TIRANË- Deputetja Marjana Koçeku, e njohur ndryshe edhe si ‘Neomalësorja’ ka njoftuar papritur largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Nuk dihen ende arsyet që e çuan deputeten drejt këtij ‘divorci’ me Partinë Socialiste, por në një postim në rrjetet sociale ajo njoftoi se nga sot do të jetë deputete e pavarur. Këtë qëndrim ajo e argumenton shkurt, duke thënë se idealet dhe vlerat e saj, janë ato që i ka pasur para se të bashkohej me një parti politike dhe që i diktojnë edhe kufijtë.

"Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojnë kufijtë", shkruan ajo.

Marjana Koçeku ishte një ndër emrat risi që PS solli në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Ajo u zgjodh automatikisht deputete, pasi udhëhiqte listën e mbyllur të socialistëve në qarkun e Shkodrës.