Një sherr mes shokëve të klasës në Krumë të Hasit ka përfunduar me plagosjen e tre gjimnazistëve 16-vjeçarë. Një bashkëmoshatar i tyre dyshohet se i ka goditur me bixhak gjatë konfliktit, ndërsa dy prej të plagosurve janë dërguar në spitalin e Prizrenit për mjekim më të specializuar.
Ngjarja ka ndodhur këtë të premte rreth orës 13:35, pas përfundimit të mësimit, jashtë një bilardoje në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, pak metra larg Komisariatit të Policisë Has.
Të përfshirët në konflikt janë nxënës të së njëjtës klasë në gjimnazin e Krumës. Sipas policisë, sherri dyshohet se ka nisur për motive të dobëta, ndërsa 16-vjeçari me inicialet A. G. dyshohet se ka goditur me bixhak tre shokët e tij.
Të plagosurit janë dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal të Kukësit, ndërsa dy prej tyre janë transportuar më pas në Prizren.
Policia ka shoqëruar autorin e dyshuar dhe një tjetër 16-vjeçar, i cili dyshohet se e ka përkrahur gjatë konfliktit. Biçaku është sekuestruar, ndërsa po hetohet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë
"Më datë 23.10.2026, rreth orës 13:35, në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, jashtë ambienteve të një bilardoje, dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, i mituri me inicialet A. G., 16 vjeç, ka goditur me mjet prerës (bixhak) tre të mitur, 16 vjeç, banues në Has dhe shokë klase me autorin e dyshuar.
Të dëmtuarit janë transportuar në Spitalin Rajonal Kukës për të marrë ndihmë mjekësore, ku dy prej tyre janë transportuar në Prizren për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar autorin e dyshuar për veprime të mëtejshme procedurale.
Në vijim të veprimeve, u kap dhe u shoqërua për veprime të mëtejshme procedurale edhe një 16-vjeçar, i dyshuar si përkrahës i autorit të plagosjes.
Në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar mjeti prerës (bixhak).
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit."








Komente
Komento