Dokumenti prej 4 faqesh, që sjellim sot në Shqiptarja.com, nënshkruar në fund nga Mehmet Shehu është një urdhër operacioni, i detajuar për të eleminuar gjithë kundërshtarët e regjimit të sapoinstaluar në shqipërinë e pas luftës. Urdhër operacioni i 12 shkurtit, parashtron në hyrje situatën e konstatuar në veri, ku theksohen pozitat e forta të kundërshtarëve të tyre politikë në Kelmend, Koplik, etj, e më poshtë parashtrohet në detaje gjithë zhvillimi i operacionit dhe se ku duhej të fokusoheshin brigadat partizane ngarkuar për zbatimin e kësaj fushate eleminimi.
Agjitacioni dhe ndikimi i komunistëve në popullsinë e këtyre zonave dhe vënia e tyre kundër krerëve kundërshtar të komunizmit ishte një prej strategjive të këtij operacioni, ndërsa theksi vihet tek çarmatimi, izolimi, kapja e kundërshtarëve dhe më tej eleminimi i tyre. Dokumentin e plotë zbardhur sipas origjinalit që ruhet në AQSH dhe faksimilet e tij i sjellim më poshtë të plota.
Ad.Pe.
Dokumenti i plotë
U. N. ÇL. SHQIPTARE
KOMANDA E OPERACIONIT
SHKODËR
VDEKJE FASHIZMIT
LIRI POPULLIT
Shkodër, më 12 Shkurt 1945
SHTABIT TË BRIGADËS I-rë
SHTABIT TË BRIGADËS XXIII-të
SHTABIT TË BRIGADËS XI-të
SHTABIT TË BRIGADËS XXIV-të
Për njoftim:
SHTABIT KORP-ARMATËS III-të
SHTABIT DIVIZIONIT IV-të
KOMANDË PËRGJITHËSHME
URDHËR-OPERACIONI
GJËNDJA E ARMIKUT: Në këto kohët e fundit armiku , duke përfituar nga mungesa e marrjes së masavet të forta nga ana jonë, tentojë të hidhesh në sulm kundër forcave t’ona, me shpresa se do të gjente mbështetje të mënjihershme në reaksionin e jashtëm. I gjithë qarku i Shkodrës buçiti për ditë nga dallga e reaksjonit. Tentativat e armikut dështuan që të gjitha: forcat e tradhtarit Preng Cali në Kelmend u asgjësuan nga forcat e Korpi III-të; gjithashtu u asgjësuan edhe forcat e Llesh Marashit në Koplik, të Hasan Isufit në Bërdicë dhe ato të Ded Shabanit në Lesh.
Në qytetin i Shkodrës reaksjoni u godit shumë rëndë nga forcat e Dizionit IV-të, të Mbrojtjes Popullit dhe të Brigadës XXIII-të. Në të gjithë sektorët ku veprojnë forcat e këtyre katër Brigadave nuk ka ma reaksjon të organizuar, armikut i ësht futur tmeri dhe paniku. Porse nuk duhet të harrojmë se të gjithë këto sektor janë reaksjonar dhe armiku mundet që të ri-organizohet në rast se nuk merren masa nga ana e jonë për t'a asgjësuar rrënjësisht. Në Mirditë forcat e Divizionit VIII-të janë duke kryer çarmatimin total dhe mobilizimin. Duke qenë se forca të shumta t'onat operojnë në rrethe të Mirditës, të Leshit, Dukagjinit e Koplikut, mbeturinat e reaksonit po tentojnë të grumbullohen dhe të ri-organizohen nga Malcija e Gjakevës së bashku me Çetnikë.
GJËNDJA E JONË: Forcat t'ona kanë në dorë situatën në të gjithë qarkun e Shkodrës. Brigada e I-rë, forcat e Brigadës XXIII dhe XXIV meritojnë lavdrime të posaçme për heroizmin që kan treguar në asgjësimin e reaksjonit në Malcin e Madhe duke kaluar nëpër vende të pa shkelëshme në konditat ma të vështira. Forcat t'ona ku do i kan dhënë grusht vdekje armikut dhe morali i tyre qëndron mjaft lart, me gjith vuajtjet e mbëdha që paraqet operacieni gjatë dimrit.
