"Nëse ne na kërkohet shërbesa për një besimtar greke ne japim, nuk ka rëndësia nëse është ushtar grek, shqiptar apo edhe kriminel qoftë ai."
Gjatë intervistës At Andoni ka sqaruar se pse lutja gjatë shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” nuk u bë në gjuhën Shqipe dhe pse Kryepeshkopi Anastas bën predikimin në gjuhën Greke.
“Për rastin e një Primati Kishe apo dhe një figure kaq të rëndësishme nuk i lejohet të flasë gjuhën e predikimit apo mesazhit me gabime. Kështu që protokolli në këtë rast po themi i Primatit i takon të flasë atë gjuhë që ai flet më rrjedhshëm dhe e njeh shumë mirë.” –tha At Andoni duke theksuar se gjatë shenjtërimit të Katedrales të gjithë Patriarkët e thanë lutjen në gjuhën e tyre. “Patriku Ekumenik e tha në greqisht, ai i Serbisë në serbisht dhe kështu me radhë. Madje përfaqësuesi i Sirisë e tha lutjen e tij në Arabisht.”- tha Episkopi i Krujës.
Përgjatë intervistës me moderatorin Artur Nura, At Andoni ka folur edhe për qëndrimin e Kishës Autoqefale Ortodokse ndaj At Nikolla Markut. “Qëndrim ynë është që Nikolla Marku nuk është një prift Ortodoks kanonik dhe si i tillë ka uzurpuar një Kishë ortodokse në qytetin e Elbasanit në lagjen Kala, Kishën e Shën Mërisë. Në mënyrë të paligjshme të padrejtë duke thyer çdo lloj ligji, etike apo edhe kanunet e Kishës Ortodokse.”-tha At Andoni.
INTERVISTA E PLOTË NË TETË A TETË
Ju jeni këtu në një moment të rëndësishëm, shenjtërimi i kishës ortodokse autoqefale shqiptare. A mund të themi fillimisht se çfarë shërben kjo në historinë e kishës ortodokse autoqefale shqiptare?
Shenjtërimi I katedrales “Ngjallja e Krishtit” në qendër të Tiranës ishte një ngjarje qendrore jo vetëm të këtyre kohëve të fundit po edhe në historikun e kishës autoqefale shqiptare. Për herë të parë mblidhen kaq shumë Primatë siç thirren krerët e kishës Autoqefale, siç ishin Patriku Ekumenik , Patriku i Jerusalemit, Patriku i Rumanisë, Serbisë si edhe Kryepeshkopë të ndryshëm si ai i Qipros, Greqisë dhe të Rumanisë duke përfshirë edhe kryepeshkopin tonë. Pjesa më e madhe e krerëve ortodoksë në të gjithë botën që mblidhen në Tiranë dhe në këtë katedrale të re që shenjtërohet. Në vetvete kjo përmban një ngjarje në të gjithë botën ortodokse, tërheq vëmendjen e të gjithëve, Tiranë kthehet në vëmendje dhe shumë njerëz informohen më tepër kush është kisha ortodokse autoqefale në Shqipëri, kush është historiku i saj. Vetë ngjarja në vetvete kthehet në një nga ngjarjet kryesore edhe në të ardhmen. Në historikun e Kishave Ortodokse, Shenjtërimet e kishave mund të kthehen në ditë feste që mund të vazhdojë me shekuj.
Praktikisht edhe kjo ditë do të festohet çdo vit në Shqipëri?
Normalisht edhe për ne data 1 qershor do të jetë një ditë e shënuar pasi kjo është shenjtëruar kjo kishë për më tepër nga Patriku Ekumenik dhe shumë Patriakë të tjerë, bashkë me kryepeshkopin Anastas.
