Aktualisht, Shqipëria po shndërrohet në një nga eksportueset më të forta të mollëve, jo vetëm në Evropë por edhe në kontinentet e tjera.
Prodhimi i mollëve në vend pritet të arrijë në 125-135 mijë ton ndërsa konsumi i tyre të arrijë në 40 kg për frymë në vit, dyfishin e konsumit të BE-së.
Në këto kushte eksporti i kësaj kulture shndërrohen në një domosdoshmëri. Aktualisht, Shqipëria eksporton mijëra ton mollë drejt disa vendeve të rajonit, Bashkimit Europian por edhe Egjiptit.
Aktualisht prodhimi i mollëve në vend ka pësuar një rritje prej 86 %
Vitet e fundit kanë shënuar një kthesë historike në eksportet shqiptare të mollëve. Konkretisht atyre të prodhuara në Korçë por jo vetëm.
Eksporti i mollëve të zonës juglindore të vendit, e njohur si zona që kultivon masivisht këtë lloj fruti ka nisur në vitin 2011.
Fillimisht, fermerët shqiptarë iu drejtuan tregut të vendeve fqinjë, si, Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia.
Nga kjo periudhë deri në vitin 2013, nga Shqipëria eksportoheshin mesatarisht 500 deri në 600 ton mollë në vit. Një shifër kjo, e vlerësuar asaj kohe si arritje e suksesshme për fermerët shqiptarë por dhe Shqipërinë.
Në vitet më pas, eksporti i mollëve nisi të tërhiqte vëmendjen e tregjeve të tjera të mëdha të vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë Bullgarinë dhe Greqinë.
Rritja e eksportit të mollëve shqiptare
Nga viti në vit, eksporti i tyre është rritur gradualisht, duke u dhjetë fishuar. Përmes Greqisë, mollët shqiptare eksportohen edhe drejt Egjiptit dhe Arabisë Saudite.
Dy tregje të fuqishme këto, nisur nga numri i lartë i popullsisë, e rrjedhimisht i konsumatorëve.
Falë standardeve të ndjekura, në harkut kohor të gjashtë viteve, interesi për mollët shqiptare po rritet çdo vit e më shumë.
Ndërkohë nuk eksportohen vetëm mollët për konsum por edhe ato për përdorim industrial.
Një lajm i mirë ky, në një kohë kur një nga shqetësimet kryesore të fermerëve shqiptarë ka qenë pikërisht hedhja e tonelatave të mollëve në kanal. Kjo, për shkak të mungesës së tregut të brendshëm për prodhim industrial.
Fatmirësisht sot, fermerët shqiptarë të kultivimit të mollëve nuk pësojnë firo në produktet e tyre.
Duke u shndërruar në furnizues kryesor të këtyre frutave për prodhim industrial në tregjet jashtë vendit. AgroWeb.org