MENDOJMË:
1) Me forcat e Brigadës I-rë dhe të Brigadës XXIII-të të kryejmë operacionin rrënjësor në Nënprefekturën e Koplikut.
2) Me Brigadën e XI-të dhe XXIV-të të kryejmë operacionin rrënjësor nën Nënprefekturën e Dukagjinit.
PRANDAJ URDHROJMË:
1) Brigada e I-rë dhe Brigada XXIII-të, të dyja nën-komandën e Major Ferid Radovickës do të kryej operacionin në të gjitha katundet e Nënprefekturës së Koplikut (Komuna e Qendrës Koplik, Kastrat, Shkrel) si edhe Rrjoll e Postrribë qi i përkasin qendrës së Shkodrës. Këto dy Brigada qendrën do t’a kenë në Koplik ku Komandant'i Operacionit duhet të mbajë dy Bataljone në rrezervë pë'r t'i përdorur si mbas nevojës. Komandant'i Operacionit Koplik, Major Ferid Radovicka do të mbajë lidhje të rregullta me Shtabin e Korp-Anatës së III-të.
2) Brigada e XI-të e Brigada XXIV-të, nën Komandanë Major Ndreko Rinos do të kryejnë operacionin rrenjësor në Nënprefekturën e Dukagjinit (më parë në Komunën e Qendrës Shalë, në Komunën Shoshë, Shllak e Pukë e mbasi të jetë kryer operacioni në këto Komuna të dy Brigadat do t’hidhen në Komunën Nikaj-Mërtur). Komandanti i operacionit në Dukagjin Major Ndrekë Rino do të mbajë lidhje të rregullta me Komandën e Operaionit Shkodër. Baza e Komandës së operacionit në Dukagjin duhet të caktohet nga vetë Komandanti i operacionit i cili duhet të mbajë kurdoherë në dispozioion, nën komanden e tija direkte të paktën dy Batalione.
UDHËZIME TË PËRGJITHSHME:
Mënyra e operacionit do të jetë si më poshtë:
1) Ç'do Brigadë duhet t’i caktohet sektor’i vet, me Komune dhe katunde.
2) Forcat nuk duhet të jenë shum të hapura dhe Shtabet e Bataljonevet duhet të kenë kurdo herë të paktën nji Kompani në dispozicion për t’përdorur ku të ç'faqet nevoja.
3) Ç'do katund duhet të shkelet nga forcat t'ona.
4) Gjatë operacionit duhet të bëhet çarmatimi, rrenjësor me ç'do kusht. Popullit i kërkohen armët dhe i merren bashkë me gjith municion. Dhe të mblidhen të gjitha armët si pushkë, revolvera, mitroloza, mortaja, përveçë armëve të gjahut. Në rast se ndokush gënjenë duke deklaruar vetëm nji arëm ose nuk deklaron kurr gjë dhe armët i mshef, karshi tij duhen të merren masat ekstreme, d.m.th., të pushkatohet në vënd pa gjyqë. Në rast se ndonji katund ose ndonji grup njerzish do të guzojë të shtje[r] me arëm kundra partizanëve, atëhere duhen të merren masa shumë të rrepta, d.m.th. të sulmohen reaksjonarët dhe nga ato që do të kapen me arëm në dorë të pushkatohen në vend pa gjyqë elementët kryesor dhe përgjegjesit ndërsa elementat më pak të fajshëm por që kan luftuar të shoqërohen të lidhur për këtu në Shkodër; elementi popull që ka qenë i gënjyar në këte rast të lihet i lirë dhe të çarmatoset.
5) Në rast se ndokush për të mos dorëzuar armën arratiset atij i caktohet nji afat i shkurtër, aq sa të ketë mundësi të këthehet, dhe në u mbarim t'afatit në rast se nuk dorëzohet , t'i digiet shtëpija dhe t'i internohet familja duke ja konfiskuar dhe pasunin. Djegëja e shpëpive duhet të përdoret jo në masë por vetem tek tuk, në rast më me randësi dhe që me të vërtetë imponojnë një masë të tillë.
