Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD, Sherefedin Shehu, u është drejtuar qytetarëve duke u kërkuar të besojnë institucionet ndërkmbëtare dhe BE, dhe jo qeverinë. Shehu tha se edhe progres-raporti i KE, konfirmon stabilitet dhe mundësi për përmirësim të situatës ekonomike dhe fiskale në vitin e ardhshëm.
“Raporti i Bashkimit Europian injoron panikun që përhap Qeveria për situatë të rendë ekonomike. Qytetarët të mos besojnë qeverinë por institucionet ndërkombëtare dhe Bashkimin Europian. Kryeministri Rama thotë që Shqipëria është në ditën më të vështirë por FMN, në mbledhjen e tij vjetore, dhe raporti i Komisionit Europian konfirmojnë stabilitet dhe mundësi për përmirësim të situatës ekonomike dhe fiskale në vitin e ardhshëm”, u shpreh Shehu.
Më tej deputeti Shehu tha se në vend të forcimit të stabilitetit të trashëguar, qeveria Rama ka zgjedhur destabilizimin, duke miratuar edhe aktin për ndruyshimin e buxhetit 213.
“Dje deputetët e Qeverisë miratuan aktin për ndryshimin e buxhetit 2013, i cili nxit destabilizimin fiskal. Raporti i BE konfirmon se në 2012, deficiti u ul në 3.4% të PBB nga 3.5% që ishte në 2011, ndërsa qeveria në vend që ta ulë me aktin e djeshëm e rrit atë në 6.3%. Raporti i BE thekson se rishikimi i buxhetit në 2012 e kompensoi uljen e të ardhurave me shkurtim të shpenzimeve, ndërsa akti i kësaj qeverie e katërfishon mosrealizimin mujor të të ardhurave dhe e mbulon atë me borxh të dyfishuar. Deri në Gusht u morën borxh rreth 35 miliardë lekë, ndërsa në 4 muajt e mbetur do të merren rreth 37 miliardë lekë.
Në vend të forcimit të stabilitetit fiskal, qeveria rrit shpenzimet e veta dhe borxhin ndaj bizneseve. Akti i Qeverisë rrit borxhin me 24 miliardë pa ulur asnjë lek shpenzimet për veten dhe rrit buxhetin e Kryeministrit me 600 mijë dollarë. Akti i Qeverisë i ul investimet me rreth 100 milionë dollarë dhe nuk shton asnjë lek për faturat e papaguara të investimeve publike. Qeveria rrit borxhin për të ardhurat që nuk do të mbledhë me qëllimin e fshehtë që të shpërblejë klientët e saj duke mospaguar tatime ose u rikthyer ato të paguara”, theksoi Shehu.
Deputeti i PD e quajti të paligjshëm aktin e miratuar nga qeveria, duke u shprehur se “neni 57 i ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor e lejon qeverinë të marrë borxh vetëm për investime”.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)