"Ne po hapim dyert e shtëpisë, por e kemi bosh, nuk kemi asgjë dhe serbi do të vijë ta mbushë shtëpinë tonë me mallrat e veta dhe do e mbushë me ato që do, e imponon ai. Serbia është shumë më konkurruese se ne, dhe do të kemi një vërshim të mallrave serbe". Kështu deklaroi gazetarja Ornela Liperi e ftuar në studion e emisionit '5 Pyetjet nga Babaramo' në Report Tv për të analizuar pikat e dobëta dhe të forta të ekonomisë shqiptare në raport me vendet e rajonit me vendosjen në jetë të Shengenit Ballkanik, që pritet që të ndodhë vitin tjetër.
Liperi u shpreh se ekonomia shqiptare nuk është e përgatitur për një hapje të tillë të tregut, e para sepse vendet e tjera me përjashtim të vendit tonë janë shumë protektoniste, e dyta sepse vetëm me Kosovën kemi bilanc pozitiv tregtar dhe kjo e fundit nuk është pjesë e nismës. Nëse do të hapet tregu rajonal, ajo tha se mallrat serbe do të pushtojnë shtëpitë shqiptare, ndërsa ekonomia shqiptare është shumë e dobët dhe jo konkurruese.
"Problemi është se ku jemi ne dhe ata. Marrëveshja e CEFA-s që ekzsiton nënkupton heqjen e tarifave doganore. BE-ja thotë që ju që të bëheni gati për të hyrë në union duhet të bashkëpunoni mes tyre të hiqni barrierat. Vendet e tjera me përjashtim të vendit tonë janë shumë protektoniste. Nëse do të shohim tregtinë me vendet e rajonit, zë rreth 10% të totalit. Gjithë importe dhe eksporte janë 10% të tregtisë, pasi pjesën më të madhe Shqipëria e ka me BE-në, 70%, ku peshën kryesore e zë Italia. Bilancin tregtar e kemi 1 me 2. Shqipëria eksporton vetëm tekstilet dhe burimet natyrore, e kemi të varfër gjeografinë e eksporteve. Shteti i vetëm me të cilin kemi bilanc pozitiv është Kosova.
Nga Kosova importojmë shumë pak, por eksportojmë më shumë se vendet e tjera. Nëse importojmë nga Kosova 50 mln euro, eksportojmë 220 mln euro. Ne eksportojmë gizën dhe çelikun, taksa ndaj Serbisë e nxiti më shumë, po ashtu edhe nafta dhe produktet ushqimore. Me Serbinë jemi 120 mln euro deficit tregtar. Serbia është ekonomi konkurruese, ka punuar me mend. Ka nxitur industrinë përpunuese që zë 15% të PBB, tek ne vetëm 6%, pasi vetëm shesim dhe blejmë nuk përpunojmë.
Serbia ka të zhvilluar edhe teknologjinë e informacionit. Serbia ka rreth 3 mijë inxhinierë IT-së, ka punuar me strategji zhvillimi. Kjo na bën shumë të butë ndaj produkteve serbe. Me Maqedoninë jemi aty- aty, me Malin e Zi dhe Bosnjen janë të papërfillshme shkëmbimet. Ne fitojmë nëse thellojmë marrëdhëniet me Kosovën, nëse do i hapim tregun Serbisë do të jemi të humbur. Përsa i përket raportit mes Kosovës dhe Serbisë për shkëmbimet tregtare, deri në 2018, Serbia ishte partneri kryesor edhe i Kosovës, ka deficit shumë të madh, tani është kthyer pas taksës dhe po përfitojnë vendet e tjera.
Nëse do të shikojmë marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë, është si ne të hapim dyert e shtëpisë, por e kemi bosh, nuk kemi asgjë, pasi nuk kemi mundësi të blejmë asgjë dhe serbi do të vijë ta mbushë shtëpinë tonë me mallrat e veta dhe do e mbushë me ato që do, e imponon ai. Serbia është shumë më konkurruese se ne, dhe do të kemi një vërshim të mallrave serbe. Ndodh ajo që ndodhi me industrinë e miellit para dy vitesh, që u fut nga Serbia dhe këtu rrezikuan falimentin kompanitë. Tani ka ndryshuar, por prapë drithin e marrim nga Serbia. Një sektor tjetër ka qenë birra, importet kanë rritje të lartë, ndërkohë që prodhuesit ankohen.
Qeveria shqiptare në vite është treguar e hapur për të hapur tregun me marrëveshje. Tregtia është e mirë, por problemi është që ta bësh ekonominë konkurruese. Atë që ka bërë Serbia deri tani duhet ta kishim bërë edhe ne më parë. Në Tiranë të gjithë po shkojnë drejt ndërtimit, pasi nuk ka pasur nxitje nga shteti që sektorët e tjerë të kenë kosto më të ulët. Ne jemi vendi më bujqësor i Europës, por Serbia edhe pse ka më pak se ne, e ka industrinë më të zhvilluar se ne dhe ne importojmë nga ata. Në rajon, 49% të importeve i kemi nga Serbia, që zë peshën kryesore. Minishengeni është i adresuar gabim në këndvështrimin tonë" tha ajo.
Por cfarë mendon biznesi për këtë nismë rajonale të Shengenit Ballkanik? "Prodhuesit kanë thënë se kjo është fatale për ne, pasi ekonomia shqiptare është shumë e dobët. Po të shohësh edhe normat e fitimit edhe xhiron, industria përpunuese ka ardhur në rënie. Askush nuk është optimist, por nuk besoj se ata janë pyetur".
Megjithatë kjo nismë e ka një aspekt pozitiv. "Për tregun e punës është pozitive, pasi do të lehtësonte procedurat e marrjes së lejes së punës. Pozitive është edhe njohja e diplomave, por Serbia në teknologjinë e informacionit është më e fortë se ne. Për diplomat jam skeptike, shqiptarët janë të prirur të shkojnë në vendet e BE-së edhe për shkak të gjuhës. Porti i Durrësit ka qenë gjithmonë i lakmuar, Shqipëria ka si avantazh edhe pozicionin gjeografik. Nuk kemi as infrastrukturë të brendshme, për të shkuar në Serbi është një kohë shumë e gjatë dhe Maqedonia dhe Serbia kënaqen me Selanikun.
Shqipëria nuk është gati të hapë tregjet pa u përgatitur vetë duke u bërë një ekonomi konkurruese. Maqedonia na konkurron me domatet, Kosova me patatet, pra më parë duhet të rregullojmë shtëpinë tonë, më pas ta hapim tregun. Në afatin e gjatë do të ndodhë, nuk e shmangim heqjen e barrierave, por për momentin e shoh të nxitur. Nuk është ky momenti, lënia jashtë Kosovës lë për të dëshiruar, pasi është shteti që kemi më shumë eksporte. Peshku i madh ha të voglin, dhe peshku i madh është Serbia. Në garën rajonale me investitorë të huaj, Shqipëria e ka humbur. Kemi shumë kompani të mëdha që kanë tentuar të hyjnë në Shqipëri, por nuk kanë ardhur, ndoshta korrupsioni është i lartë. Ideja që mbizotëron në treg është se korrupsion ka kudo, por në Shqipëria duan gjysmën dhe në fillim" përfundoi ajo.