6) Armët mund t'u lihen vetëm elementëvet qi janë të sigurtë për lëvizjen Naconal Çlirimtare. Ka edhe grupe njerzish ose dhe nji katund tërë ku mund të lihen arëm në rast se ky grup ose ky katund ka marrë pjesë në luftë me neve kundër armikut, si p.sh. në katundin Rrapsh të Kastratit mund të lihet nji sasi pushkësh vetëm atyre që kan treguar besnikëri dhe aktivitet në kohët e fundit në favorin t'onë.
7) Duhet bërë diferencimi i arsyeshem, si p.sh.Bajraktar'i Rrapshit duhet falnderuar për qëndrimin e tij të mirë, duhet ftuar që të vijë të takohet me neve në Shkodër për të lidh besë. Bajraktar'i Selcës gjithashtu mund të ftohet që të vijë në Shkodër për takim dhe në rast se ka qëndruar mirë mund t'i lihet dhe armët për familjen e vet; Postrriba nuk mund të konsiderohet njisoj si Kastrati prandaj Postrribës i duhen bërë disa lehtësi, duke i lënë armët Bajraktarvet të cilët nuk qendrojnë keq, mund t'u lihen armët edhe personave tek tuk qi kan qëndruar më mirë se tjerët, po prap se prap Pastrriba duhet të çarmatoset. Katundet më reaksjonare, si Ivanaj në Koplik, Taragashi, Dushmani në Dukagjin duhet goditur më rëndë se të gjitha të tjerat duke areastuar nga 10-15 veta më kryesorët dhe duke i nisur të shoqruar për Shkodër të cilët do të internohen. Në bashkëpunim me Komisarët e Rretheve dhe me Oficerët e Mbrojtjes Popullit qi do të dërgohen si në Koplik dhe në Dukagjin duhet të arrestoni të gjjithë elementat reaksjonarë që sjelli pengesa pushtetit t'onë. Në disa raste duhet që të bëni edhe konfiskitë përpjesëshme por me rësyes dhe duke lenë kurdoherë nji pjesë familjeve.
8) Të gjithë elementët dezertorë nga radhët e Ushtris Nacional Çlirimtar[e] që nuk dorezohen duhet që mbassi të mbarojë afati që t'i caktohet për dorëzim, t'u digjen shtëpit dhe t’u internohen familjet, dhe në rast kapen mbas afatit të pushkatohen pa gjyqë.
9) nuk duhet harruar se neve godisim reaksjonin pa marrë parasyes maskën ndën të cilën ay mshihet. Në rast se konstatoni element fetarë, si priftinjë, hoxhallar e tjerë të cilët jan treguar aktiv kundër nesh, si prift'i Bogës, i Shkrelit, i Thethit, e të tjerë këto duhet t'arrestohen dhe të shoqërohen për këtu.
10) Mbi mënyrat e veprimit u duhet shpjeguar të gjith Shtabeve të Bataljoneve në mënyrë të tillë që ç'do gjë të jetë e kjartë dhe të mos besohen gabime politike duke rënë në ekstremizmë ose në oportunizmë. Në rast bëhen gabime të tilla kush e bën është përgjegjës. Duhet mbajtur qëndrimi korekt me popullin, sjellja duhet shembellore, duhet t'i tregojmë popullit se neve jemi armiq të reakisionit por mbrojtjës të tij. Dhe në rast se ndodhë që dikush do sillet keq me popullin duke marrë këtë nëpër këmb duhet të merren masat me nji herë që gabimet të ndreqen dhe të mos persëiten më. Nga sjellja e ç'do partizani do të mvaret në se neve do t'i lemë përshtypjen e drejtë popullit si mbrojtës i interesave të tij dhe tmerri i armikut ose si element terrorista të pa principtë.
