Ju jeni një prej deputetëve më të rinj në parlament, por që nuk keni folur gjatë këtij mandati. Pse kjo zgjedhje?
Unë isha deputeti më i ri i parlamentit në konstituimin e tij, derisa më pas u shpall fituese edhe deputetja tjetër e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, e cila si më e reja në moshë, përfaqëson denjësisht rininë shqiptare. Le të kthehemi tek pyetja juaj. Është e vërtetë që nuk kam folur shumë gjatë këtij mandati dhe kjo ka dy arsye. Së pari, si i ri e kam konsideruar këtë periudhë si një shkollë parlamentare, për tu njohur me rregullat dhe procedurat legjislative, ku kam qenë i vëmendshëm të mësoj prej atyre që kanë eksperiencë dhe të marr më të mirën prej modeleve pozitive. Së dyti, në këtë parlament jam hasur me një model të dytë, me modelin negativ. Atë që nuk duhet dhe nuk meritojnë shqiptarët. Jemi përballur, si të gjithë shqiptarët, me ligjvënës që luajnë role të admiruara nga aktorët më të mirë. Provokojnë sherre dhe krijojnë konflikte artificiale për të mbushur egon e tyre, për kredite pranë kryetarëve të partive të tyre dhe për të kapur vëmendjen mediatike me falsitete dhe pa vlera reale. Në këtë aspekt, unë kam zgjedhur të mos flas kur nuk kam asgjë për thënë dhe të mos krijoj skupe mediatike.
Ama po përfundon një mandat...
Po, po mbarojnë katër vjet të këtij mandati që për mua ishte i pari dhe një eksperiencë e vyer. Ju do të më pyesni se cili ishte misioni im politik këto katër vite? Keni të drejtë, sepse media, përgjithësisht ndjek axhendën publike të deputetëve. I sheh ata nëse janë apo protagonistë të sherreve dhe fyerjeve. Unë refuzoj, siç e thashë edhe më lart, të ulem në një nivel të tillë aktrimi. Ama ajo që media nuk sheh, dhe jo për faj të saj, është ndikimi konkret i deputetit dhe lidhja e tij praktike me zonën që përfaqëson.
Jashtë modestisë, do të doja të thoja se jam përpjekur maksimalisht t’i qëndroj pranë çdo zgjedhësi tim në qarkun e Tiranës ku kam fituar mandatin, dhe me përulësi kam bërë gjithçka kam mundur për t’i ndihmuar në problemet e përditshme. Do të isha i nderuar nëse ja kam dalë të mos neglizhoj asnjë. Sigurisht që jo gjithçka është e zgjidhshme, por shqiptarët kanë probleme të mëdha, të mbartura ndër dekada, që një deputet apo një qeveri nuk jua zgjidh dot mbase menjëherë.
Ama janë ca probleme, të vogla për shtetin, por jetike për qytetarin, që me shumë pak vëmendje mund të vendosen në vendin e duhur. Me frymën e LSI-së, të cilët i jam bashkuar në vitin e parë të mandatit tim, jam induktuar për eliminimin e arrogancës, vëmendjen ndaj qytetari dhe shërbimit me përulësi ndaj çdo zgjedhësi që na ka besuar. Politika, parlamenti, partitë, nuk kanë nevojë vetëm për njerëz që flasin bukur në ekrane dhe podiume, por edhe njerëz që dinë të mbajnë kontakte të përgjegjshme me qytetarët. Në këtë aspekt, secili duhet të përqendrohet në atë që di të bëjë më mirë.
Dakord. Këto mesazhe LSI i artikulon përditë, sikundërse artikulon dhe kritika. A keni ju të tilla për qeverisjen?
Më thoni një popull që është i kënaqur me qeverinë e vetë? Askënd. Po t’i pyesni amerikanët, britanikët, francezët e me radhë do të kenë më shumë pretendime për qeveritë e tyre dhe pse janë djepe të demokracisë. Në këtë aspekt, asnjë kritikë ndaj qeverisë nuk është ndonjë çudi e madhe. Qeveritë duhet të kritikohen, sepse kështu përmirësohen. Ajo ku unë do të ndalesha është mentaliteti i dy partive të vjetra. Ato nuk po ndryshojnë dhe nuk po gjenerojnë brezat. Nuk mendojnë për interesin publik apo për problemin real të qytetarëve. Për shembull, do të doja të ndalesha tek emigrantët bujarë të një atdheu dorështrënguar. Gati çereku i shqiptarëve jetojnë jashtë atdheut. Kanë ikur për një jetë më të mirë dhe kurrë s'kanë reshtur të bëjnë mirë për atë që lanë pas. Ekonomia jonë mbahet prej 25 vitesh nga remitancat. Nga paratë që emigrantët dërgojnë pranë familjeve të tyre, apo ato që vijnë dhe i investojnë këtu. Po çfarë ju ka ofruar shteti shqiptar atyre? Asgjë. Absolutisht asgjë. Në çdo prag zgjedhjesh partitë e vjetra kujtohen për t'i joshur, por jo për tu dhënë dinjitet. Minimalisht të drejtën e votës. As këto zgjedhje, ata nuk do të mund të shprehen me vendimmarrje për fatin e atdheut të tyre, që e mbajnë në këmbë me paratë e tyre. Një shans për të gjithë me LSI është edhe një shans për emigrantët.
Ju e përdorni sloganin “Një shans për të gjithë”, por çfarë nënkuptoni praktikisht me këtë?
Një shans për të gjithë do të thotë shans edhe për ata jashtë LSI-së. Në mbyllje të Konventës së Tiranës, ku pata kënaqësinë të marr pjesë, LSI pati mundësinë të shpalosë vizionin e saj në disa drejtime. Së pari, një shans për të gjithë, do të thotë një shans për çdo qytetar shqiptar, jo vetëm për mbështetësit e LSI-së, por për më shumë, për ata jashtë saj. LSI është një shans për këdo që do një Shqipëri më të sigurt, me ekonomi më të qëndrueshme dhe me mundësi për të gjithë ata që jetojnë ndershmërisht. Së dyti, LSI nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë pengesë për reformën në drejtësi. Përkundrazi, LSI ka qenë dhe do të jetë përmes kryetarit Meta, por edhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë të saj në nivele të ndryshme, garante e konsensusit dhe e zbatimit të Kushtetutës së re dhe ligjeve që burojnë prej saj. Së treti, LSI u krijua si një shans për të frenuar qeverisjen arrogante dhe mendjemadhe. Ndaj LSI, që i qëndron besnike misionit dhe vizionit të saj, do të bëjë gjithçka që të jetë pranë qytetarëve me përulësi dhe përkushtim, dhe do të frenojë kudo ku mundet arrogancën dhe konfliktin që buron nga keqpërdorimi i pushtetit dhe i besimit të qytetarëve.
Megjithëkëtë, rezoluta e PE-së la disa detyra për politikën shqiptare dhe mazhorancën lidhur me hapjen e negociatave. Cila është përgjegjësia e LSI-së në këtë pikë?
Javën e shkuar, eurodeputetët në Bruksel kanë diskutuar mbi projekt-rezolutën e progresit të Shqipërisë paraqitur nga Knut Fleckenstein. Thuajse një zëri, të gjithë anëtarët e Parlamentit Evropian shprehen se data e hapjes së negociatave do të varet nga katër gjëra: Zbatimi praktik i Reformës në Drejtësi; Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme më 18 qershor; Zbatimi i plotë i ligjit të Dekriminalizimit; Transparenca dhe auditi për financimin e partive politike. LSI, qartazi ka qenë dhe ngelet e pozicionuar dhe e angazhuar në të katër këto drejtime: duke garantuar konsensusin për ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi; duke kërkuar ashpërsimin e ligjit për tjetërsimin e votës; duke u ndarë përfundimisht nga të gjitha figurat me probleme me të shkuarën dhe duke u bërë e para parti që pasqyron online shpenzimet e saj për çdo aktivitet, duke treguar burimet dhe buxhetin e detajuar. Në sfida dhe objektiva kombëtare është koha që, sikundërse LSI, secili të bëjë pjesën e vetë të punës. Historia do t’i gjykojë të gjithë.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com