TIRANË - Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto i ftuar në studion e emisionit “5 Pyetjet nga Babaramo” ka mohuar që dhënia e Portit të Shëngjinit Kosovës të ketë ekzistuar si projekt. Ai deklaroi se janë në diskutime me një kompani kineze për portin e Shëngjinit, por nuk ka gjetur asnjë dokument në ministri që ky Port t'i jepej në përdorim Kosovës.

"Nuk kam asnjë material të tillë në minsitri për këtë. Ekziston një vullnet i përbashkët që ne të krijojmë të gjithë lehtësistë e mundshme për bizneset kosovare që duan t’i përdorin ata. Ajo që mund të them është se ne kemi një gatishmëri të plotë për të bashkëpunuar me palën kosovare për ti bërë portet e Shqipërisë sa më atraktive." tha Haxhinasto në lidhje me deklaratat e bëra nga Berisha bashkë me ministrin e Kosovës, Fatmir Limaj, nga porti i Shëngjinit, gjatë qeverisjes së PD.

Lidhur me portet Haxhinsato theksoi se do të bëhet edhe rishikimi i tarifave të portit. Për ta bërë më të konkurueshëm
 
“Rishikimi i tarifave të portit. Për ta bërë më të konkurueshëm. Një zgjidhje ula e tarifave. Po bëhen studimet dhe mekanizmat e mundshëm. Duhet shtuar që atraksioni i konkueshmërisë së një porti vjen edhe nga shërbime të tjera si sistemi hekurodhor apo rrugor dhe lehtësira të tjera.”- tha Haxhinasto.
 
Gjatë intervistës Haxhinasto foli për aeroportet dhe mundësinë për përdorimin e aeroportit të bukësit për fluturimet ndërkombëtare.
 
“Jemi në një proces që do të përfundojë së shpejti.”- tha Haxhinsto i cili shtoi se po  realizojmë një studim fizibiliteti për një aeroport në Jug për t’i shërbyer edhe turizmit. 

Në fillim të intervistës ministri Haxhinasto foli edhe mbledhjen urgjente të qeverisë për situatën e krijuar në jug të vendit pas reshjeve të fundit.
“Mbledhja për të koordinuar më tej masat që do të merren për përballimin e situatës. ARSH është duke monitoruar situatën. Nuk është marrë akoma vendimi për gjendjen e emergjencës. Ajo shpallet kur krijohen disa kushte të vështira.”- tha Haxhinasto.

Intervista 
Çfarë u vendos në mbledhjen e qeverisë për përmbytjet?
Kjo ishte një mbledhje për të bërë azhornimin e situatës për të gjithë ministritat, për të koordinuar punën më tej.

Cila është gjendja e rrugëve pas përmbytjeve?
Janë disa rrugë të cilat kanë probleme mund të them për Levanin Gjinarin dhe në veri në zonën e Bajram Currit. Sigurisht situata më problematike është në jug të vendit si rezultat i reshjeve të dendura. Autoriteti shqiptar është duke monitoruar hap pas hapi me të gjithë strukturat qendrore dhe rajonale. Nuk është marrë akoma vendimi për tu shpallur gjendja e emergjencës civile pasi kjo gjendje shpallet kur ka disa kushte të caktuara.

Cfarë kushtesh?
Gjendja është e vështire por është nënkotroll. Të gjitha emergjencat po vlerësohen dhe nëse do merret një vendim i tillë do merret në ditët e ardhshme.

A ka një lloji parashikimi për ditët në vijim?
Sigurisht ne shikojmë parashikimin e kohës për këtë dhe deri të mërkurën do vazhdojnë reshjet dhe pastaj do ketë një përmirësim. Në varësi të këtij parashikimi ne do ndajmë punën .

A funksionojnë të gjithë hidrovorët për të përballuar situatën?
Funksionojnë të gjitha hidrovorët për të përballuar situatën. Këtu ka një strukturë shtetërore që merret me menaxhimin e situatave. Secila situatë ka veçoritë e veta, por institucionet për këtë janë në gatishmëri të plotë. Deri tani nuk ka asnjë viktimë dhe ky është një lajm shumë i mirë.

Sa llogaritet dëmi?
Duhet një kalkulim i saktë për këtë, duhet të kalojmë fazën e emergjencës njëherë.

Këto janë shkaqe natyrore apo jo administrim i mirë i territorit?
Shkaku kryesor është natyror por ka edhe shkaqe nga ndërhyrja në shtratin e lumenjve, janë një sërë faktorësh që ndikojnë.

