KORCE- Nga spitali rajonal i Korçës drejt spitaleve universitare të Tiranës nisen minimalisht dy ambulanca në ditë. Janë pacientë në gjendje të rëndë, që bluzat e bardha i dërgojnë për ndërhyrje kirurgjikale apo mjekime të specializuara që nuk ofrohet në juglindje.

Drejt kryeqytetit dërgohen pacientët që kanë pësuar infarkt dhe kanë nevojë për koronografi apo bypass. Por dhe raste të tjera si për shembull si djegiet e rënda dhe frakturat e gjymtyrëve, sidomos kur kanë nevojë për ndërhyrje.

Tashmë që rruga e Librazhdit është shembur dhe nuk dihet kur hapet, autoambulancat kalojnë në aksin Maliq-Gramsh. Koha e udhëtimit shkon në 3 orë e 30 minuta nga 2 e 30 minuta që bëhej më parë. Është mision tejet i vështirë për gjithë personelin për t’i sjellë pacientët gjallë në kryeqytet. Ata nuk flasin para kamerave por jashtë saj, ndihet tensioni sa herë njoftohen për transportin e pacientëve në gjendje të rënduar. Po ashtu, referime drejt kryeqytetit ka edhe nga spitalet e Pogradecit, Devollit dhe Kolonjës, duke rritur kështu fluksin.

Aktualisht, rruga alternativ Maliq - Gramsh jo vetëm që e dyfishin kohën e udhëtimit por është me kthesa dhe tatëpjeta dhe çdo vonesë mund të ketë pasoja për shëndetin dhe jetën e pacientëve.

Edhe pse ekziston mundësia e transportit me helikopter për rastet emergjente, burime nga spitali theksojnë se ky shërbim mund të realizohet vetëm ditën, pasi natën s’ka kushte teknike për uljen e helikoptereve.

I njëjti shqetësim është dhe për Prrenjasin, ku sipas anëtares së kryesisë në PL, të bllokuar kanë mbetur 12 pacientë me dializë.

“Vetëm dje 12 pacientë të sëmurë nga Prrenjasi, Rrajca dhe Qukësi që bëjnë shërbimin e dializës në spitalin e Elbasanit, njëri prej të cilëve familjari im, mbetën të bllokuar dhe në mëshirë të fatit në mes të kësaj katrahure”, tha Miranda Rira nga selia e PL-së.