Ministri Beqaj merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Gastein për Shëndetësinë
TIRANË, 1 Tetor/ATSH/.- Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mori pjesë në punimet e Forumit të 19-të Evropian të Shëndetit (EHFG - The European Health Forum Gastein), që u zhvillua në datat 28-30 shtator në Gastein, Austri.
Sipas zyrës së shtypit pranë ministrisë së Shëndetësisë, tema qëndrore e takimeve të këtij forumi ishte ndërtimi i sistemeve të qëndrueshme shëndetësore dhe përmirësimi i performancës së sistemit të ofrimit të kujdesit shëndetësor, për garatimin e shëndetit të popullatës, duke balancuar prioritetet dhe duke ndarë përgjegjësitë.
Ministri Beqaj mbajti një prezantim në sesionin special, "Financimi i sëmundjeve jo-të transmetueshme," të Forumit, ku u theksua se shëndeti publik vazhdon të jetë ende përparësi e anxhendave qeverisëse por, u saktësua gjithashtu se për të ndërtuar sisteme shëndetësore efektive, duhet që të ketë sinergji me të gjithë sektorët e tjerë.
Në takimet e tjera që kreu i shëndetësisë zhvilloi gjatë punimeve të Forumit, u diskutua për mundësitë direkte të bashkëpunimit, si edhe u përcaktuan hapat konkretë që duhet të ndiqen për të finalizuar një aktivitet të përbashkët në Shqipëri, të mikpritur nga Ministria e Shëndetësisë, me praninë e përfaqësuesve nga të gjitha vendet e Europës Juglindore.
Gjithashtu, në vëmendje të përfaqësuesve të lartë evropianë të politikbërjes në fushën e shëndetit në këtë Forum ishte edhe vlerësimi i mënyrave për t'u përballur me sfida të tilla, si multi-sëmundshmëria në rrethanat e një popullsie në plakje, objektivi i të cilave ishte ndër të tjera, edhe shqyrtimi për zbatimin me efektshmëri të kujdesit shëndetësor parësor.
Forumi EHFG është aktiviteti më i rëndësishëm në Bashkimin Evropian për diskutimin e çështjeve të lidhura me shëndetin dhe një pikë-takimi e ekspertëve të fushave të ndryshme brenda sistemit të ofrimit të kujdesit shëndetësor. Ky Forum ofron një platformë unike, që përbëhet nga ekspertë, politikbërës, opinionbërës dhe përfaqësues të grupeve të interesit nga fusha e hartimit dhe përpunimit të politikave të kujdesit shëndetësor.
Gjatë 18 viteve të fundit, EHFG-ja është zhvilluar, duke u shndërruar në një institucion, i cili trajton dhe diskuton prirjet dhe zhvillimet aktuale dhe të ardhshme në politikën shëndetësore evropiane, duke luajtur kështu një rol në përpunimin e politikës shëndetësore evropiane. EHFG-ja mbështetet nga institucione të ndryshme, që përfshijë Komisionin Evropian, Ministrinë Austriake të Shëndetësisë dhe provincën e Salzburgut. EHFG-ja organizohet nga Forumi Ndërkombëtar i Gastein-it.