Ekziston në Ministrinë e Brendshme apo në zyrat e policisë një strukturë që bën përgjime ilegale, pra jashtë kontrollit të prokurorisë? Dyshimi lind pas një incidenti të ndodhur të enjten në paradhomën e kryeministrit Berisha.
Sipas burimeve Brenda kryeministrisë të cituara nga gazeta Shekulli, A.A. efektiv i Gardës së Republikës drejtues i një prej togave shoqëruese të funksionarëve të lartë të vendit, ka rrahur nëndrejtorin Kuliçaj. Mësohet se Kuliçaj dhe efektivi i Gardës ishin thirrur të dy në takim nga Sali Berisha pas një raportimi të Kuliçajt mbi disa biseda dhe deklarime të efektivit të Gardës.

Sipas një dëshmitari okular të incidentit të cituar nga gazeta, mes tyre është zhvilluar fillimisht një debat verbal, ku oficeri i Gardës e ka akuzuar Kuliçajn se i ka përgjuar telefonin. Më pas debati ka precipituar dhe dy ushtarakët e lartë janë konfrontuar fizikisht.
Problemi kryesor këtu është motivi i grindjes. A është e mundur që dikush të ketë përgjuar (ilegalisht) bisedat telefonike të oficerit të Gardës siç ka deklaruar ai vetë? Kuliçaj nuk ka bërë ndonjë denoncim mbi dhunën e pësuar dhe kjo gjë ngre dyshimin se në incident nuk kërkohet përfshirja e prokurorisë.

Disa javë më parë Wikileaks publikoi një dossier të pasur që tregon se sa e lehtë është për një strukturë qeveritare të përgjojë ilegalisht jo vetëm telefonatat, por edhe kompjuterat, postën elektronike dhe bisedat private në chat. Shumë ndërmarrje të huaja kanë nxjerrë në treg softëare të sofistikuar dhe teknologji të afta të spiunojnë çdo qytetar me çdo mjet që ai komunikon: i vetmi kusht është që kjo teknologji mund të blihet ekskluzivisht nga struktura shtetërore. Pra duhet të jetë vetëm qeveria e një vendi negociatore dhe blerëse e aparateve. Aparaturat e këtij lloji kushtojnë rreth 100.000 euro e megjithatë asnjë person privat apo ndërmarrje private nuk ka të drejtë t’i blejë edhe pse mund të jenë të pasur.

Pra nëse është e vërtetë që në Shqipëri dikush bën përgjime ilegale, ky “dikush” mund të jetë vetëm qeveria. Për të hedhur poshtë këtë dyshim (që është në kundërshtim me principet e Bashkimit Europian) do të ishte e drejtë të qartësohej publikisht se çfarë ndodhi në paradhomën e kryeministrit dhe për çfarë arsye zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit është goditur nga një oficer i Gardës dhe asnjëri prej të dyve (fajtori i sulmit) të pezullohej nga shërbimi apo të denoncohej në Prokurori.