Historia e Shqiptarisë e ndërlidhur me të në mënyrë tangeciane. Ju kishit ftuar duke respektuar protokollin edhe Patriarkun e Kishës Autoqefale Ortodokse të Serbisë Irinej, i cili ka bërë një deklaratë e cila ka përbërë shqetësim, a keni qenë në momentin që edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama i ka bërë me dije Patriarkut serb se ka tejkaluar anën religjioze të këtij momenti të rëndësishëm?
Siç e thatë edhe ju, ishin të ftuar të gjithë krerët e kishave ortodokse, ndërmjet tyre edhe Patriarku i Serbisë, një pjesë e mirë e tyre iu përgjigjën ftesës, një pjesë e tyre për arsye shëndetësore ose angazhimet në vendet e tyre, edhe patriku i Aleksandrisë kishte deklaruar se do të vinte, por për shkak të zgjedhjeve në Egjipt nuk mund të vinte, por të gjithë dërguan përfaqësuesit e tyre. --Deklarata e tij nuk është bërë në kuadër të shenjtërimit të kishës apo të aktivitetit apo ceremonisë. Ne kishim një moment pas shenjtërimit në drekën e ofruar për të gjithë pjesëmarrësit, ku të gjithë përfaqësuesit kishin mundësi për të përshëndetur. Në përshëndetjen e tij Irinej nuk kishte referenca për deklaratën, mbetet një deklaratë personale e tij, nuk do të doja që të ndalesh te ajo.
Në fakt ju e dinë, Deklarata e tij janë publike, deklaratat e personit në fjalë kanë pasur gjitonë një moment të caktuar, kjo nuk ju intereson domethënë?
Qëndrimet personale, qoftë edhe të kishave për çështje të caktuara mund të ketë, por ne nuk mund të marrim përsipër të komentojmë ato, të futemi në debate për çështje të tilla. Kisha jonë në qoftë se ka momente kur duhet të mbajë qëndrimin e saj, apo të shprehet ne e kemi bërë. Shumicën e rasteve ka qenë për paqe, për zgjidhje me drejtësi për të gjitha situatat. Në këtë kuadër nëse kisha do ketë një deklaratë, nëse do jetë e nevojshme të bëjë një deklaratë të tillë ajo do të vijë në mënyrë zyrtare, por nuk marrim përsipër të komentojmë apo edhe të justifikojmë deklaratat e të tjerëve të cilët kanë përgjegjësi për atë që thonë.
Po fakti që disa të rinj serb dolën me flamurin serb në kishën tuaj autoqefale, në kishën e re, ndërsa shqiptarë që kërkuan të komunikonin u ndaluan. Edhe kjo është jashtë protokollit, nuk ka asnjë përgjegjësi kisha besoj?
Ndryshon kur janë besimtarët që vijnë atje dhe mund të jenë nga vende të ndryshme. Kini parasysh që shërbesa e shenjtërimit që u zhvillua brenda, u udhëhoq nga Patriarku Eumenik dhe nga Patriarkë të tjerë nga vende të ndryshëm, kishte pjesëtarë nga vende të ndryshëm. Duke bërë një paralelizëm ashtu si në vatikan ku valëviten flamurë të ndryshëm nga njerëzit. Flamuri shqiptar qëndron i varur në shesh në Katedrale së bashku me flamurin e Kishës Ortodokse. Ne nuk kemi asgjë kundër asnjë flamuri, i respektojmë të gjitha kombet, të gjitha gjuhët, aq më tepër ata që kemi ftuar. Këtu nuk duhet parë tendencë negative, nëse dikush tjetër vjen me një parullë aq më tepër me tone politike dhe kërkon ta ngjisë në muret e Katedrales, kjo nuk shkon dhe çdo njeri besoj se e kupton mirë se çdo të thotë kishë dhe çdo të thotë një vend që falemi. Nuk ka lidhje protesta, deklarata, tituj të përfshirë edhe me harta, ato implikojnë në mënyrë jo të drejtë Kishën dhe ngjarjen siç ishte shenjtërimi i katedrales.
