Sherri Qosja-Kadare
Helena gënjen në libë

Sherri Qosja-Kadare<br />Helena gënjen në libë
Asgjë nga ato që thuhen në librin me kujtime të Helena Kadaresë për një takim timin me bashkëshortin e saj, shkrimtarin Ismail Kadare, në verë të vitit 2005, nuk është e saktë. E tëra është një shtrembërim i së vërtetës, përmbysje e plotë e saj. E vërtetë është vetëm se ky takim ka ndodhur, për arsye krejt të tjera nga ato që thuhen a supozohen aty dhe se ka qenë jo vetëm korrekt, por edhe i përzemërt. “Na kishte ardhur Agim Vinca, një nga dishepujt e Qosjes, për të bërë, si të thuash, ’pajtimin’. Shoqërohej nga botuesi B. Hudhri dhe një shqiptar nga Zvicra. Is, me sa duket, ishte në orët e tij jo të mira, ose u acarua qysh në frazat e para, kur Vinca nisi të thoshte që nuk ishte mirë që ata të dy, ‘baballarët e kombit’, të ishin të zemëruar etj., etj.

Ishin pikërisht epitete të tilla, të cilat ai nuk i duronte dot: baba i kombit, bacë, e të tjera si këto. Shumëkush do ta merrte si shenjë modestie nga ana e tij, apo si shenjë përmbajtjeje, por unë e dija fort mirë se s’kishte të bënte fare me to. Epitete të tilla i dukeshin folklorike. Sapo dëgjova shprehjen ‘baballarët e kombit’ e kuptova se puna do të mbaronte keq. Fytyra e tij mori një shprehje përçmuese.‘Ç’janë këto idiotësira, tha, këto marrëzira, jo baballarë, jo trapër’. Agim Vinca mbeti gojë hapur. Më erdhi keq për të se ishte një nga dashamirësit dhe nuk e meritonte tërë atë furi. Is u ngrit me aq vrull, sa desh përmbysi tryezën. Unë desha të ikja nga veranda për të mos dëgjuar të tjerat. 'Baballarë të kombit, vazhdoi ai nëpër dhëmbë. Unë me…Qosjen'. 'Takimi i pajtimit' mbaroi në mënyrën më katastrofike që mund të përfytyrohej". Kështu shkruan Helena Kadare në librin e saj "Kohë e pamjaftueshme" ("Onufri", Tiranë 2011, f. 564-565), në të cilin ka marrë mundimin të flasë edhe për vizitën time në shtëpinë e tyre verore në Durrës dhe bisedën e zhvilluar me atë rast mes meje dhe bashkëshortit të saj, bisedë kjo në të cilën ajo vetë, siç do të shohim më poshtë, nuk ishte e pranishme. Që Ismail Kadare është natyrë e vështirë, këtë e dinë edhe zogjtë e malit.

Por, në takimin për të cilin e kemi fjalën, për çudi, ai nuk u tregua i tillë. E kujtoj fort mirë atë takim, për të cilin, duke e konsideruar, sigurisht, të rëndësishëm, kam mbajtur edhe një shënim, por nga ato që kujtoj dhe që kam shënuar unë, del krejt ndryshe nga ç'paraqitet në librin e zonjës Kadare. Nuk pati asnjë ngritje të vrulltë nga tryeza, asnjë fjalë të rëndë, asnjë hakërrim.

Asgjë të tillë. Ishte një bisedë krejt normale, madje edhe e përzemërt, me një mospajtim të lehtë për ndonjë çështje të veçantë, madje më shumë se me vetë Kadarenë, me botuesin e tij, i cili, ndryshe nga ç'thotë autorja e librit:"Shoqërohej nga botuesi B. Hudhri dhe një shqiptar nga Zvicra", erdhi shumë kohë pasi kishim shkuar ne, pra na gjeti aty, ndërsa vetë zonja Kadare, vazhdonte të mungonte deri kah fundi, kur zbriti nga kati i sipërm i vilës me ca fletë të shtypura në dorë. Nuk e di, nuk e kuptoj, pse zonja Kadare spekulon, për të mos thënë gënjen, duke e quajtur këtë takim "tentim pajtimi" mes Kadaresë dhe Qosjes dhe duke e paraqitur atë si një takim të rëndë e dramatik, pra të tillë, çfarë ai, në fakt, nuk ishte aspak.

Nuk shkova tek Ismail Kadareja për ta "pajtuar" me Rexhep Qosjen, sepse, tekefundit, ata ende nuk ishin "prishur". Prishja e tyre ndodhi, siç dihet nga të gjithë, një vit më vonë, në 2006-n, kur shpërtheu debati i shumëpërfolur për çështjen e identitetit. Ishte vetë Kadareja, ndërkaq, që insistonte ta orientonte bisedën kah marrëdhëniet e tij me Qosjen, duke më shtruar vazhdimisht pyetjen: "Ç'ka Rexhep Qosja me mua?". Kur e pashë se ku donte të dilte, madje duke marrë shkas nga disa dezinformata që ia kishin servirur të tjetër (servilët e tij), u detyrova t'i them: "Pse më pyetni mua për këtë, zoti Kadare? Pyetni vetë Rexhep Qosjen! Ju jeni miq dhe kolegë.

Uluni dhe sqaroni gjërat (mosmarrëveshjet që keni) dhe mos dëgjoni ç'ju pëshpërisin në vesh të tjerët. Sa më përket mua, mund të them se ju jeni dy njerëz të mëdhenj të kulturës sonë dhe nuk është mirë të grindeni me njëri-tjetrin". Nuk shkova te Kadareja, pra, me "mision pajtimi" dhe as me "porosi" diskrete, siç mund të nënkuptohet nga teksti i cituar më lart (pikë për pikë, edhe me gabimet gjuhësore), por për një arsye krejt të thjeshtë dhe praktike. Një miku im kosovar, që jeton e punon në Zvicër, zotëri Naim Kryeziu, kishte dëshirë ta takonte Kadarenë dhe t'i bënte ftesë për pjesëmarrje në një takim letrar me emrin "Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë" (Internationales Literaturfestival), që mbahet për çdo vjeshtë në Bazel.

Personi në fjalë, magjistër i letërsisë dhe përkthyes letrar nga gjermanishtja në shqip dhe anasjelltas, ishte i autorizuar për këtë nga drejtoria e festivalit dhe dëshironte ta njoftonte me kohë, pra disa muaj më parë, Kadarenë për ftesën dhe të merrte, mundësisht, edhe pëlqimin e tij për pjesëmarrje. I kishte premtuar se do t'ia bënte të mundur takimin me shkrimtarin një gazetare e Radio-Tiranës, e cila, pasi e sorollati nja dy ditë nëpër rrugët e Tiranës dhe plazhin e Durrësit, i tha se Kadareja nuk ishte në Shqipëri. Kur miku im u bind se nëpërmjet mikeshës së tij nuk mund të arrinte te Kadareja, e mora vetë përsipër këtë punë. U lidha me telefon me Kadarenë dhe ia shfaqa dëshirën e mikut tim. Ai jo vetëm që e mirëpriti thirrjen, por na ftoi në shtëpinë e tij te Mali i Robit, ku gjendej aktualisht, duke më dhënë udhëzime të hollësishme
nëpërmjet telefonit se si mund të arrihej sa më lehtë aty. Sikur zoti Kadare të kishte shprehur edhe më të voglën rezervë për atë vizitë, unë nuk do të kisha shkuar kurrsesi. Por ishte krejt e kundërta; ai thuajse mezi e kishte pritur telefonatën. Na priti vetëm, në verandë dhe, me përjashtim të gruas (shërbyeses) që na solli kafenë, për një kohë (rreth gjysmë ore, në mos më shumë) nuk pamë tjetër njeri pos tij, ndërkohë që e zonja e shtëpisë, bashkëshortja e shkrimtarit, siç na tha vetë ai, po shtypte në kompjuter një intervistë të tij.

Dëshira për të ditur se ç'kishte Rexhep Qosja me të, që u shfaq pothuajse që në fillim të bisedës, u përsërit edhe në vazhdim, duke u konkretizuar paksa. "Më ka kritikuar te ai libri për Rambujenë!" - tha. Shihej qartë se nuk e kishte parë e as lexuar librin, por fliste në bazë të asaj që i kishin thënë të tjerët, servilët dhe mediokrit që sillen rreth tij, duke iu vardisur paturpësisht, njësoj siç bëjnë sivllezërit dhe simotrat e tyre në Prishtinë me Qosjen. "Nuk është e vërtetë" - i thashë. "Në dy-tre raste që të përmend, flet për ty me respekt e simpati". "Po tek ai tjetri!". E hidhte fjalën, sigurisht, te ditari i luftës, "Tronditja e shekullit". "As tek ai tjetri jo", i them. "As aty nuk ka asnjë fjalë të keqe për ty". "Po te një i tretë, atëherë", ngul këmbë. "Eh, tek i treti po" - dorëzohem unë. "I treti" ishte një artikull i Qosjes, në të cilin ai thoshte se Ismail Kadare po e retushon jetëshkrimin dhe veprën e tij. Ja tek erdhëm, më në fund, në "cak". "Po pse, pse e bën këtë? A është fjala për xhelozi krijuese apo çka?" - pyet me ngulm. Nuk i përgjigjem.

Duke e parandier stuhinë që do të shpërthente pa kaluar shumë kohë midis tyre, me fajin e të dyve, siç do të pohojë vetë Kadareja më vonë, i them përsëri se nuk është mirë që ata të dy të përplasen me njëri-tjetrin. Të njëjtën gjë ia kisha thënë sa e sa herë në Prishtinë edhe Qosjes, madje shumë më rreptë se Kadaresë, por pa sukses. "Nuk kam ardhur të flas me ju për këtë temë", i them, "por edhe nëse do të flisja, do të doja kur të jemi vetëm, pa praninë e të tjerëve". Ndërkohë, në vilën e Kadaresë ka arritur botuesi i tij, Bujar Hudhri, i cili i bashkohet kuvendit.

Nuk e di a kishte qenë aty pari apo ia behu nga Tirana, por tani edhe ai ulet me ne rreth tryezës dhe bëhet pjesë e bisedës, duke e trazuar paksa rrjedhën e saj përgjithësisht të qetë. Duke dashur t'ia mbajë anën Kadaresë, Hudhri ndërhyn në bisedë pa takt. "Ti flet kështu, sepse e ke inat Rugovën!" - më drejtohet mua. Pikërisht me këto fjalë! Pata debatuar pak më parë me të për zhvillimet në Kosovë, përfshirë edhe ndërtimin e Katedrales në themelet e Gjimnazit "Xhevdet Doda" në Prishtinë, duke kontestuar të drejtën e njeriut që e quan veten "president" që ta caktojë vetë lokacionin e saj, pa lejen e organeve kompetente. Kadareja gjatë kësaj kohe heshtte. Nuk fliste. Vetëm nënqeshte ngapak. Por, kur botuesi i tij m'u drejtua mua me fjalët: "Ti flet kështu, sepse e ke inat Filanin!", i zoti i shtëpisë shqiptoi frazën: "Degradoi muhabeti!".

Ky mund të quhet i vetmi detaj disonant i takimit te Mali i Robit dhe unë nuk do të isha i sinqertë me veten dhe lexuesin po të mos e përmendja me këtë rast. Gjatë gjithë kohës, sa zhvillohej biseda, zonja Kadare nuk ishte me ne në tryezë. Portretit tonë në grup prej katër burrash i mungonte vetëm dama, e cila vazhdonte ende shtypjen e intervistës në katin e dytë të vilës. Zbriti pasi e kreu për t'ia dhënë të shoqit ta shihte të shtypur në letër dhe për t'u përshëndetur me ne. Ai e mori dhe pasi i hodhi një sy, më tha se në atë intervistë fliste edhe për Kosovën dhe, madje, edhe më lexoi një paragraf. Mjafton vetëm ky fakt për të dëshmuar të kundërtën e asaj që thotë zonja Kadare: "Is u ngrit me aq vrull, sa desh përmbysi tryezën", kurse ajo vetë paskësh dashur "të ikte nga veranda për të mos dëgjuar të tjerat". (E si të ikte, vallë, kur nuk ishte fare aty?!) .

Krejt ndryshe nga ç'paraqitet në librine të shoqes, atë ditë Kadareja, jo vetëm që nuk shfaqi shenja nervozizmi, por, përkundrazi, m'u duk më i butë e më tolerant se ç'e prisja. Duke përfituar nga kjo "klimë" i pata thënë, në bisedë e sipër, se nuk bëri mirë që shkoi te Rugova gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 2002 dhe aq më pak që, në njëfarë mënyre, kërkoi falje për kritikat që ia kishte bërë atij në vitet '90 dhe sidomos në vitin 1999, pas shkuarjes në Beograd. Kadareja tha se tani ai ishte "president legjitim", "i zgjedhur nga parlamenti", gjë që ishte e vërtetë. Mirëpo, shkrimtari i madh i kombit nuk duhej të shkonte në audiencë tek njeriu që jo më larg se dy vjet më parë e kishte quajtur "njeri që s'ka asnjë tronditje për gjëmën që i ka ndodhur popullit të vet" dhe "njeri që nuk di të shprehë dhimbje, por di vetëm të qeshë", duke mos kërkuar prej tij të sillej si hero, por të bënte sëpaku një veprim të thjeshtë njerëzor: "të ngrysej pak" në takimin me Millosheviqin, në prill të vitit 1999, kur u zu "peng",por edhe një vit më parë, më 15 maj 1998, kur shkoi në Beograd si qytetar i lirë në krye të delegacionit shqiptar prej pesë vetash. Pamja që përshkoi botën me atë rast ishte: lideri i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke qeshur me hov në zyrën e Millosheviqit, aq sa tundej kolltuku nga gazi i tij! "Aha, kjo na qenka!", tha Kadareja, duke u kthyer prapë tek Qosja, sepse iu duk se zbuloi shkakun e zemërimit të tij me të dhe sakaq shtoi: "Po unë nuk bëra asnjë deklaratë politike gjatë asaj vizite". "Nuk e di. Unë isha në Paris ato ditë dhe ktheja shpesh në Le Rostand, ku vendin tënd e gjeja bosh", thashë si me shaka, ngaqë s'doja ta teproja.

Edhe një njeri tjetër u zu në gojë gjatë bisedës me Kadarenë: Adem Demaçi. Duke përfituar nga rasti, i thashë Kadaresë se te ditari i tij për Kosovën, "Ra ky mort e u pamë", e kishte rënduar sëtepërmi Demaçin, duke e quajtur "marksist- leninist i pandreqshëm" dhe "njeri pa atdhe", kurse ai u arsyetua se ashtu i paskësh rezultuar nga një intervistë e tij dhënë TV francez gjatë kohës së bombardimeve. (Nuk e di a është rezultat i "vërejtjes" sime apo i reflektimit të tyre- nuk përjashtohet mundësia të jetë edhe kalkulim, por vërej se Kadarenjtë e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre ndaj "Bacës". Letra e tij e hapur drejtuar Kadaresë me rastin e largimit të tij nga Shqipëria në vitin 1990, është komentuar gjerësisht në libër, kurse në albumin e fotografive figuron edhe një foto e çiftit Kadare me Demaçin në mes, bërë në Paris në vitin 1991). As pas këtyre dy "vërejtjeve" të mia, nuk pati reagime negative nga ana e tij. Kadareja kishte njëqind arsye të sillej mirë me mua, njeriun që i kishtebërë aq shumë shërbime veprës së tij - pa asnjë interes - dhe ashtu u soll në takimin në vilën e tij te Mali i Robit,në verë të vitit 2005. Kisha shkruar me dhjetëra artikuj për veprën e tij, të cilën e kisha vlerësuarlart, ashtu siç vazhdoj ta vlerësoj edhe sot, përfshirë edhe atë për veprën e tij të plotë botuar nga "Fayard"-i në Paris. E ligjëroja në dy universitete, në atë të Prishtinës dhe të Tetovës, në njërin nga të cilët për më se tridhjetë vjet. Kisha lejuar dhe udhëhequr në cilësinë e mentorit me dhjetëra punime diplome, magjistrature e doktorate për veprën e tij të gjerë dhe të larmishme (disa ende janë në proces).

Kisha marrë pjesë në sa e sa konferenca shkencore kushtuar veprës së tij në Tiranë, në Prishtinë, në Gjirokastër etj. Në nëntor të vitit 2003, pra më pak se dy vjet më parë, kur Kadareja u shpall "Doktor Nderi" i Universitetit të Prishtinës, kisha mbajtur fjalën e laudatorit në sallën solemne të Fakultetit Filologjik, me ç'rast veprën e tij e kisha quajtur "emblemë e kulturës kombëtare" dhe "bibël nacionale". Kisha polemizuar për të me Kasëm Trebeshinën, shkrimtarin e persekutuar dhe disident, të cilit ai i kishte hyrë në hak, ashtu si shumë të tjerëve dhe e kisha marrë në mbrojtje nga sulmet që i bëheshin dhe vazhdojnë t'i bëhen, brenda dhe jashtë, sidomos në prag të marrjes së vendimit për Çmimin Nobel, duke e quajtur "shkrimtar të oborrit" etj. Edhe të qenit "dishepull i Qosjes", "një nga dishepujt e tij", sado që ky s'është veçse një paragjykim, nuk ishte pa rëndësi. Kadareja nuk ishte atëbotë dhe, me ç'shihet, nuk është as sot i interesuar t'i keqësojë marrëdhëniet me Qosjen. Përse? Ngaqë Zeusi Kadare duket i frikësohet ballafaqimit me rivalin e tij kosovar. Si shpjegohet ndryshe fakti që në gjithë atë libër të Helenës ka vetëm një faqe për Qosjen, aq sa edhe për mua dhe shumë më pak se për shumë të tjerë, "të mëdhenj" e "të vegjël", "të fajshëm" e "të pafajshëm".

Ndërkaq, unë i marri, isha zënë sa e sa herë me "idhullin" tim në Prishtinë për shkak të tij, duke e marrë në mbrojtje veprën e tij dhe duke u përpjekur t'i arsyetoj veprimet e tij. Duhet të jesh tepër egoist dhe mosmirënjohës që t'i harrosh dhe, madje, edhe t'i shkelmosh të gjitha këto. Dhe, e para, në mos edhe kryesorja, ngaqë ai duket i kushton shumë rëndësi kësaj pune, kurrë deri atëherë nuk kisha shqiptuar ndonjë fjalë të keqe për Is-in, si e quan Helena në librin e saj ose "Isën", si e quajti këto ditë shtypi kosovar. ("Helena rrëfen jetën me Isën", "Zëri", Prishtinë, 2 nëntor 2011).

S'kishte asnjë arsye që të më vërsulej dhe të më priste me këmbët e para zoti Kadare në shtëpinë e tij, ku unë isha mysafir, duke më fyer e përulur, siç dëshmon rrejshëm bashkëshortja e tij, në të vërtetë ai vetë. Fundja, ne u ndamë si miq atë ditë dhe fjalët e fundit që dëgjuam nga goja e tij: "Të fala miqve!", i morëm si një mesazh paqësor, për t'i shpërndarë dashamirësisht në Kosovë e diasporë. Se ç'ka ndodhur më vonë, pas largimit tonë, në atë shtëpi, unë nuk e di dhe as që më intereson, por sa qemë ne aty, unë dhe miku im nga Zvicra, nuk pat asgjë, ama bash asgjë nga profkat e tanishme. Jo "marrëzira", jo "idiotësira"; jo "trapër", jo "baballarë", jo "më erdhi keq se ishte një nga dashamirësit dhe nuk e meritonte tërë atë furi". Të gjitha janë pjellë e fantazisë! Po tani? Tani ndryshon puna.

Në librin tim "(Po)etika e fjalës" (2010), krahas shkrimeve vlerësuese për Kadarenë dhe veprën e tij, ka edhe nja dy-tri sosh, në të cilat unë shprehi mospajtimin tim me ndonjë paraqitje publike të tij, çfarë ishte, fjala vjen, ajo në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në vitin 2006, ku Kadareja tha, publikisht, në takimin me studentë, se Rexhep Qosja "duhet të shkojë te psikiatri" dhe sidomos në ceremoninë e marrjes së Çmimit "Princi i Asturiasit" në Spanjë në 2009-n, ku laureati shqiptar, duke folur për "Don Kishotin", e shmangu emrin e përkthyesit të kësaj vepre në gjuhën shqipe dhe të popullarizuesit të këtij personazhi jetik ndër shqiptarë, Fan S. Nolit, për të mos i mbetur hatri familjes mbretërore, që favoriti i saj fliste në praninë e tyre për një "mbretpërmbysës"! Konsideroj se këto dy shkrime dhe sidomos i dyti, që botohet për herë të parë në libër, duhet të jenë bërë shkas i zemërimit të Kadaresë ndaj meje dhe i goditjes së ulët e tinëzare që më bën tani me dorën e së shoqes. Nuk di si ta shpjegoj ndryshe paraqitjen fyese, sado të rreme, të takimit tim me burrin e saj, Ismail Kadarenë, në librin me kujtime të Helena Kadaresë, "Kohë e pamjaftueshme", që po bëhet një bestseller në kuptimin e keq të fjalës, për të mos thënë edhe një skandal publik. Në qoftë se edhe dëshmitë e tjera për marrëdhëniet e Kadaresë me njerëzit janë të stisura e shpifëse si kjo për mua, qoftë edhe në masë shumëfish më të vogël, atëherë vaj halli për vlerën e këtij libri dhe moralin e autores së saj, në të vërtetë të autorëve të tij!

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Rasti i Onkologjikut dhe një rast nga SHBA - Si u dënua mjeku me 45 vjet burg

Rasti i Onkologjikut dhe një rast nga SHBA - Si u dënua mjeku me 45 vjet burg