Shehi: Strategjinë politike për
2017, Basha ta bëjë pa Berishën

Shehi: Strategjinë politike për<br />2017, Basha ta bëjë pa Berishën
Dashamir Shehi, kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, i ftuar në emisionin ''45 minuta'' të Denis Mingës në Report Tv ka folur për opozitën dhe drejtimin që ajo po merr.
 
Faktin që Basha ka pranuar gabimin për importin e mbetjeve Shehi e ka vlerësuar shumë pozitivisht duke e cilësuar si deklaratën më të madhe politike të tij.

Lideri i LZHK Dashamir Shehi i kërkon kreut të opozitës që strategjinë për 2017-ën ta bëjë pa Sali Berishën pasi ne të kundërt do të ishte një gabim tragjik për të dhe opozitën. 
 
Shehi gjithashtu ka folur për qeverisjen, ku nuk ka hezituar të njohë meritat e saj për çështjen çame.
 
Intervista e plotë
A ka opozita strategji për të ardhur në pushtet?
Ka strategji ka edhe mundësitë reale por shpresoj të ketë edhe njerëzit, sepse ky është problemi i opozitës. Janë të qarta idetë se çfarë duhet bërë thjeshtë duhen njerëzit. Opozita i ka qartësuar idetë se duhet të shohë përpara sepse shpesh opozita është përdorur si një lloj organi për të mbuluar gabimet e qeverisjes së vjetër. Kohët e fundit shikoj që ka ndryshim radikal sidomos ditët e fundit.

Cili ishte ky ndryshim?
Deklarata më e madhe e politike e Bashës, “Ne kemi gabuar”. Ky është një fillim i rëndësishëm. Deri në sot nuk ishte thënë diçka e tillë. Ky nuk është pozicioni klasik i opozitës. Në këtë rast Basha për herë të parë artikuloi politikisht që ne nuk duam t’ia dimë për gabimet e së shkuarës. Deri më sot kjo mazhorancë është mbrojtur me idenë që ne bëjmë koncesione, por keni bërë edhe ju, ne bëjmë tendera por keni bërë edhe ju.
 
Ka shumë qytetarë që nuk janë të bindur pasi shohin të njëjtët individë, e gjykoni që kjo kërkesë ndjese nuk mund të shkojë nëse Berisha është aty? 
Deri në zgjedhje ky dualizëm do të mbyllet.
 
A nuk do të jetë më Berisha deputet?
 Aq sa Berisha ka kontribuar do të jetë deputet. Por strategjia politike duhet të ndërtohet pa Berishën dhe pa kompleksin se çfarë mendon Berisha. Do të ishte jashtë logjikës normale që edhe 4 vite të tjera të ecet me strategjinë e Berishës.
 
I ka kapacitetet Basha?

 Patjetër që po. Basha bëri hapin më të madh kur tha se ne kemi gabuar me ligjin  e mbetjeve. Kjo është një tezë shumë e madhe që ne të shkëpusim urat me gabimet e vjetra. Ne nuk mund të rrimë të korrigjojmë gabimet e së shkuarës, domethenë Basha.
 
Si ju duket deklarata e zotit Mustafaj, për atëvrasjen?
Gjykoj se Basha me këtë që bëri ka filluar një rrugë të re politike, mjafton të distancohet dhe të mos kompleksohet nga ideja permanente e gabimeve të përsëritura. Reflektimi më i mirë është ky që është bërë keq atëherë dhe akoma më keq po bëhet tani, ndaj s’duhet lejuar. 
 
Një strategji me Berishën apo pa Berishën do të thotë ardhje apo mos ardhje në pushtet?
Berisha ka bërë edhe të mira por nuk varet gjithçka nga Berisha.
 
Po ministrat a duhet të jenë po ata? 
Këtu janë gjithmonë fajtorë ministrat dhe jo kryeministrat. E keqja fillon nga kreu, ai mban përgjegjësi në radhë të parë. Është si të thuash sot se për gabimet e Edi Ramës ka faj Kumbaro.
 
