Kur në korrik të vitit të shkuar Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit, duhet të shkonte për një vizitë në një spital privat të këtij qyteti, ngjitur me spitalin publik, shoqërimi i tij u bë me një prani të pazakontë të forcave të policisë.
Zyrtarisht, në përgjigjen që Drejtoria e Burgjeve, i dërgonte më pas Avokatit të Popullit, bëhej e ditur se “për këtë shërbim janë planizuar 8 punonjës policie të rolit bazë, 2 drejtues automjetesh dhe një drejtues shërbimi Oficer. Ky planizim paraprak është kryer me arsyetimin e garantimit të sigurisë gjatë udhëtimit, sigurimin e mjeteve në parkim të përshtatshëm, sigurimin perimetrik të objektit Spital, sigurimin e ambienteve ku do të kryheshin vizitat/konsultat/ekzaminimet nga kati në kat i godinës etj. Së bashku me grupin e shoqërimit ka qenë prezent edhe 1 ndihmësmjek i IEVP Durrës, i cili shoqëron të burgosurin gjatë ekzaminimeve dhe administron dosjen shëndetësore dhe dokumentacionin shoqërues”, shkruhet nga Burgjet për shoqërimin e Veliajt.
Në përgjigje, shpjegohej më tej se “stafi multidisiplinar i IEVP-ve (siguri, social, shëndetësor, ligjor) është përgjegjës për vlerësimin e riskut të të gjithë të dënuarve dhe të paraburgosurve, kur është nevoja për shoqërim jashtë regjimeve të banimit. Në këtë formular përcaktohen dy shkallë të riskut, “i lartë” dhe “standard”. Bazuar në formularin e treguesve të riskut dhe nevojave Nr. Extra Prot., datë 17.03.2025, për Z. Erion Veliaj, plotësuar nga IEVP Durrës, rezulton se ai është cilësuar me risk të shkallës “Standard”.”
Drejtoria e Burgjeve e përshkruan kështu, shoqërimin e Veliajt me 12 persona, si një procedurë normale, në rastin e një personi me rrezik ‘standard’.
Duke i qëndruar këtij interpretimi, rasti i sotëm i Altin Ndocit, i akuzuar për vrasje, dhe i shoqëruar nga vetëm 5 efektivë, (sipas të dhënave të deritanishme) përfshirë dhe shoferin e automjetit, përfaqëson një skandal të rëndë.
Nëse procedura për një person me shkallën e rrezikut ‘standard’ parashikon shoqërimin me dy automjete dhe 12 persona, është i pashpjegueshëm vlerësimi që është bërë për Altin Ndocin, i cili është lënë në shoqërimin e vetëm një grushti efektivësh. Qartazi, ai nuk mund të kategorizohet në personat me rrezik ‘standard’, e për pasojë shoqërimi i tij, sipas logjikës së vetë autoriteteve, do duhej të ishte me një numër forcash ndjeshëm më të madh se sa në rastin Veliaj. E megjithatë, kjo nuk ka ndodhur, përkundrazi, ka qenë me më pak se gjysmën e efektivëve. Ndërsa në momentin e shoqërimit për në tualet, mbikëqyrej nga vetëm një polic.
Një tjetër pikë e errët është dhe roli i dy policëve që do duhej të ishin jashtë mjediseve të godinës për “sigurimin perimetrik të objektit Spital”. Sipas të dhënave furgoni i burgjeve ka qenë në parkim, në oborrin e spitalit, në krahun e kundër të daljes nga rrethimi i spitalit, dhe disa dhjetëra metra larg portës së Infektivit. Qartazi asnjë nga dy policët e tjerë, nuk kanë siguruar hyrjen e godinës, por kanë preferuar t’i bëjnë shoqëri shoferit të furgonit, ndërsa Ndoci, është larguar me vrap në krahun e kundërt.
Por njollat e errëta që mbulojnë këtë ngjarje, shtrihen përtej këtij episodi. Për cilat arsye, mund të lihej në një burg si ai i Durrësit, botërisht i njohur, si një mjedis konvaleshence për të dënuarit një person me rrezikshmëri të lartë, i arrestuar me urdhër të SPAK, si pjesë e grupeve kriminale?
Pakujdesi apo komplicitet, këtë mbetet ta vërtetojnë hetimet. Por një gjë është e qartë, arratisja e Ndocit është një dështim spektakolar!
Komente












E kan lan rojet me ik eshte shum e thjesht esht spiuni brenda tyre
Përgjigjusi me veliajn duhet te silleshun me cdo te burgosur. personi duhet te jete i lidhur dhe i shoqeruar me mbi 2 agjente kur del jashte ambienteve te institucionit. ne momentin qe eshte ne gjyq ka nje polic nga pas qe ulet dhe cohet sa here e ben dhe i pandehuri. ky eshte rregulli per te gjithe.
PërgjigjuGjëja e parë që më shkoi në mendje kur pashë lajmin, dasti i Veliaj ushte. Skandal i vërtetë.
Përgjigju