi deri sa të mbarojë procesi. Unë gjykoj që PD-ja duhet ta mbyllë këtë punë dhe kjo ishte faza e parë. Tanimë protestat duhen alternuar me ide të tjera, me forma të tjera të protestimit, me prezencë ndryshe në media dhe në Kuvend deri sa institucionet të marrin vendimet që duhen. Prokuroria të mbyllë hetimet, gjykata të marrë vendimet e saj, sepse njëkohësisht ne si opozitë duhet të respektojmë edhe këto institucione që i konsiderojmë të pavarura, sepse ndryshe ky dyshim permanent që institucionet tona nuk e bëjnë punën, gjykoj që i shërben pastaj varësisë së këtyre institucioneve nga politika dhe qeveria. Nëse Kuvendi do të vazhdojë të bëjë policin, prokurorin, hetuesin dhe gjykatësin, sigurisht që shumë pak kurajë do të vijë nga institucionet e pavarura, prandaj dhe protestat ishin diçka e mirë, por deri këtu. Përtej kësaj, unë them se fillojnë dhe prodhojnë efekte negative. Njëkohësisht dobësojnë institucionet dhe denatyrizojnë funksionin që kemi si parti politike dhe si grup parlamentar, sepse në fund të fundit ne nuk jemi as hetues dhe as prokurorë. Gjithashtu do ta humbim seriozitetin edhe përpara arbitrave ndërkombëtarë. Prandaj ato nuk prodhojnë më dhe e fundit fare, unë gjykoj se një pjesë e madhe e energjive duhet karikuar për çështjet elektorale, për betejat që po vijnë, sepse në fund të fundit do të përcaktohet një pjesë e fatit të mirë të kësaj qeverisjeje që nuk jemi të kënaqur por edhe kësaj opozite që bën ofertën e re të parë politike. Prandaj, unë do të sugjeroja që duke filluar nga e hëna që vjen, të hapim një sezon të ri të formës së protestimit… Se ky “tam- tami” i përditshëm, sigurisht që duke u bërë monoton humb edhe energjitë e veta.

Ju keni kërkuar gjithashtu dorëheqjen e Metës. Në këndvështrimin tuaj, dorëheqja e Metës është e domosdoshme nga pikëpamja morale, apo jeni dakord me qëndrimin zyrtar të PD-së se me pozicionin që ai ka, ndikon në hetim?

Në radhë të parë, gjykoj se kjo është morale. Unë personalisht do të kisha dhënë dorëheqjen jo vetëm për këtë akuzë, por edhe më pak se kaq. Njerëzit që janë të qetë, unë gjykoj që nuk kanë nevojë për këtë lloj mbrojtjeje. Sigurisht, dorëheqja do të ishte një shenjë civile dhe europianizimi, do t’u jepte edhe rëndësinë dhe pavarësinë e duhur edhe institucioneve në një vend si i yni.

Me çfarë oferte politike duhet të shkojë opozita në këto zgjedhje? Pse qytetarët duhet të votojnë për PD-në dhe të djathtën?

Unë vlerësoj se PD-ja duhet të shkojë me dy gjëra të reja në zgjedhje; me njerëz të rinj dhe me ofertë të re. Mirëpo kam frikë se nuk mund të bëjë as njërën dhe as tjetrën. Nëse nuk do t’u ofrojmë shqiptarëve disa personazhe të reja për kryetarët e bashkive dhe të udhëheqim fushatën me njerëz të ndryshëm nga ato që ishin më parë, mendoj se nuk kemi pse presim shumë vota. Së dyti; çfarë është oferta e re në stadin e ri politik? Është oferta programore. Jemi në një situatë në të cilën pushteti lokal është organizuar komplet ndryshe, gjë për të cilën unë nuk kam qenë dakord ashtu si edhe PD-ja, por fatkeqësisht ndryshe nga unë, PD-ja vendosi që ta bojkotojë procesin dhe përfunduam me këtë hartë, e cila nuk na kënaq aspak, por na vë edhe në vështirësi elektorale. Kështu që, në këtë situatë nuk ia vlejnë më tezat e vjetra të një komune, por ne duhet të bëjmë një program që t’i përgjigjet kësaj situate të re politike që do të përfshijë çështjet urbane dhe rurale, sepse do t’i ofrohet si paketë një bashkie të caktuar, e cila është e dyzuar që një këmbë e ka në qytet dhe një në fshat. Brenda kësaj ndodhie të re duhet të mblidhemi të hartojmë një program të ri që i përshtatet kësaj situate të re, kush janë problematikat kryesore me të cilat kandidatët do të ndeshen dhe më pas të shkojnë të mbrojnë tezat e qendrës së djathtë në zgjedhjet e pushtetit lokal. Duke qenë se qendrat janë relativisht të mëdha, sigurisht që do të ketë një lloj valence politike më të madhe sesa në qëndrimet e zakonshme, që ishin përpara. Kështu që, kjo lloj fushate, kjo lloj oferte politike nuk mund t’i delegohet më thjesht atij kandidatit që ishte deri dje për kryetar komune. Në radhë të parë këtë ofertë duhet ta marrë lidershipi që është në qendër, që do t’i bjerë lart e poshtë Shqipërisë sikur të ishin zgjedhjet politike dhe së dyti, t’u identifikojmë shqiptarëve dëmet që mund të sjellë kjo lloj skeme meqenëse kemi qenë kundër kësaj, dhe flas këtu për ato efekte negative që ajo sjell, sepse jo çdo gjë është ndryshuar për keq. Por deri tani unë nuk shikoj që të jetë artikuluar ndonjë lloj teze. Dhe praktikisht, duke qenë se këto janë pak a shumë të përafërta me zgjedhjet politike, qytetarëve u duhet dhënë edhe i gjithë paneli politik me propozime politike, i cili zyrtarisht mund të bëhet pas dy vjetëve, por mund të fillojë t’u afrohet që sot qytetarëve shqiptarë. Marrim si shembull tezat e mëdha që kjo qeveri ka dështuar, p.sh  tek niveli i papunësisë që e ka lënë aty ku ishte, rritja e taksave përtej asaj që duhet apo edhe mosmbajtja e premtimeve. Pra, ne duhet të shkojmë të afrojmë të gjithë debatin tonë politik dhe jo ta shpresojmë këtë debat apo ta ngarkojmë nga këto ndodhitë e rastit siç kemi drejtuar gjatë rrugës, sepse nga një çështje, si çështja “Doshi” do të dalë gjithnjë në politikë, por nuk është kjo kauza kryesore që opozita ka. Dekriminalizimi është gjithashtu një moment pozitiv. Hajde e bëjmë një ofertë që është më të vërtetë e moralshme ndaj qytetarëve. Që do të thotë se ai që do të ofrojmë do të jetë sa më larg botës së krimit, mundësisht të mund të mos ketë asnjë lloj kontakti. Sepse nëse kandidatët që do të vëmë tani do të jenë të përafërt me disa prej kolegëve të Kuvendit, sigurisht që gjithë kjo teza dekriminalizimit do të shndërrohet në një farsë. Prandaj është mirë që kandidatët të shpallen deri në fund të muajit prill dhe organet të kenë kohë që të hetojnë. Sepse këtu gjithsej do të jenë rreth 150 kandidatë 61 në një krah dhe 61 në krahun tjetër dhe rreth 30 kandidatura alternative. Do të ishte krim i madh i partive politike që të mos sigurojnë një pastërti dhe jo më thjesht juridike duke u bazuar në një dëshmi penaliteti. Në mendjen e shqiptarëve duhet të ngulisim edhe një kushtetutë tjetër morale që, një njeri që i ka ndyrë duart me gjërat publike, edhe pse nuk ka qenë në burg, nuk mund të shkojë dhe të drejtojë bashki të mëdha me fondet publike. Gjykoj që shefat e partive e kanë farë të thjeshtë këtë gjë. Në qoftë se do të rrëshqasin personazhe që dihet se kush janë apo janë përfolur, kjo është bërë me ndërgjegjen e plotë të këtyre shefave të partive që janë sot.
Jemi në një situatë të re politike për Tiranën, ndryshe nga katër vite më parë, si koalicioni i PS-së me LSI-në apo edhe me PDIU-në, me gjasë, duke e vështirësuar së tepërmi mundësinë e një mandati të dytë për Bashkinë e Tiranës nga ana e PD-së. Keni thënë që Lulzim Basha duhet të kandidojë sërish. Pse? A ia vlen përballë kësaj situate matematikore?
Unë gjykoj që rreshtimi i kandidatëve edhe potencialisht, edhe moralisht edhe politikisht fillon nga Lulzim Basha, se ai është kryetar i opozitës, kryetar i PD-së dhe kryetar i Bashkisë.

Po, por është edhe kandidati i opozitës për kryeministër në zgjedhjet e 2017-s…

Unë gjykoj që të garosh për kryeministër duke qenë kryetar i bashkisë është më mirë sesa të garosh duke qenë pa asnjë lloj kryetarllëku. Por, nëse Basha për arsyet e veta, apo  grupi drejtues i PD-së e gjykon që Basha duhet të çlirohet nga detyrimet ekzekutive bashkiake, e mira është që kjo punë të deklarohet deri nga fillimi i muajit, që të fillojë më pas debati përqark emrave të tjerë.

Kush mund të ishte kandidat i mirë për Tiranën, pas Bashës?

