Rajoni i Lezhës po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e  të huajve, të cilët kërkojnë ta eksplorojnë këtë zonë. Një kroçere me 100 turist Anglez mbërriti këtë të shtune në brigjet e Shëngjinit, ku turistet të orientuar nga agjencitë turistike vizituan asetet turistike e historike si dhe shijuan gastronominë e Lezhës. Si destinacion kryesor ata kishin fshatin Fishtë ku qëndruan për disa ore, duke provuar gatimet e Mrizit të Zanave i cili është i njohur në mbarë botën. Turistet thonë se Shqipëria është një vend që ja vlen të vizitohet, pasi të ofron gjithçka që kë kërkon.

"Është hera e parë që vi në Shqipëri dhe po më pëlqen shumë ky vend. Kam qenë gjithmonë e tërhequr për të vizituar Shqipërinë dhe Ballkanin, pasi është një zonë e panjohur për Anglezet. Do i thoja të gjithë miqve që të vinin këtu në Lezhë, pasi është një vend fantastik"

"Sidomos këtu në fshatin ushqimi në restorant është shumë i mirë. Jam shumë i kënaqur dhe do të vij sërish këtu, pasi ka dhe një mikpritje shumë të mire dhe kjo po na habit.

"Jam vërtet e mrekulluar nga gjithçka që kam parë këtu. Keni një histori shumë të lashtë dhe gatimet janë shumë të shijshme.

Kuzhinieri i njohur Altin Prenga thotë se është shumë i surprizuar, pasi se kishte menduar asnjëherë që mund te kishte rezervim nga kroçera me turist nga vende të ndryshme të botes.

“Është diçka shumë e bukur, kur hapëm aktivitetin nuk e kishim imagjinuar se do të kishim rezervim nga krocerat të cilat vinë në portin e  Shëngjinit dhe turistët ndalen edhe këtu në Fishtë”, shprehet Altin Prenga

Drejtori i Agjensisë së Bregdetit Auron Tare shprehet se ardhja e kroçerave në Shëngjin është një shprese për turizmin e zones, por nga ana tjeter dhe një thirrje për autoritetet lokale për të krijuar kushte të përshtatshme.

 “Unë mendoj se ardhja e kroçerave në Shën Gjin është edhe një shpresë shumë e madhe për bizneset lokale por edhe një thirrje për vëmendje për të mbajtur pastër sitet e trashëgimisë për të trajnuar më shumë guida dhe për të krijuar më shumë vende ku njerëzit harxhojnë më tepër kohë dhe shpenzojnë para. Fakti që ka qëndruar kaq shumë kohë dhe se do të rikthehet, tregon se kjo ka nga çfarë tërhiqet turisti”, thotë  Auron Tare.

Përfshirja e Shëngjinit në harten e porteve turistike të rajonit, ka bërë që kroçerat ta kenë si destinacion këtë port.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com