A keni filluar të mendoni për rikthimin e tryezës së opozitës? 
Basha ka për detyrë tu tregojë qytetarëve që është lideri dhe këto janë idetë e tij. Unë kam vendosur të kandidoj në emër të LZHK në kryeqytet. E kam konsultuar edhe me Bashën dhe mendoj se kjo është zgjidhja më e mirë. Gjithkush duhet tu dalë për zot votave të vetave. Kjo çliron edhe zërat që të bëhen edhe njerëzit e pavarur. Ne nuk i kërkojmë asgjë PD, vetëm të respektojë votat aleatëve.
  
PS ka vënë veton për numërimin elektronik dhe PD për votën e emigrantëve, çfarë reforme është kjo?  
Nuk është reformë, është truk i socialistëve. Vota e emigrantëve është kusht i kotë sepse është e pamundur të bëhet. Kjo ka qenë një tezë e pranueshme për të gjithë, por nuk mund të jetë si kusht për reformën 8 muaj para zgjedhjeve. Numërimi elektronik jo vetëm që është diskutuar me vite, por është brenda kodit. Këtu e ka komplet fajin PS. Si do votojnë emigrantët? Me postë? Ne nuk e dimë sa emigrantë kemi. Është një tezë kot. Mosrealizimi i numërimit elektronik penalizon të gjitha partitë dhe të gjithë qytetarët shqiptarë.
 
Ju po thoni që ka kompromis të heshtur mes dy partive? 
Patjetër që po. Megjithatë janë shpresa se brenda PD do t’i thërrasin mendjes. I vetmi shpëtim edhe për PD është numërimi elektronik, nëse votimi është i pamundur. 
 
A ka kohë për ta ndryshuar sistemin? 
Mund të ndryshohet. Të gjitha mund të bëhen. Këto njerëz që thonë nuk ka mundësi por këtë formulë e kanë ndryshuar dy muaj para zgjedhjeve në 2008.
 
Sipas jush sa ka dëgjuar mazhoranca nga idetë tuaja për reformën territoriale? 
Unë kam qenë gjithmonë njeri i kompromisit për punët e mëdha të shtetit. Në programet tona kemi 12 vite rresht që kërkojmë reformën administrative, kushtetuese dhe zgjedhore. Administrativja u bë pjesërisht dhe për mendimin tim u bë gabim. Edhe kushtetuesja është bërë pjesërisht. U ndryshuan vetëm çështjet e drejtësisë dhe për hir të kësaj është deformuar edhe kushtetua, por koha do e tregojë, ndërsa reforma elektorale nuk është bërë. Nuk është e kollajtë por kjo qeveri ka bërë dy gjysma reformash. Këto reforma nuk kishin kosto ekonomike dhe nuk mundën të realizoheshin.
 
Qytetarët perceptojnë se ndërkombëtarët e kërkojnë me ngulm kurse politika e brendshme po e zvarrit, a është e tillë?
Politika e brendshme nga të dyja palët do ta zvarrisë. Më duket gati ëndërr që të bëhet diccka tamam në vendin tonë. Mazhoranca e vjetër duhet të frikësohet por kjo e sotmja duhet të tmerrohet.
 
Pse është më i lartë korrupsioni sot? 
Po është më i lartë por është edhe fakti që këto janë më të freskëta, sepse të vjetrat harrohen më lehtë.
 
Pse PD çoi Vettingun në Kushtetuese? 
Këtu u votua një ligj në mënyrë konsensuale dhe linja duhet të ishte po kjo. Por kjo u prish rrugës. Edhe sot po shikojmë skema që edhe unë që kam qenë anash palëve se mbi palëve nuk kam mundësi të jem, më duket pak si trishtim që kreu i ILDKP është vënë me njëmijë sherre. Ndryshuam të gjithë kushtetutën në mënyrë edhe të padrejtë. Përzumë presidentin nga sistemi drejtësisë që të bëjmë drejtësi, e pse për të vënë 2, 3 nëpunës që i vë dhe i heq kryeministri kur të dëshirojë? Kjo reformë nuk më bind.
 
Ndërkombëtarët e kanë mirëpritur Vettingun...
Ndërkombëtarët na e kanë lënë në dorë ne. Duhet edhe një polici kriminale. Por unë nuk kam besim as tek policët, as tek ILDKP. Nuk kam unë që jam nëpunës i këtij shteti, si duhet të kenë të tjerët.
 
