LEZHE - Dy të rinj janë arrestuar në flagrancë ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim pasi pak para mesnate ka tentuar të vrasë me çifte një person pas një konflikti për motive të dobëta. 

Ngjarja ndodhi në një lokal në qytetin e Lezhës, ndërsa rreth orës 05:45 policia arrestoi 34-vjeçarin E.B banues në Tresh të Lezhës si dhe 26-vjeçarin A.J 26 vjeç banues në lagjen “Gurra”. Policia shpalli në kërkim 25-vjeçarin K.B, vëllai i 34-vjeçarit të arrestuar. 

Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Lezhës, dy vëllezërit kanë tentuar të vrasin me armë gjahu çifte shtetasin shqiptar me inicialet E.N, duke i shkaktuar dëmtime në nofull. Por gjatë konfliktit i shpalluri në kërkim K.B ka qëlluar aksidentalisht me armë vëllain e tij, duke e lënë të plagosur. Të dy të lënduarit marrin mjekim në Qendrën e Traumave në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. 

Po ashtu policia sqaroi edhe rolin e personit të dytë të arrestuar. A.J punon banakier dhe kamerier në lokalin ku shpërtheu konflikti, dhe sipas bluve të qytetit të Lezhës ai ka fshirë e pastruar lokalin dhe nuk ka njoftuar policinë për ngjarjen. Ai është nën akuzë për veprën penale “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)