Unë për vete, nëse do të kisha në dorë do të vendosja për Florian Mimën nëse do të ishte kandidat, ndërsa nëse do të ishte kandidate femër, do të vendosja Majlinda Bregun. Unë si Dashamir Shehi, duke njohur perceptimin e këtij qyteti, them që këto janë personazhe qytetare dhe me një eksperiencë pune. Sepse nuk po shkojmë të drejtojmë bashki të dorës së tretë, por kryeqytetin e Shqipërisë. Nga kjo pikëpamje, unë do të vendosja disa njerëz që kanë një staturë, që kanë qenë të paktën deputetë, ministra që kanë treguar se janë të zotë që të drejtojnë një institucion kaq të madh. Sepse ky nuk është më vend për të bërë eksperimente, për të mësuar zanatin si kryetar. Këtu duhet të vijnë njerëz që e dinë zanatin dhe ta ushtrojnë atë ndershmërisht. Ndaj them që PD-ja po të gjejë njerëz të kësaj natyre dhe të këtij dimensioni, sigurisht që mund ta ngjisë maloren e kryeqytetit.

Por diferenca është e madhe…

Është e madhe, por unë them që nuk është pa shpresë. Dy vjet qeverisjeje kanë prodhuar problematikën e vet sepse edhe fitohet nëse gjendet një kandidat i mirë. Pse jo? Unë gjykoj që tek PS-ja, duke qenë një personazh qendror prej vitesh si Edi Rama në bashki, të tjerët që i afrohen janë relativisht pak për Tiranën. Prandaj dhe opozita me fytyra të reja dhe me një mesazh të ri qytetar mund ta përmbushë këtë lloj situate. Dhe këtu fillon edhe ringritja e opozitës, këtu ribëhen forcat progresiste të qendrës së djathtë që japin shpresë për alternim pushteti kur janë zgjedhjet pas dy vjetësh.

Po zgjedhjet e parakohshme çfarë teze ju duket?

Mua më duket se janë teza kot. Sepse pas tre muajve kemi zgjedhjet lokale dhe aq më tepër që këto janë pothuajse politike. Teza për zgjedhje të parakohshme krijon një tymnajë dhe një hutim. Ne duhet ta kemi rrugën e qartë se çfarë duhet të bëjmë këto tre muaj. Kush janë njerëzit që do ta drejtojnë, që do ta heqin këtë karrocën e re politike dhe janë tezat bazë me të cilën do të shkojmë t’i kërkojmë palës tjetër ballafaqimin dhe më të cilin do t’u kërkojmë qytetarëve votën. Unë gjykoj që këto janë gjërat e rëndësishme për t’u bërë. Sepse me këto muhabete si “djali i dajës të x person ka vrarë gocën e hallës të y person”, me këto historira trillerash gjykoj që nuk shkohet shumë në politikë, pavarësisht se lënë gjurmët e veta fatkeqësisht negative në opinionin publik. Dhe ne nuk duam një opinion që mendon negativisht për politikën, sepse një opinion që gjykon negativisht për politikën nuk shkon në zgjedhje dhe kur nuk shkon në zgjedhje zakonisht fiton pushteti. Pra kush përgatit këto teza, përgatit një rrëmujë bosh pa vlerë. Ndërsa ne duhet t’u ofrojmë qytetarëve siguri, qartësi, garanci.

Ç’vend do të zërë LZHK-ja si pjesë e koalicionit në zgjedhjet e afërme lokale?

…Ne do ta ndjekim me seriozitet gjithë këtë proces dhe do të vendosim sipas atyre kritereve që kemi. Brenda kontekstit të aleancës, gjykoj që ndarja e re administrative na jep një shans sepse nuk do të vëmë më me qindra persona në gjithë Shqipërinë. Duke qenë një grup i vogël politik do të kemi mundësi që të bëjmë një përzgjedhje më të mirë. Dhe rezultati për pasojë do të jetë më pozitiv. Për vendime për kryetar bashkish dhe komunash nuk kemi pasur, sepse gjykojmë se kjo është një formulë e tejkaluar. Kjo ndarja e Shqipërisë në torta të vogla që ‘ti merr këtë dhe unë marr atë’, duhet të marrë fund. E mira do të ishte që herë pas here deri në procesin përfundimtar të ulemi dhe të sugjerojmë bashkërisht emra të ndryshëm, që nga kjo lloj oferte të përzgjidhet ai që është më i miri. Në qoftë se do të vazhdohet me parimin se “i zgjidh këto punë në ndonjë sallon apo kuzhinë”, atëherë kjo nuk do të ishte një ofertë e vlefshme. Çfarëdolloj sektarizmi apo “heronjsh”, në shumicën e rasteve janë një grusht gënjeshtarësh dhe interesaxhinjsh që koha ka treguar se sa shpejt e kapërcejnë gardhin për të kaluar te krahu tjetër./mapo/

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Gara mbarëkombëtare, mbyllet pas 8 ditësh festivali i shahut në Vlorë! Risia e sezonit, presidenti Dervishaj: Ka vajza shumë të talentuara

Gara mbarëkombëtare, mbyllet pas 8 ditësh festivali i shahut në Vlorë! Risia e sezonit, presidenti Dervishaj: Ka vajza shumë të talentuara