Degjenerimi në dhunë i sherrit mes dy tifozerive në pallatin e sportit ‘Asllan Rusi’ ka sjellë ndërprerjen e ndeshjes gjysmëfinale të volejbollit të Kupës së Shqipërisë Tirana-Partizani. Kur ndeshja ishte akoma në setin e parë dhe me rezultatin 20-14 për Partizanin, tifozët e Tiranës kanë provokuar rivalët e tyre duke sjellë më pas edhe konfliktimin mes tyre me gurë dhe mjetet të forta.

Në këtë moment kanë ndërhyrë gjyqtarët duke ndërprerë ndeshjen dhe dërguar sportistet në dhomat e zhveshjes, pasi gurët dhe mjetet e forta i kanë zënë vendin sferës. Policia ka shoqëruar mbi 10 tifozë nga të dy anët, të Partizanit dhe të Tiranës në Komisariat. Pas një pushimi të shkurtër dhe qetësimit të situatës nga ana e policisë ka rinisur ndeshja, e cila ka përfunduar me fitoren e Tiranës. Ndeshja ka qenë mjaft e fortë mes dy ekipeve të kryeqytetit, të cilat gjithmonë prodhojnë rivalitet mes tyre, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në shkallët e stadiumit.

Pas ndeshjes në rrjetet sociale në Facebook kanë vazhduar me ofendimet dhe sharjet kundrejt njëra-tjetrës. Ndeshja e volejbollit tregoi edhe një herë që rivaliteti mes dy tifozerive të kryeqytetit nuk është vetëm në ndeshjet e futbollit, por edhe në sportet e tjera. Përsa u përket personave që u shoqëruan nga policia, do të ndiqen në gjendje të lirë.


d.b/shqiptarja.com