Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, shenjtëroi ditën e diel, 26 tetor 2014, në të kremten e Shën Dhimitrit, Kishën e re Katedrale të Beratit, që i kushtohet këtij shenjtori të Kishës sonë. Në Shërbesën e Shenjtërimit morën pjesë Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati, Episkopi i Amantias Nathanaili,  përfaqësues të komuniteteve fetare, autoritete lokale, deputetë të zonës etj.

"Çdo kishë orthodhokse është vend paqeje, ngushëllimi, vend, ku njerëzit gjejnë jo vetëm Perëndinë, por edhe veten e tyre. Njëkohësisht është vend vëllazërimi, ku takohemi me respekt me njëri-tjetrin. Për më tepër, është vend ripërtëritjeje shpirtërore dhe shenjtërimi. Kisha e re Katedrale e Beratit, ndërsa lartësohet në qendër të qytetit, përbën mushkërinë e tij kryesore", është shprehur Kryepiskopi Anastasi.

Katedralja e re e ndërtuar mjeshtërisht, me sipërfaqe totale 527 m2 dhe lartësi 22 m, u themelua në vitin 1994, mes shumë vështirësish dhe në një kohë kur kur qytetit i Beratit ishte goditur nga një epidemi kolere. Nisi të ndërtohet në vitin 2002, me projektin arkitektonik dhe supervizimin e Zyrës Teknike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Shpenzimet për përfundimin e kësaj vepre arritën në 850.000 euro, fonde që erdhën si donacione nga burime të ndryshme jashtë vendit, me përkujdesjen personale të Kryepiskopit Anastas.

Nga muaji qershor deri në tetor të vitit 2014, janë shenjtëruar shtatë kisha të shenjta, në zona të ndryshme të Shqipërisë, të cilat zbukurojnë vendin dhe transmetojmë mesazhe besimi e shprese: dy në Tiranë, në Shkodër, Pogradec, Aliko, Këlcyrë dhe Berat. 

ATSH