Kryeministri Rama ka kritikuar Bashkinë e Vlorës se dështoi të informojë disa biznese në Zvërnec që nuk do të preken nga operacionet e prishjes së ndërtimeve në bregdet, ku dy ditë më parë pati tensione me prishjen e disa prej tyre në atë zonë. Në një intervistë për një televizion lokal në Vlorë, Rama tha se ka munguar një komunikim efektiv dhe një zgjidhje e menjëhershme nga Bashkia e Vlorës me bizneset dhe për këtë është krijuar një keqkuptimi se ato struktura të lehta të ndërtuara në shumë vite do të prisheshin.

Ne kemi pasur një takim, kjo është e vërtetë. Është e vërtetë që e kemi bërë në Zvërnec. Është e vërtetë që në atë zonë ka pasur një moment pakënaqësie të një sërë subjekteve që kanë investuar në infrastrukturë të lehtë, mikpritje për turistët ditorë, dhe si rezultat i një keqkuptimi është krijuar ideja që ato struktura të lehta të ndërtuara në shumë vite do të prisheshin. Ndërkohë që ka munguar një komunikim efektiv dhe një zgjidhje e menjëhershme nga Bashkia e Vlorës,” tha Rama.

Për këtë kryeministri Rama tha se zhvilloi një  “debat konstruktiv të hapur dhe të drejtpërdrejtë , për të vënë pikat mbi i” me Dritan Lelin dhe hodhi poshtë  se kishte pasur përplasje me Lelin siç u raportua në disa media pranë opozitës.

Kemi pasur një debat, një debat konstruktiv për të vënë “pikat mbi i” lidhur me shumëçka që duhet përmirësuar, sepse ne asnjëherë nuk jemi të kënaqur, unë në radhë të parë asnjëherë nuk jam i kënaqur me punën time jo më me të tjerët, përfshi edhe Dritanin, për të cilin kam shumë respekt për shumëçka, por për të cilin ashtu si edhe shumë të tjerë, kërkoj edhe më tepër. Më vjen mirë që biseda u zhvillua në mënyrë të hapur, në mënyrë të drejtpërdrejtë, dhe kam shumë besim që si rezultat i atij debati dhe i konkluzioneve të arritura bashkarisht të gjithë do të përmirësojmë më tutje punën për këtë qytet dhe për Bashkinë e Vlorës, që ku patjetër është bërë një ndryshim i pamohueshëm nga askush,” tha kreu i qeverisë.

Ditën e djeshme rreth 40 biznese në Zvërnec janë planifikuar nga IKMT-ja për t'u shembur, teksa pronarët e tyre dolën kundër pasi shprehen se nuk janë njoftuar zyrtarisht. Bëhet fjalë për bare dhe restorante të cilin marrin leje shfrytëzimi çdo vit që nga 2011, por këtë vit ato nuk janë pajisur. 

Kur sezoni veror ka filluar, me një situatë katrastrofike për operatorët për shkak të COVID, burokracia shtetërore shton pengesa të reja edhe përtej virusit. IKMT ka marrë urdhër të prishë gjithë baret dhe restorantet në bregdet (që shpesh janë thjesht kafe plazhi) që deri vitin e kaluar ishin pajisur me leje shfrytëzimi të përkohshme, por që këtë vit akoma nuk e kanë marrë dhe fadromat nuk presin as fundin e sezonit turistik. Ata kanë filluar operacionin shkatërrues prej disa javësh në gjithë zonat bregdetare. Kështu masakra ekonomike që ka filluar përpara tërmetit dhe pastaj COVID, plotësohet tani me fadromat e Shtetit.