Prania e tregtareve ambulantë përreth kishës së Shna Ndout në Laç është kthyer në burim konflikti mes tyre dhe rojeve të sigurisë së kishës. Në zbatim të urdhrit të kishës, policia private po ndërhyn në largimin e ambulanteve, por është ndeshur me rezistencën e këtyre të fundit. Tregtarët dhe rojet e sigurisë janë përplasur me njëri tjetrin e për pasojë, janë lënduar 5 persona pak ditë më parë mes të cilëve një punonjës sigurie i cili është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës në Tiranë. Denoncimi është bërë nga përgjegjësi i sigurisë private të kishës Gjon Shkëmbi, sipas të cili nuk po gjejnë mbështetjen e policisë së shtetit dhe private për të liruar hapësirat që janë pronësi të kishës.

“Kemi njoftuar disa herë policinë që të na mbështesin dhe nuk ndërhyn as policia bashkiake dhe as policia e shtetit. Kemi pasur edhe konflikte fizike, kanë dëmtuar edhe makinat. Nëse nuk ndërhyhet edhe më keq do të bëhet”, ka thënë për mediat Gjon Shkëmbi.

Përgjegjësi i sigurisë së kishës së Shna Ndout, kërcënon me vetëgjyqësi nëse nuk do të ketë ndërhyrje nga institucionet shtetërore për largimin e tregtarëve ambulantë që sipas tij veprojnë në mënyre të paligjshme.

Në lidhje me përplasjen verbale të ndodhur pak ditë më parë, Drejtoria Vendore e Policisë në Lezhë bën me dije se janë kryer të gjitha veprimet dhe materialet hetimore në lidhje me rastin janë referuar në prokurori