NJU JORK - Qyteti amerikan i Fergusonit kaloi një natë tjetër protestash, të përhapura edhe në pjesë të tjera të vendit, pas vrasjes së një adoleshenti me ngjyrë nga një polic i bardhë gjatë gushtit të kaluar.
Ndërkohë, një dhunë e dukshme ka shpërthyer që prej së hënës, kur një gjykatë liroi nga akuza për vrasje Darren Wilson, oficerin e policisë i cili qëlloi për vdekje Michael Brown.
Megjithatë, protestat e djeshme kundër racizmit në SHBA ishin më të qeta se një ditë më parë, ndërsa guvernatori i Misurit, Jay Nixon dërgoi 2 000 trupa të Gardës Kombëtare në mënyrë që mos të përsëriten trazirat dhe shkatërrimi i pronave siç ka ndodhur gjatë protestave një ditë më parë.
Me ardhjen e trupave të reja të Gardës Kombëtare numri i ushtarëve në Ferguson është mbi 2 200, ndërsa me ndihmën e tyre policia ka ndaluar qindra demonstrues.
Përveç Fergusonit, demonstrata janë zhvilluar edhe në Nju Jork, Uashington, Atlanta, Los Anxheles dhe Çikago. Demonstrata në këto qytete përfunduan kryesisht në mënyrë paqësore.
Në Nju Jork disa qindra qytetarë tentuan të bllokojnë trafikun në "Times Square", por policia i parandaloi duke hedhur gaz lotsjellës, ndërsa disa demonstrues edhe u arrestuan.
Po ashtu edhe në Uashington disa mijëra qytetarë ishin mbledhur në sheshin Vernon. Ata bllokuan disa udhëkryqe. Ata brohorisnin me parulla "I kam ngritur duart, mos gjuaj". Në pankarta ishin mbishkrimet "Nëse nuk ka drejtësi nuk ka as paqe", "Ngrihuni për vëllain", "Stop racizmit", " Edhe jeta e njeriut me ngjyrë është e vlefshme", "Nëse heshtni dhe juve do t'ju vrasin" si dhe "Stop terrorit racist policor".
Grupi amerikan "Black Youth Project 100? që merret me të drejtat e qytetarëve me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vuri theksin në një studim ku thuhet se çdo 28 orë vritet një qytetar me ngjyrë, si nga policia ashtu edhe struktura të tjera të sigurisë.
Pasi polici Darren Wilson qëlloi dhe vrau të riun me ngjyrë, trupi gjykues ka marrë vendimin se nuk ka arsye të fortë për fillimin e procesit gjykues. Ky vendim ka shkaktuar zemërim tek qytetarët pas së cilës kanë shpërthyer protesta në mbarë vendin.
Wilson theu heshtjen dhe natën e kaluar iu drejtua opinionit publik përmes kanalit televiziv "ABC".
Ai veprimin e tij e ka arsyetuar duke thënë se nuk kishte mënyrë tjetër për të parandaluar të riun.
"Unë detyrën time e kam kryer në mënyrë korrekte", deklaroi Willson duke shtuar se në mënyrë të njëjtë do të kishte vepruar po të ishte fjala edhe për një të ri të bardhë.
"Tetëmbëdhjetë vjeçari Michael Brown ishte i zhvilluar dhe më sulmoi fizikisht, në përpjekje për të më marrë armën", theksoi Willson./ ATSH/