Një konflikt që mund të kishte përfunduar me pasoja të rënda është shmangur në Peshkopi falë ndërhyrjes në kohë të policisë. Këta të fundit pas një njoftimi të marrë kanë mundur të parandalojnë përshkallëzimin e një konflikti, nisur mes dy vëllezërve dhe një burri me te birin. Si pasojë burri është plagosur me mjetë të forta, por fatmirësisht pa pasoja për jetën.

Si pasojë policia ka vendosur në pranga dy vëllezërit, 24 dhe 20 vjeç, të cilët akuzohen si shkaktarët e nisjes së sherrit. Sipas policisë materialet proceduariale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon përshkallëzimin e një konflikti mes disa personave

Vihen në prangat e Policisë 2 vëllezër.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, pas njoftimit të marrë  për një konflikt  në lagjen 'Treg', Peshkopi, ku disa persona po  konfliktoheshin me njëri - tjetrin, menjëherë organizuan punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe ndërhyrjes në kohë  bënë parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, duke arrestuar autorët e nisjes së konfliktit dhe konkretisht:

L. D., 24 vjeç, dhe XH. D., 20 vjeç, banues në Peshkopi, (vëllezër ) , të cilët u arrestuan  për veprën  penale “Plagosja e lehtë me dashje” kryer nê bashkëpunim.

Dy vëllezërit  në bashkëpunim me njëri - tjetrin për motive të dobëta, janë konfliktuar  dhe kanë plagosur  me mjete të forta, jashtë rrezikut për jetën (komshiun e tyre),  shtetasin K.N dhe djalin e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.