Në fillim, në një postim në rrjetin social “Facebook”, Berisha ka konfirmuar se premtimi i qeverisë, i bërë para zgjedhjeve parlamentare, për të rritur pagat dhe pensionet do të realizohet. Në postimin në rrjetin social ai shkruante: “Të dashur miq, rrogat dhe pensionet do rriten. Ne mbajmë premtimet! Sb”.
Postimi është bërë rreth mesditës, duke lënë të kuptohet se për disa orë ka patur debat midis tij dhe ministrit të Financave lidhur me mundësitë e gjetjes së fondeve për këtë rritje. Kjo konfirmohet nga bashkëpunëtorë të Bodes, sipas të cilëve specialistët e dikasterit kanë marrë urdhër që të hartojnë brenda ditës së martë draft-vendimin për rritjen e pagave dhe të pensioneve. Ky vendim pritet të miratohet sot në mbledhjen e rradhës së qeverisë.
Reagimi vjen pasi shumë media kishin pasqyruar lajmin konfidencial se rritja e premtuar e pagave nuk do të hynte në fuqi, duke cituar të njejtat burime nga ministria e Financave. Zyrtarë të ministrisë thanë të hënën se rritja e pagave dhe pensioneve do t’i lihej në dorë qeverisë së re, kur të marrë drejtimin në muajin shtator, me argumentin se nuk kanë tagër ligjor për të marrë vendime.
Në rang vendi numërohen rreth 90 mijë buxhetorë dhe 571 mijë pensionistë, kurse fatura për rritjen e pagave dhe pensioneve (sipas planit paraprak) ishte rreth 2.5 miliardë lekë.
Nga të njejta burime, mësohet se duhet të ketë patur një përplasje midis ministrit Bode dhe kreut aktual të Ekzekutivit Berisha, ku ky i fundit ka kërkuar me insistim që të vihet në zbatim rritja e premtuar, ndërkohë që kreu i Financave ka argumentuar se burimet për një gjë të tillë janë shteruar, si pasojë e të ardhurave shumë më të ulta nga planifikimi në pesë muajt e parë të vitit.
(Në foto: Faksimile e postimit të kryeministrit Sali Berisha në Facebook)
Por, pas urdhërit politik nga Berisha, ministria njoftoi zyrtarisht se Vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve do të hynte në fuqi duke filluar nga 15 korriku dhe jo më 1 korrik, siç parashikohej dhe do të ketë efekt prapaveprues. Sipas rregullit buxhetor dhe ligjeve në fuqi, rritja e pagave dhe pensioneve duhet të ndodhë, pavarësisht vullnetit politik apo pamundësisë financiare të qeverisë, në të paktën sa niveli i inflacionit, që mesatarisht është rreth 2.5 për qind.
Sipas projektvendimit, rritja llogaritej duke nisur nga 2 deri në 5 për qind, sipas kategorive, ku për nivelin e lartë të drejtuesve të shtetit nuk do të kishte shtesa, kurse përfitimin më të madh do ta kishin punonjësit me pagën më të ulët.
PARASHIKIMI NË DRAFT-VENDIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËR RRITJEN E PAGAVE DHE PENSIONEVE
PAGAT NË VLERË ISHTE BËHET
Paga minimale 21 mijë lekë 22 mijë lekë
Paga mesatare 51.3 mijë lekë 52.8 mijë lekë
Arsimi i mesëm 59.4 mijë lekë 61.2 mijë lekë
Arsimi 9-vjeçar 56.7 mijë lekë 58.4 mijë lekë
Paga mesatare mjekët 55.7 mijë lekë 57.9 mijë lekë
Paga mesatare infermierë 36.7 mijë lekë 38.1 mijë lekë
PAGA MESATARE PËR BUXHETORËT
Viti 2011 48.000
Viti 2012 51.300
Viti 2013 52.800
PENSIONET NË VLERË URBANE RURALE
Viti 2011 13.267 8.358
Viti 2012 13.712 8.873
Viti 2013 14.100 9.130
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.07.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)