TiranëNjë efektiv policie dhe një punonjës i një biznesi u përplasën dhe paraditen e sotme në zonën e quajtur “Malajziani” në kryeqytet.

Burime bëjnë me dije se konflikti ka nisur pasi punonjësit e një lokali i kanë kërkuar efektivit të largonte makinën e parkuar pranë ambientit të tyre, duke pretenduar se po pengonte zonën e shërbimit.

Debati mes palëve është tensionuar me shpejtësi, duke kaluar nga përplasje verbale në nxjerrjen e armës nga ana e policit.

Në pamjet e kamerave të sigurisë duket momenti kur polici i nxjerr armën e shërbimit djalit me të cilin është në konflikt, teksa të pranishëm ka edhe persona të tjerë, përfshirë edhe një 2 gra.

Burime bëjnë me dije se për rastin, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur një hetim, ndërsa polici, i cili rezulton të jetë i punësuar në Policinë e Tropojës, po hetohet në gjendje të lirë.

Për AMP, Polici ka deklaruar se ka qenë rastësisht në vendngjarje dhe nuk i njihte personat më përpara. Sipas tij, fillimisht ka pasur frikë se mos i marrin armën dhe ka reaguar duke e nxjerr nga brezi.

Procedimi është marrë në këshillim me prokurorinë, ku tashmë është referuar rasti. Hetim disiplinor pritet të nis në vijim edhe Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.