Çfarë mund të thoni për gjendjen në të cilën ndodhet rruga Tiranë -Elbasan?
Situata në këtë rrugë është specifike për shkak të rrëshqitjeve. Kontraktori i kësaj rruge po sheh gjithë strukturën e rrëshqitjes. Pjesa ku ka ndodhur shkarja është jashtë zonës e cila është studiuar për projektin e kësaj rruge. Është një nga detyrat që mbetet për tu bërë nga autoriteti i rrugëve dhe autoriteti i studimeve gjeologjike. Kompania që ka bërë studimin është një kompani e huaj. Rruga Tiranë-Elbasan do rivlerësohet dhe nëse janë bërë shkelje të nënkontraktorëve do ketë edhe penalitete.

Sa duhet për të mbyllur gjithë rrugët që janë hapur?
Mund të them se për rrugën Tiranë-Elbasan fondi ka qenë i parashikuar nga Banka Islamike. Por do të shikohen nëse ndryshimi në projekt do të ketë nevojë për ndryshime fature. Ne kemi bërë vlerësim për vlerën e kontraktuar të kontratave që janë në proces dhe vlera është rreth 200 mln dollar. Pa përfshirë buxhetin e 2015.

Cilat janë rrugët e reja, apo keni prioritet ekzistueset?
Rrugë të reja ka, projekte të reja ka por tendenca jonë është që ne të përfundojmë ato projekte që janë pranë përfundimit të tyre. Ne duhet ti mbyllim të gjitha projektet me standardet dhe cilësinë e duhur për të dhënë edhe sigurinë e duhur në këto rrugë. Pasi siguria është një element i injoruar por i domosdoshëm. Për këtë ne kemi reflektuar që në buxhetin e 2014. Kemi trefishuar buxhetin për sigurinë në rrugë gje që ka sjellë një rënie të ndjeshme në aksidentet në rrugë.

Kur do bëhen rrugët me parametrat e autostradës?
Këto janë problematika që kanë të bëjnë me mënyrën që konceptohen projektet rrugore. Kjo është një çështje themelore e cila reflektohet që tek mënyra që buxheton atë. Gjithçka duhet të jetë e lidhur në mënyrë organike. Duhet pasur parasysh edhe impakti social që sjellin investimet, pasi ky impakt nuk merret në konsideratë tek ne. Të gjitha këto janë fatura shumë të larta, dhe kjo tashmë po parashikohet në rrugën Tiranë –Elbasan për të lidhur fshatrat që lidhen me këtë rrugë. Duhet të të një infrastrukturë që i vjen në ndihmë edhe vendeve për rreth. Po kështu edhe rruga e kombit nuk e ka këtë përqasje, prandaj detyrohen banorët të bëjnë ndërhyrje të paligjshme. Nuk dua t;I justifikoj aspak por ama duhej të ishte bërë azhornimi i të gjitha zonave që përshkon rruga e kombit me rrugë ndërlidhëse.

Ku konsiston 3-fishimi në buxhet?
Konsiston në shumë projekte dhe ndërhyrje që do bëhen në segmentet rrugore të vendit. Një segment shumë i rëndësishëm ku është zëvendësuar është Rrogozhinë-Sarandë e cila është pajisur me sinjalistikën e duhur. Rruga Lushnjë-Fier, tashmë ka një rezultat krejt tjetër siç ka qenë më parë kjo për shkak se është pajisur me sinjalistikën e duhur. Megjithatë elementi I sigurisë në rrugë mbetet prioritet për ne. ne kemi parashikuar edhe dy projekte të tjera për të rritur sigurinë në të gjithë rrugët e vendit. Ndërkohë duhet të them se në këto projekte duhet të kemi edhe qytetarët si partner në respektimin e sinjalistikës dhe mosdëmtimin e rrugëve. në sinjalistikën rrugore do vendosen cipe të padukshme dhe në këtë mënyrë ne do evidentojmë edhe ata që do përpiqen që në një mënyrë apo në një tjetër të dëmtojnë rrugët. Dhe do marrin penalitete të rënda sipas ndryshimeve të fundit që janë  bërë në Kodin rrugor.
 
Cila janë projektet që do financohen nga BE dhe Kina?
Takimi I Berlinit filloi një proces I cili vendos disa element të rëndësishëm të zhvillimit të rajonit. Jemi akoma larg drejt arritjes së përfitimit për këtë çështje. Ka një projekt për korridorin blu, dhe ky është I rëndësishëm për turizimin në lidhjen me Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu është edhe hekurudha që është përmendur si një mundësi për të lidhur të gjithë Ballkanin. Por për të gjitha këto duhet të bëhen projekte rajonale. Një projekt I tillë ende nuk ekziston në tërësinë e tij. Ne kemi ide se si mund të bëhet dhe ku mund të kalojë një projekt I tillë.

Përse nuk iu jepet studiove ndërkomëbatare të hartohen këto projekte?
Kjo po bëhet, ndërkohë studio të caktuara po bëjnë studime rreth këtyre rasteve dhe ne do gjykojmë nëse janë të vlefshme pastaj ne do bëjmë faturën financiare që na nevojitet nëse projekti na bën punë. Ne po punojmë në këtë mënyrë edhe me studimet dhe projekte për hekurudhën që na lidh me Kosovën dhe Maqedoninë. Sigurisht këto duan pak kohë nuk bëhen sot për nesër. Shqipëria ka një rrjet hekurudhor, ka një lidhje me Malin e Zi, ka një segment që shkon pranë kufirit me Maqedoninë, i cili kërkon të sillet në standardet e duhura, është dhe segmenti që të çon në Vlorë. Të gjitha këto duhen azhornuar. Projekti I parë që do përfundojmë është Tiranë-Rinas-Durrës dhe më pas është ai me Kosovën dhe Maqedoninë.

Për fondin e Kinës mund të them se ne kemi paraqitur disa projekte atje. Besoj që fryti i parë I aplikimit atje është rruga e Arbrit, jemi në fazën e konkludimit, nuk ka më kthim pas. Ne kemi filluar përgatitjen e një ligji që vendos një procedurë të re për dhënien me koncesion të kësaj rruge. Ky projekt përjashtohet nga procedurat e tenderit. Dhe kjo do bëhet për të gjithë projektet nëse një investitor vjen paraqit projektin ka lekët atëherë ska tender.
 
Porti i Shëngjinit do t'i jepet Kinës apo Kosovës?
Ka patur një interes për ta marrë portin e Shëngjinit me koncesion nga kompanitë Kineze. Kemi kërkuar që projekti të ketë një raport të detajuar për skemën e financimit dhe tani po presim përgjigje.

Berisha dhe Limaj kanë thënë se do jetë porti I Kosovës?
Nuk kam asnjë material të tillë në minsitri për këtë. Ekziston një vullnet i përbashkët që ne të krijojmë të gjithë lehtësitë e mundshme për bizneset kosovare që duan t’i përdorin ata. Ajo që mund të them është se ne kemi një gatishmëri të plotë për të bashkëpunuar me palën kosovare për ti bërë portet e Shqipërisë sa më atraktive.

Përse portet shqiptare janë më të shtrenjtët në rajon?
Kjo u konludua edhe në analizën që u bë para pak ditësh, që të rishikojmë tarifat ti ulim ato për ta bërë sa më të madhe konkurueshmërinë. Ka një grup punë që po bën studimet e krahasuara, gjithashtu duhet të them se konkurueshmëria e një porti vjen edhe nga element të tjerë. Me sistemin rrugor, hekurudhor, tek shërbimet doganore. Prandaj do dyfishohet rruga në doganën e morinës do dyfishohet numri i sporteleve. Përsa i takon portit të Vlorës aty ka një projekt, për riparimin e një kalatë kështu do të rritet kapaciteti dhe volumi i këtij porti. Ndërkohë mosha mesatare e anijeve do të jetë 40 vjet.
 
Si do jetë Aeroporti i Rinasit, pasi tashmë është bërë monopol, më parë ka pasur aeroporte në qytete të ndryshme a do rivitalizohen këto pista?
Ne jemi në proces negociatash më partnerët e aeroportit të Rinasit, që krijon mundësinë e hapjes për aeroportin e Kukësit. Synojmë të realizojmë që një aeroport të jugut t’i shërbejë turizmit, ne jemi ende duke e studiuar se ku mund të jetë ky aeroport në jug, për t’i shërbyer sa më mirë industrisë turistike.

Shqiptarët paguajnë 30 % më shumë se vendet e rajonit për të rrugëtuar, çfarë do bëni për ulur këtë?
Ne duam të inkurajojmë kompanitë që kanë kosto të ulëta, pasi vendet e tjera të rajonit I kanë këto kompani. Aeroporti i Tiranës është një kategori premium dhe kjo reflekton edhe kostot që ka. Sfida jonë e rëndësishme është zgjerimi i infrastrukturës aeroportuale në mënyrë që dhe kompanitë me kosto të ulët të vijnë tek ne.

Kontrata me koncensionarin e Rinasit mendoni se mund të bëhej më e mirë?
Kjo është çështje që shikohet nga këndvështrime të ndryshme, ne kemi një aeroport me standarde. Dhe kjo shihet në nivelin e shërbimit, në numrin e rritur të pasagjerëve. 

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)