BERLIN, 9 nëntor /ATSH-DPA/ - Data 9 nëntor konsiderohet nga gjermanët si një ditë profetike që simbolizon uljet dhe ngritjet e historisë moderne të kombit të tyre.
Por, çfarë ka ndodhur në datat 9 nëntor duke filluar nga viti 1848?
9 nëntor 1848: Robert Blum, anëtar i parlamentit të parë gjerman të zgjedhur në mënyrë të lirë dhe demokratike, ekzekutohet. Vdekja e tij shënoi fundin e Revolucionit të Marsit, një kryengritje e dështuar që kërkoi bashkimin e Gjermanisë dhe një kushtetutë që do të garantonte vendosjen e të drejtave politike dhe të njeriut.
9 nëntor 1918: Philipp Scheidemann, deputeti socialdemokrat, shpall Republikën e Vajmarit në Rajshtag, Berlin.
9 nëntor 1923: Lideri i Partisë Naziste, Adolf Hitler shndërrohet në figurë politike kombëtare kur përpiqet dhe dështon të marrë pushtetin në Bavari. Dënohet me pesë vjet burg për puçin e njohur si "Beer Hall".
9 nëntor 1938: Sinagogat dhe pronat e hebrenjve sulmohen dhe digjen gjatë një fushate vdekjeprurëse mbarëkombëtare terrori, që më vonë u quajt "Kristallnacht", veprim që më vonë u konsiderua si një hap përpara Holokaustit, thënë ndryshe vrasjes së më shumë se gjashtë milionë çifutëve evropianë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
9 nëntor 1989: Bie Muri i Berlinit./ a.jor.