Kryeministri britanik, David Cameron deklaroi se nuk do të kërkojë një mandat të tretë, në ndërkohë që momentalisht po përpiqet shumë për ta mbajtur mandatin e dytë deri në zgjedhjet e 7 majit të ardhshëm.
Njoftimi i papritur i Cameronit zuri në befasi miqtë dhe armiqtë e tij politikë dhe rrezikon të hapë para kohe një luftë mes konservatorëve për postin e tij.
"Mandati i tretë nuk është gjëja për të cilën po mendoj tani", tha Cameron në një intervistë me BBC-në.
"Do të ishte më mirë të kishte një këndvështrim të ri ose një drejtim të ri më të gjallëruar", theksoi ai.
Duke qënë në pushtet që prej vitit 2010, Partia Konservatore e David Cameronit (48 vjeç), shtatë javë para zgjedhjeve, po ecën krah për krah në sondazhe me qendrën e majtë, Partinë opozitare të Laburistëve.
Partia Liberaldemokrate, që formon qeverinë aktuale në koalicion me Partinë Konservatore, kritikoi qëllimin e kryeministrit, i cili lë të kuptohet se do që ta mbajë për vete fitoren në zgjedhjet e majit.
"Është e pabesueshme ambicia nga ana e David Camerounit, i cili synon një mandat të tretë të mundshëm disa javë para zgjedhjeve", nënvizoi zëdhënësi i partisë Liberaldemokrate.
Edhe Partia Laburiste, nga ana e saj, akuzon Cameronin për arrogancë.
Kryeministri tha se ai dëshiron ta mbyllë punën e tij dhe të rindërtojë ekonominë britanike në pesë vitet e ardhshme.
Ai sugjeroi disa emra si drejtues të ardhshëm të Partisë Konservatore si ministren e Brendshme Tereza May, ministrin e Financave, George Osborne dhe kryebashkiakun e Londrës, Boris Johnson.
"Partia Konservatore ka një numër të madh personalitetesh në rritje", tha ai për BBC-në.
Këto vërejtje kontribuan për të shuar thashethemet sipas të cilave thuhej se nëse ai rizgjidhej në maj, atëhere do të hiqte dorë nga referendumi i premtuar për vitin 2017 mbi anëtarësimin e Mbretërisë të Bashkuar në Bashkimin Evropian./ atsh/