“Jemi vetëm!”. “Për herë të parë nga sa mban mend kush ende është gjallë, Europa është vetëm”. Mario Draghi, ish-kryeministër i Italisë, ish-president i Bankës Qëndrore Europiane, ndërsa merr çmimin prestigjoz Karli i Madh” (Karlspreis) në Aachen të Gjermanisë, duket se sot është më shumë se një misionar i shpëtimit të Eurozonës.
Gjermania “përqafoi” me medaljen prestigjoze me shiritin e verdhë “trurin” e “whatever it takes”, që në 2012 e largët bëri të pamundurën për të shpëtuar me çdo kusht Italinë, Spanjën e Greqinë nga kriza e eurozonës dhe rrezikun për të dalë prej saj përgjithmonë. Gjermania nuk ishte në krah të Draghit dhe të veprimeve të tij shpëtuese, duke e parë këtë italian si “tepër zemërgjërë” me tre vendet që ishin treguar dorëshpuar me financat e tyre dhe borxhet e krijuara. Por sot ja ku e dekorojnë dhe dëgjojnë me vëmendje atë që ka për të thënë:
“Europa duhet të kompletojë me të vërtetë tregun e përbashkët, pasi pa shtrirjen kontinentale sipërmarrjet europiane do të mbeten tepër të vogla për të konkurruar me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën”, tha Draghi. “Ndërtimi i një tregu kapitalesh të aftë për të mbajtur në Europë kursimet europiane që përfundojnë në SHBA”, është një prej “fiksimeve” që “mjeshtri” Italian i financave kërkon dhe rikërkon në vitet e fundit. “Integrimi i energjisë, shumëfishimi i ndërlidhjeve, prodhimi i pastër, krijimi i një rrjeti të përbashkët”, është një tjetër emergjencë e prezantuar prej tij, pasi “pa energji të bollshme dhe më pak të kushtueshme, nuk ekziston industri europiane”. Pastaj “mbrojtja e përbashkët, jo si sllogan seminaresh, por si një kërkesë, si industri, treg, blerje të koordinuara, aftësi teknologjike”. “Inteligjenca artificiale, -tha Mario Draghi ndërsa mori çmimin në Gjermani – data center, fuqia e përllogaritjeve, është qëndrore pasi prodhimi i ardhshëm europian do të varet nga aftësia për të transformuar inovacionin në infrastrukturë”.
Mario Draghi tha gjithashtu se “Europa ka nevojë për një federalizëm pragmatik, pra me lirinë që kush dëshiron të ecë përpara, le të ecë përpara me të vërtetë, duke ndërtuar bashkëpunime transparente, të matshme dhe të kontrollueshme nga qytetarët”.
Për momentin, ne, Shqipëria, ishte e pranishme me kryeministrin e saj, Edi Rama, si dëshmitarë dhe vetëm vëzhgues të një epoke ku Europa ka nevojë për një mrekulli që të rezistojë. Ne ëndërrojmë sot eurozonën. Është sikur një dhëndërr shumë i dashuruar të mos dorëzohet ndërsa nusja e premtuar lëngon nga temperatura e lartë. A do të jetë Mario Draghi dhe formula e tij për një Europë të fortë ajo e një “shenjti shërues”? Një gjë është e padiskutueshme: Mario Draghi është një europian optimist dhe këtë e thotë kudo, sidomos mes të rinjve: “Duhet të jeni optimistë! Nëse jeni pesimistë, qëndroni në shtëpi! Një pesimist vetëm flet, nuk prodhon!”
Komente