Si shpjegoni që ka një përplasje mes PD dhe SHBA, si i gjykoni deklaratat e Bashës dhe Berishës, a dëmtohet e ardhmja e të djathtës?
Nuk e pengon. Basha tha shumë mirë se askush nuk duhet t’ia tregojë puënën e vet. Ka përplasje por kjo është një rezistencë që i bën mirë këtij sistemi. Ambasadorët shkojnë e vijnë në këtë vend, ne mbeteni. 
 
A është si historia e Berishës në 96 me ndërkombëtarët? 
Nuk është e njëjta sepse përplasja e Berishës në 96 nuk ishte e drejtë. Nuk është i njëjti realitet. Sot Berisha nuk është president është deputet dhe në fund të fundit është një bori që bën zhurmë. Gjykoj se Basha edhe për hir të rinisë dhe mentalitetit ka një raport të mirë me të huajt. Dhe e fundit gjykoj se sidoqoftë se ne kemi nevojë për ndihmën e të huajve, këtu në Shqipëri nuk janë punët aq të thjeshta sa mendojnë ata. Ligji i dekriminalizmit u bë por nga të huajt nuk ka asnjë lloj reaksioni. Na është premtuar nga perëndimorët se ligji i drejtësisë do të zbatohet por deri tani nuk ka pasoja. 

A ka pasur presion nga Ambasada Amerikane për reformën? 
Na kanë kontaktuar për të marrë mendime por nuk ka pasur presion për votën. Amerika është vend i madh edhe serioz. Shpesh politika shqiptare është munduar ta keqpërdorë linjën e Amerikës, por ata kanë pasur gjithnjë një linjë të ftohtë dhe të pandikuar. Ka interpretime të ndryshme bazuar në interesa, por SHBA Nuk është me asnjë palë, ata janë me interesat e veta në Ballkan. Raporti preferencial vjen ngaqë e majta është në qeveri dhe bashkëpunimi është më i hapur me qeverinë. Deri pastra 5 viteve bashkëpunonin lumturisht me qeverinë. Basha duhet të bëjë gati një strategji fitimtare për zgjedhjet dhe një grusht njerëzish që ta kenë fytyrën e pastër.
 
Pse u arrestua Nano atëherë? 
Për një aferë korruptive. Për të qenë i sinqetë ka pasur edhe prapavijë politike. Me këtë që ka ndodh sot në Shqipëri gjykoj se ajo për të cilën vuajti Nano burgun ishte qesharake.
 
Fatmirësisht BE më në fund ka cituar çështjen çame, si po e trajton sipas jush qeveria këtë çështje? 
Qeveria Rama në këtë çështje ka marrë disa hapa më të avancuar se qeveria e mëparshme. Ndoshta kanë ndikuar edhe rrethanat e Greqisë, apo fakti se çështja nuk është një tabu aq e madhe. Këtë meritë do t’ia njihja, nuk mund të them që çdo hap ka qenë faktikisht i këndshëm, por sidoqoftë ja njoh këtë lloj vlere. Pastaj se nga buron kjo nuk ka rëndësi.
 
A mund të quhet fillim zgjidhjeje? 

Unë them që është fillimi i çështjes, por nga një realizëm politik them që mund të mos ketë asnjëherë zgjidhje. Por nëse qeveria shqiptare e luan këtë kartë si një lloj kundërpeshe mund të ketë një zgjidhje të pranueshme.
 
Rama e përdori këtë kartë të paktën për fushatë, a duhet ta përdorë edhe PD? 
Ne si LZHK kemi pasur një program shuam të qartë patriotik në të cilën themi se politika e jashtme ka 3 çështje për të zgjidhur. Integrimi është e para. E dyta ka për detyrë të përfaqësojë interesat e të gjithëve. E treta është se duhet të behët protagonist për problematikat kryesore që kanë shqiptarët e kudondodhur. Mund të kem shumë kritika për këtë qeveri por në këtë fushë kanë pasur kurajën të bëjnë disa hapa.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë