Dy grupe të rinjsh, shumica nxënës të shkollës së Gjuhëve të Huaja “Shejnaze Juka” në Shkodër u përfshinë në një konflikt të dhunshëm paraditen e së premtes, 12 dhjetor.

Në pamjet e kamerave të sigurisë shihen tre nxënës që vijnë nga rrugica dhe drejtohen për te porta e shkollës. Nga pas i ndjekin një grup djemsh, dhe aty për aty përleshen e të godasin njëri-tjetrin me grushte e sende të forta. Janë këto pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë në zonë, të siguruara nga Report TV.

Njw person qw dallohet nw video me xhup të kuq nxjerr thikën dhe fillon të godasë kundërshtarët me thikë. Fatmirësisht, asnjëri prej tyre nuk mori plagë të rënda. Në pamje gjithashtu, shihen dhe të plagosurit, që fshijnë gjakun nga fytyra.

Sherri i dhunshëm ndodhi përpara shkollës rreth orës 11:10 në lagjen në lagjen “Kongresi i Përmetit” kur nxënësit duhet të ishin në mësim. Disa kalimtarë të rastit, duket se janë të pafuqishëm për të ndërhyrë. Konflikti zgjati për afro 1 minutë e 20 sekonda. Më pas dy grupet largohen nga hyrja e shkollës dhe ndjekin njëri-tjetri nga pas nëpër rrugica.  Janë pamje dramatike këto që demonstrojnë dhe një herë agresivitetin e adoleshentëve, që nuk hezitojnë të dëmtojnë njëri-tjetrin me thikë apo sende të forta.

Rrethanat e motivet e konflikt ende nuk janë sqaruar. Policia e Shkodrës, paraprakisht njoftoi se në spital kanë mbërritur tre persona, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Dy prej të plagosurve janë vëllezër dhe mësojnë në shkollën “Shejnaze Juka”. Ndërsa agresori që goditi me thikë është identifikuar por ende nuk është vënë në pranga. Të përfshirë në sherr janë dhe persona në moshë madhore, të cilët policia po punon për t’i identifikuar.

“Rreth orës 11:10, në lagjen "Kongresi i Permetit”, dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta në rrugë, duke përdorur mjete prerëse, shtetasi A. K. me shtetasit F. Th. dhe K. Th. (vëllezër). Të tre këta shtetas janë dërguar në spital, për mjekim, dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit. Në vijim do të jepet informacion më i plotë për rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në vendin e ngjarjes ka mbetur xhupi dhe kapelja e njërit prej të plagosurve. Në kapele shkruhet “Pain don’t hurt”, shprehje kjo që përdoret për të treguar trimëri e forcë.

Ky është konflikti i dytë i rëndë që shënohet në një kohë të shkurtër. Më 25 nëntor, në ish-kënetë të Durrësit u përfshinë në konflikt disa minorenë dhe pas 9 ditësh ndërroi jetë në spital, 15-vjecari Erion Boba. Autori është arrestuar, ndërsa policia tha se të rinjtë u konfliktuan pas debate që kishin në TIK TIK. Kjo platformë është ndaluar nga qeveria pas vrasjes së 14-vjecarit Martin Cani në shkollën Fan Noli para një vit, por adoleshentët vazhdojnë ta përdorin në mënyrë ilegale. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:26
Ekskluzive/ Report Tv siguron pamjet e sherrit të gjimnazistëve në Shkodër, rreth 20 të rinj grushtojnë njëri-tjetrin! Njëri nxjerr thikën dhe godet shokët (VIDEO)

Report Tv ka siguruar pamjet ekskluzive nga sherri i të miturve në Shkodër i ndodhur ditën e sotme përpara portës së gjimnazit “Shejnaze Juka”.

Në pamje shihet se sherri është tejet masiv ku të përfshirë janë rreth 20 adoleshentë që konfliktohen me njëri-tjetrin me grushte. Në një moment, njëri prej adoleshentëve i veshur me xhup të kuq, ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar disa herë disa prej personave të përfshirë në sherr.