11) Paralel me çarmatimin duhet të shkojë edhe ri-organizimi i Këshillavet me anë konferencash në ç'do katund. Këshillat e vjetra duhet që të ri-formohen që të gjitha se pse e shumta e tyre, sidomos Kastrat, Shkrel, Koplik, Rrjollë e Dukagjin, përveç Postrribës janë të kompremetuara me arm[i]kun. Nga këshillat e vjetra të mbeten vetëm elementat më besnikë dhe të futen elementa të tjerë të zgjedhun nga populli dhe që premtojnë besnikë ndaj pushtetin t'onë. Në ç'do katund do të mobilizohen partizan të rinjë të cilët duhet të jenë me gjith armë komplet, prej moshës l8 vjeç deri 35 vjeç dhe që të kenë në shtëpin e tyre të paktën nji ndihmës.Të kin kujdes dhe të mos bëhen pa drejtësira siç jan bërë duke mobilizuar shtresat e ulta dhe duke lënë demt e shtresave të larta pa i mobilizuar[.] Nëpër konferencat i duhet shpjeguar popullit ç'ësht pushteti, ç 'është lufta e jonë, Ushtrija e jonë, të demoskohet reaksjoni, t'i tregohet gjendj[a] e jashtëme, t’i premtohet lumtëri e paqe, t'i tregohen veshtirësit që gjen pushteti sod dhe krijusit e këtyre vështirsinave e tjera, me fjalë të tjera ku të shkelin forcat t'ona duhet të ngrehin pushtetin dhe të lënë gjurma politike.
12) Komisarve të rretheve u janë dhënë udhëzime verbale mbi ri-orgazimin e Komandave të vendit. Në ç'do Komunë do të mbetet nga nji Komandë vendi dhe të tjerat që janë të tepërta duhet të syprimohen. Nëpër Komandat e vendit do të qëndrejnë nga 15-20 partizanë të vendit nga besnikët dhe Komandantat e vendit duhet të jenë nga më besnikët e gjit[hë] rajonit duke i premtuar atyre edhe gradat dhe duke na propozuar me nji shkresë të veçantë biografit e tyre, qëndrimin politik të tyre dhe propozimin për gradim. Në ç'do Nënprefekturë do të krijohet nga nji Kompani shëtitëse e cila do të Komandohet nga Komandanti më besnik e vedit, dhe do të përbëhet prej 30-40 partizanë të vendit nga më besnikët e cila Kompani do të gjurmoj këmba këmbës ç’do element të arratisur në rrajonin e vet dhe do të plotësoj operacionin mbasi ky të jetë kryer nga forcat t’ona operative.Të gjithë partizanët e tjerë të venë do të mbeten jasht kuadrit të Komandave të vendit duhet të futen nëpër Brigada dhe në rast se ndekush prej tyre nuk ndigjon me u bind do të konsiderohet si dazertor nga radhët e ushtris dhe do të merren masat e rastit.
13) T'u shpjegohet gjithë partizanëve rëndësija e këtij operacioni, nevoja e sakrificës dhe të pregaditet ç'do partizan moralisht në mënyrë të tillë që në rreshtat t’ona të forcohet disiplina, vendoshmënija, dinamizmi në veprim.
14) Ju kujtojmë dhe nji herë se bashkë me armët duhet të mblidhet dhe municioni.
REAKSJONI DUHET ASGJËSUAR. POPULLI DUHET ORGANIZUAR E MOBILIZUAR. KUJT T'I KËRKOHET ARMA DUHET TË DOREZOJË ARMËN OSE SHPIRTIN.
Ky operacion duhet të fillojë sa më parë të jetë e mundur dhe duhet të kryhet me shpejtësin më të madhe, mbrenda muajit Shkurt, mundsisht më parë. Brigada e XI-të mund t'a fillojë me nji herë operacionin në Komunën e Shoshit dhe mbasi të marri kontakt me Major Ndreko Rinon të vihet në urdhërat direkte të tijë.
Sukses në veprimin t'uaj!
KOMANDANT’I OPERACIONIT
GJENERAL MAJOR
(Mehmet Shehu).
[P.S]: Të gjitha armët që do të mblidhen duhet të dërgohen nga koha në kohë në Shkodër e ti dorëzohen Komandantit të Korpit III-të Lidhjet me ne duhet të jenë të përditshme duke na raportuar veprimet e ditës.