Në publik artikulohen vazhdimisht akuza të caktuara nga individë apo persona të caktuar për një lloj greqizmi të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, si do t’u përgjigjeni këtyre akuzave si një zyrtar i lartë i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare?
Ne u jemi përgjigjur në mënyrë të përsëritur se këto akuza apo aludime që i drejtohen kishës ortodokse janë të pabaza në të gjitha drejtimet e mundshme. Ju mund të përmendi diçka dhe unë mund të përgjigjem.
Gjuha përshembull, pse shenjtërimi nuk u bë në gjuhën shqipe?
Për arsyen se të gjithë pjesëmarrësit e thanë lutjen në gjuhën e tij. Patriku Ekumenik e tha në greqisht, ai i Serbisë në serbisht dhe kështu me radhë. Madje përfaqësuesi i Sirisë e tha lutjen e tij në Arabisht. Këtu askush nuk duhet të irritohet, madje duhet të nderohen. Ky është edhe mesazhi i kishës, Kisha nuk është një objekt nacional. Nacionalizmi brenda kishës është i dëmshëm dhe ka qenë një nga problemet edhe në kishën Ortodokse.
Ju sapo thatë që nuk ka, janë të gjitha aludime, akuza të pabaza. Unë shoh në debatet publike, përgjithësisht minoritarë që mbrojnë tezat e Kishës Autoqefale Ortodokse, edhe në debatet e ndryshme, por edhe më përpara kanë dalë minoritarë, pse ndodh një gjë e tillë?
Nuk kam një përgjigje konkrete.
Ju nuk jeni minoritar?
Jo nuk jam minoritar, por nga krahu tjetër njerëzit që thirren në emisione janë në preferencat e atyre që bëjnë debatet, kanë mënyrën e tyre se si për zgjedhin. Shpesh herë jemi edhe ne të ftuar ndonjëherë qëllimisht mund t’i shmangemi këtyre debateve meditative.
Pse qëllimisht, mund të ma argumentoni?
Sepse shpesh herë niveli i debateve bie. Në disa raste nuk është se kanë munguar përgjigjet, por ka munguar dëshira për t’i pranuar përgjigjet. Sulmet kanë vazhduar po të njëjtat edhe pasi janë dhënë përgjigjet, gjë që nuk kanë kuptim të vazhdosh debatin, kur nuk ka debat, por vetëm akuza dhe denigrim e qëllim për ta ulur tjetrin apo për ta fajësuar atë edhe pse ai tjetri po shpjegohet, siç mendojmë neve shumë gjatë hollësisht. Aq më tepër bëhet një debat që nuk ndërton.
Konkretisht, në kishat tona të ortodoksisë shqiptare, predikimi në cilën gjuhë bëhet?
Në shumicën e tyre bëhen shqip. Nëse këtu keni ndërmend Kryepeshkopin Anastas, i cili predikimit e tij i bën në gjuhën greke kryesisht, përjashto këtu mesazhet kur ato janë më të shkurtra ai përherë mundohet t’i bëjë në gjuhën shqip, me një sforco në fakt pasi Kryepeshkopi nuk e zotëron aq mirë gjuhën shqipe sa ta flasë rrjedhshëm.
Fortëhirësia e tij është zotërues i 5 gjuhëve përfshirë edhe Shqipen?
Është njohës i disa gjuhëve,5-6 gjuhë. Gjuhën shqipe e kupton shumë mirë, kur ne i dërgojmë ndonjë material në gjuhën shqipe e kupton përveç ndonjë fjale apo koncepti në shqip. Por që ta flasë nuk ka pasur mundësi që merret me gjuhën shqipe që ta flasë rrjedhshëm. Për rastin e një Primati Kishe apo dhe një figure kaq të rëndësishme nuk i lejohet të flasë gjuhën e predikimit apo mesazhit me gabime. Kështu që protokolli në këtë rast po themi i Primatit i takon të flasë atë gjuhë që ai flet më rrjedhshëm dhe e njeh shumë mirë. Kështu që Kryepeshkopi shpesh herë do ketë greqishten që e ka gjuhën e nënës dhe gjithashtu në gjuhën angleze që e zotëron shumë mirë. Ndërsa ajo që dëgjojmë shpesh herë se mesha mbahet në gjuhën greke nuk është aspak e vërtetë. Sepse e gjithë mesha zhvillohet në shqip. Të gjitha lutjet që janë brenda meshës janë në Shqip. Edhe vetë Kryepeshkopi i thotë të gjitha lutjet që janë brenda meshës, brenda shërbesës në Shqip. E vetmja Kryepeshkopi nuk e bën në shqip është predikimi apo ndonjë mesazh që ai kërkon t’u japi njerëzve, i cili përkthehet, vetëm ai është në greqisht dhe nuk mund të ngatërrosh një predikim apo një mesazh që jepet me të gjithë meshën e cila është në shqip.
Fakti që përgjithësisht në të gjithë historinë e kishës Ortodokse që para autoqefalisë, ortodoksit konsideroheshin grekë, historia ka treguar se edhe shpërnguljet e shqiptarëve ortodoksë janë marrë si greke dhe janë shpërngulur nga rajonet turke për në Greqi, apo e kundërta. Shqiptarë myslimanë si turq. Ekziston më ky lloj keqkuptimi në historinë e sotme të zhvillimit të kohëve moderne?
Nuk e di si keqkuptohet apo në çfarë mase keqkuptohet, ajo që na takon ne ve dhe është detyra jonë si Klerikë shqiptare si kishë ortodokse në Shqipëri është që të shpjegojmë mirë ç’është kisha ortodokse dhe kush janë përbërësit e kësaj kishe ortodokse. Shpesh kemi dëgjuar në debate, pse nuk quhet Kisha Ortodokse Shqiptare, por themi Kisha Ortodokse e Shqipërisë. Themi Kisha Ortodokse e Shqipërisë sepse pavarësisht se pjesa më e madhe besimtarëve ortodokës janë shqiptarë, një pjesë e tyre janë minoritarë. Ndoshta është i vetmi besim fetar në Shqipëri që ka edhe minoritete në gjirin e vet. Ne kemi një pjesë të konsiderueshme të minoritetit grek, apo sllav, por gjithashtu këtu po të fusim pakicat si vllahet jemi më tepër si multinacionali si komunitet. Ne nuk themi Republika e Shqiptarëve, por themi Republika e Shqipërisë, me të njëjtin koncept themi Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë.
Një interes tjetër i publikut, duke i qëndruar akuzave të greqizmit, ose jo të kishave autoqefale shqiptare. Sensibiliteti i Kishës autoqefale edhe i Hirësisë së tij Fortlumturisë Janullatos për evenimente të caktuara që kanë të bëjnë me historinë e minoritetit, me historinë e grekëve me historinë midis dy vendeve, po themi midis relacioneve Shqiptaro-Greke, të cilat janë të pasura kanë qenë të vështira, kanë ngritjet dhe uljet e tyre. Dhe atyre shqiptare, rasti i Kosovës, rast i shqiptarëve të tjerë, edhe sigurisht akuzat më të forta në drejtim të fortlumturisë së tij vijnë nga At Marku i Kishës së Elbasanit, cili është qëndrimi zyrtar i Kishës.
Qëndrim ynë është që Nikolla Marku nuk është një prift Ortodoks kanonik dhe si i tillë ka uzurpuar një Kishë ortodokse në qytetin e Elbasanit në lagjen Kala, Kishën e Shën Mërisë. Në mënyrë të paligjshme të padrejtë duke thyer çdo lloj ligji, etike apo edhe kanunet e Kishës Ortodokse. Jo çdo person që pretendon që është klerik mund të veshi rrobën dhe të shkojë të zërë një Kishë Ortodokse. Ai shumë mirë mund të hapi një kishë të tijën, t’i vendosë një emër tjetër dhe të mësojë atje ideologjitë apo nacionalizmat e tij që i ka pa rezerva. Të vetmen që ne nuk e dëgjojmë është të flasë për fjalën e zotit, për besimin për ungjillin. Nga krahu tjetër shumicat e deklaratave të tij janë me tone të forta nacionalizmi apo edhe sulme i Kishës Autoqefale.
Autoqefalia, a nuk është një lloj nacionalizmi në religjion. Një lloj religjioni që ka të bëjë me kombëtaren?
Ka të bëjë me ndarjen e shteteve, në kuptimin administrativ. Duke qenë se janë kufijtë të ndarë edhe nga mënyra e menaxhimit dhe administrimit të tyre është më e lehtë të administrohen kur edhe kishat janë të administruara në bazë të shtetit. Patjetër që ka edhe një background kombëtar apo nacionalist, por kjo nuk është shumë e shëndetshme në shumë raste. Kjo është edhe një nga shqetësimet që ka edhe vetë kisha Ortodokse, ka qenë madje edhe një nga Herezitë në shekullin e 19 që u dënua nga Primatët dhe kisha Ortodokse. Dëshira për një lloj nacionalizimi, është prirje për t’u kufizuar vetëm në një komb të caktuar. Kisha është universale, besojmë në një Kishë Universale, pra Kisha i përshin të gjithë nuk mund të jetë kisha e ndarë vetëm për një grup të caktuar njerëzish. Nëse unë shkoj në Greqi apo në Rusi ndjehem njësoj si në Kishën Në Shqipëri.
Po sensibiliteti i Kishës në raport me çështjet e minoritarëve, përgjithësisht ka pasur dhe deklarata të fortlumturisë së tij për ngjarjet që kanë të bëjnë me shtetas të caktuar minoritarë që u kanë ndodhur ngjarje tragjike. Dhe nuk ka raste të sensibilitetit për çështje që kanë të bëjnë me shqiptarë myslimanë apo të besimeve të tjera.
Ka pasur një rast kur Kryepeshkopi ka pasur një deklaratë, në rastin e zotit Guma kur humbi jetën në atë incident. Kryepeshkopi ka qenë një vizitë baritore në jugun e Shqipërisë dhe ishte në Mitropolinë e Gjirokastrës në zonën e minoritetit. Dhe kur ndodhi ngjarja, situata ishte shumë e agravuar me orë të tëra ishte bllokuar trafiku, rruga nacionale, njerëzit ishin shumë të irrituar, ishte parë si një sulm etnik ndaj minoritetit. Kryepeshkopi ndodhej pranë këtij komuniteti dhe nuk mund të rrinte naiv ndaj atyre njerëzve që t’i shmangej një deklarate.
Interesi i tij për varrezat e ushtarëve grekë nuk qëndrojnë?
Nëse na thonë që ushtarët ortodoksë qofshin shqiptarë jam i detyruar të shkoj të bëj shërbesën.
Por kanë luftuar edhe kundër shqiptarëve.
Edhe kriminel qoftë ai, ne jemi të detyruar si klerikë si njerëz shpirtërorë të bëjmë një lutje për faljen e shpirtrave të tyre. Ky është misioni i Kishës, ne nuk pyesim nëse ka qenë i mirë apo ka qenë i keq, apo çfarë biografie ka pasur ai.
Po mospjesëmarrja e Kishës Ortodokse për çamët e vrarë, ku të gjitha komunitetet e tjera fetare morën pjesë ndërsa vetëm Kisha Autoqefale nuk mori pjesë.
Ne kemi bërë një lutje, na është kërkuar të bëhet një lutjet për çamët dhe u thamë po që ne do ta bëjmë një lutje në meshë. Dhe në meshë bëmë një lutje për njerëzit që kanë humbur jetën në atë kohë. Ai që është myslimanë ka një hoxhë që do të lutet për shpirtin e tij. Midis tyre u pretendua se ka pasur edhe ortodoksë.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)