Shërbimi Onkologjik i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) është anëtarësuar në Organizatën Evropiane të Instituteve të Kancerit (OECI), një zhvillim që konsiderohet si një hap i rëndësishëm për forcimin e kujdesit onkologjik në Shqipëri.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksohet se ky anëtarësim përforcon angazhimin për përmbushjen e standardeve europiane në trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.

Sipas ministrisë, përfshirja në OECI do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, shkëmbimin e eksperiencave dhe zgjerimin e bashkëpunimit me qendrat më të avancuara onkologjike në Europë.

“Shërbimi Onkologjik i QSUNT-së anëtarësohet në Organizatën Evropiane të Instituteve të Kancerit (OECI), duke shënuar një arritje të rëndësishme për zhvillimin e kujdesit onkologjik në vend.

Ky anëtarësim përforcon angazhimin për standarde europiane, rritje të cilësisë së shërbimeve dhe bashkëpunim me qendrat më të avancuara onkologjike në Europë, në funksion të një kujdesi më të mirë për pacientët”, thuhet në postimin e Ministrisë së Shëndetësisë në Facebook.