'Shën Llazari' 'ngel' në UNESCO, tejkalohet kontrata, zv.ministrja: U kërkuam ta mbajnë atje dhe 2 vjet, presim përgjigje! Miraj: Sorollatje e turpshme, t’i kthehet Muzeut

Ishte fund nëntori i vitit 2019-të, kur Ministria e Kulturës, lajmëron për ekspozimin e ikonës “Ringjallja e Llazarit”, në UNESCO, pranë zyrës së Drejtores së Përgjithshme, Audrey Azoulay e cila e kishte vlerësuar ‘si një vepër të jashtëzakonshme’.

Vepra e Kostandin Zografit që daton në vitin 1770, udhëtonte drejt UNESCO-s, me Urdhër të Ministres së Kulturës dhe në bazën e një kontrate 2-vjeçare për ekspozim. Afat që ka përfunduar në nëntorin e vitit që lamë pas, dhe është tejkaluar edhe 6 muaj.

“Qëlloi dyvjeçari i pandemisë. Ne kemi bërë një kërkesë për të krijuar mundësinë që ikona të qëndrojë edhe për dy vjet të tjera, sepse duke qenë se zyrat ishin të mbyllura misioni pse u vendos dhe u ekspozua në një ndër pikat më kyçe të qendrës në UNESCO nuk e përmbushi misionin për shkak të kufizimeve që patëm. Megjithatë ikona vazhdon të jetë atje, ne e kërkuam që në fundvitin e kaluar kërkesën, pra në përfundim të afatit. Jemi në pritje të një përgjigjeje, besoj me mbledhjen e Komitetit do të kemi dhe një përgjigje”, thotë zv.ministrja e Kulturës, Meri Kumbe.

Ikona, pjesë e Muzeut Mesjetar të Korçës ishte ekspozuar edhe një vit më herët në këto ambiente, në kuadër të 60-vjetorit të UNESCO-s, periudhë kjo kur Ministria e Kulturës me në krye Mirela Kumbaron dakordësuan që me VKM-n nr.564, 29.9.2018, vepra jo vetëm të ekspozohej por t’i dhurohej UNESCO-s.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave në atë kohë ishte bazuar në vendimin e ministres së Kulturës së asaj kohe. Në fakt, nuk mund të dhurohet një vepër që është vlerë kombëtare. Asnjë lloj qeveria nuk mund të marrë një vendim të tillë. Kjo mua më kujton vendimin e Ahmet Zogut, që kokën e quajtur Dea e Butrintit, apo koka e Apollonit, Ahmet Zogu ia dhuroi Mussolinit dhe në ’80-ën, përgjegjësi arkeologjik i Romës, mori vendimin që të kthehet këtu dhe është sot në Muzeun Historik Kombëtar”, thotë Lida Miraj, arkitekte, arkeologe si dhe anëtare e Këshillit të EuropaNostras.                                      

Reagimet e specialistëve të trashëgimisë ishin të forta dhe kritike jo vetëm ndaj ministrisë së Kulturës, por edhe ndaj drejtoreshës së UNESCO-s, çka bëri që në tetor të vitit 2019, po me Vendim të Këshillit të Ministrave të anulohej vendimi i dhurimit.

“Janë vlera kombëtare, nuk mund të dhurohen dhe përpos se gabim i qeverisë sonë është edhe gabim i drejtoreshës së UNESCO-s që e pranoi”, thotë Miraj.

Ringjallja e Llazarit nga Krishti, një nga skenat më të njohura biblike që mendohet të jetë realizuar 2 shekuj e gjysmë më parë, ka krijuar në këtë formë një sagë të komplikuar e ende pa zgjidhje, deri në rikthimin e saj, në një kohë që Ministra pohon se është hequr dorë nga ideja e dhurimit.

“Është në qëndrim të përkohshëm dhe sapo të përfundojë kontrata me ta, ikona do të udhëtojë sërish mbrapsht drejt Shqipërisë”, thotë zv.ministrja e Kulturës.

“Është në kompetencat e UNESCO-s dhe në rregullat e UNESCO-s që kjo drejtoreshë duhet ta kthejë. Nuk mund të ketë më zgjatje. Është gabim nga ana e saj, gabim nga ana e Ministrisë, gabim edhe i Qeverisë”, thekson Miraj.

Siç thotë më tej Kumbe, ikona pas rikthimit nga UNESCO do të vendoset sërish në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë.

1653757204_15743432732.jpg

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë