E them që në fillim se nuk pajtohem me disa nga opinionet që trumbetojnë gazetarë e analistë të ndryshëm sipas të cilëve sheshi “Skënderbej” na paska qenë një mrekulli e arkitekturës në të kaluarën (nënkupto para Luftës II Botërore) dhe me kalimin e viteve vetëm qenka shkatërruar. Veçanërisht habitem kur përmendet pazari i vjetër i Tiranës, një katrahurë e vërtetë anadollake me qerpiç e pisllëk që nuk do ja vlente të ruhej edhe sikur të ishte i tëri prej guri e jo më siç ishte prej llamarinash. As kafe “Kursali”, apo Bashkia e vjetër dhe rruga e Barrikadave, të cilat brezi im i ka arritur dhe mban mend mirë, nuk mendoj se kanë patur ndonjë arkitekturë dinjitoze për një kryeqytet europian e shumta mund të thuhet që jepnin pamjen e një sheshi të një qyteti provincial e asgjë më tepër. Kushdo që i idealizon ato ndërtime mendoj se shfaq mangësi analitike dhe ndoshta është i verbuar nga urrejtja dhe i yshtur vetëm për të hedhur poshtë çdo gjë që është realizuar në Shqipëri pas vitit 1945. Unë mendoj se duhet ti shohim me paanësi ndryshimet që kanë ndodhur gjatë viteve në sheshin “Skënderbej”. Nuk duhen parë me syzet pesimiste dhe politiko-ideologjike sepse atëherë nuk do arrinim kurë të ishim objektivë në gjykimet tona. Sipas meje ndryshimet që ka pësuar qendra historike e Tiranës kanë qenë përgjithësisht pozitive. Ato ndryshime, fryt i punës së shumë arkitektëve, e kanë kthyer sheshin “Skënderbej” në një hapësirë dinjitoze për një kryeqytet, i kanë dhënë rëndësi, hapësirë, madhështi. Megjithatë në disa raste nuk duhet mohuar se ka dhe ndërtesa që janë jo shumë të arritura nga ana arkitektonike si Muzeu Historik Kombëtar që është pika më e dobët e sheshit nga ana e harmonizimit me pjesët e tjera. Muzeu është fryt tërësor i arkitekturës së soc-realizmit dhe si rrjedhojë nuk arrin të krijojë asnjë emocion nga ana arkitektonike. Ndërsa në rastin e Pallatit të Kulturës më duket i tepruar denigrimi që i bëhet kësaj ndërtese e cila nuk mund të thuhet se ka ndonjë arkitekturë të jashtëzakonshme por nga ana tjetër mund të pohoj pa frikë se ka shumë ndërtesa të të njëjtit stil në kryeqytetet e botës që përkufizohen si të “mrekullueshme”, sjell këtu rastin e Qendrës Linkoln në Nju Jork, e cila ka pothuaj të njëjtën pamje arkitektonike me kolonat e bardha dhe me xhama nga pas, njëlloj si Pallati i Kulturës në Tiranë (Fig 1). Gjatë gjithë viteve të mia në SHBA kurrë nuk kam dëgjuar njeri që ta quajë Qendrën Linkoln “kompleks arkitektonik i shëmtuar” përkundrazi lëvdohet e mbahet si diçka shumë e arritur. E pra po të shikosh Pallatin tonë të kulturës nuk ka ndonjë ndryshim të madh, megjithatë ky i fundit denigrohet në të gjitha shkrimet që kam lexuar. Mendoj se ka ardhur koha të pushojmë së denigruari punën e brezave të tërë dhe të përqendrohemi në freskimin dhe prurjen në shekullin e XXI të sheshit në fjalë duke e bërë koherent me ndryshime e rregullime që pasi të jenë propozuar nga arkitektë, artistë, intelektualë dhe specialistë në mënyrë transparente, të aprovohen pastaj nga të gjithë qytetarët me referendum.
Megjithatë duke parë mungesën e vizionit dhe duke ndjerë rrezikun e tjetërsimit të Sheshit të kombit, duke parë që reagimi ka qenë shumë i vakët dhe pa ide, mendova të hedh këto mendime që sadopak shpresoj të ndezin debatin profesional për të arritur më të mirën për sheshin e qytetit dhe kombit tonë.
Kam kaluar vite të tëra në Sheshin “Skënderbej” pasi kam patur fatin të banoj vetëm 50 metra larg tij. E njoh me pëllëmbë dhe kam fiksuar të gjitha ndjesitë që kam marrë në qëndrimin në të në orë të ndryshme të ditës, në stinë të ndryshme të vitit, në kohë me diell, me re, me shi e me stuhi, në mëngjes herët e në mes të zhegut të ditës, në mbrëmjet me perëndimet e bukura pranë shatërvanëve dhe në netët e ftohta të dimrit, gjatë koncerteve apo shfaqjeve artistike dhe gjatë mitingjeve politike, mitingjeve historike, ose paradave festive. Të gjitha i kam analizuar dhe jam munduar të gjej zgjidhjet më efikase që ky shesh i mrekullueshëm të transformohet në një vend tërheqës dhe komod, të bukur dhe funksional duke u bërë qendra e vërtetë e Tiranës dhe e Shqipërisë. Kjo arrihet duke patur parasysh tre pika të qarta referimi dhe ndryshimi të cilat janë 1- Volumi dhe Estetika, 2- Funksionaliteti, 3- Identiteti. Po si t’i implementojmë këto?
Volumi dhe estetika
1 -Mangësia më e madhe e Sheshit “Skënderbej” është fakti që ky shesh ka mbetur për vite të tëra i pambyllur nga ana perëndimore, me fjalë të tjera ka qenë si një shtëpi me tre mure, të cilit i ka munguar gjithmonë muri i katërt, kjo ka bërë që të gjithë të kenë iluzionin se është një shesh shumë i madh, jo funksional dhe i papërshtatshëm. E kam thënë edhe më parë se nuk ka asgjë të keqe tek madhësia e sheshit, e keqja qëndron tek fakti që mungon ndërtesa përmbyllëse nga ana perëndimore që do ta kufizonte dhe do ta balanconte të gjithë sheshin duke e prurë në një hapësirë të pranueshme nga ana volumore dhe pamore. Por arritja e këtij pikësynimi ka një vështirësi themelore; nëse kjo ndërtesë nuk do ishte e harmonizuar nga ana arkitektonike, nga ana volumore dhe pamore me pjesët e tjera të patjetërsueshme, atëherë ajo shumë lehtë mund të bëhej delja e zezë që do shkatërronte gjithçka.
Unë propozoj që në hapësirën midis Bankës së Shqipërisë dhe Muzeut Historik Kombëtar të ngrihet Muzeu i Artit Modern me një strukturë të veçantë që do përbëhej nga katër elementët thelbësorë arkitektonikë, cilindri, kubi, sfera dhe koni. Të gjitha këto forma të ndërthurura me njëra-tjetrën do simbolizojnë ngjyrën, volumin, hapësirën. Të gjithë strukturën e imagjinoj të vendosur mbi një sipërfaqe uji e cila me reflektimin e saj do të krijojë idenë e një tempulli të arteve, do t’i përngjajë një kështjelle antike të rrethuar nga uji. Hyrja në këtë kompleks që do të përfshijë salla për ekspozita të artit modern, kinema dhe teatër do të jetë poshtë sipërfaqes së ujit, (në pamjen bashkangjitur mund të shikoni shkallët që futen poshtë nën ujë në pjesën e përparme) që do lidhen edhe me sistemin e qarkullimit të këmbësorëve nën shesh. Sigurisht ky është vetëm një propozim dhe më pas mund të përshtatet me gjetje edhe më të veçanta. Ndërkohë godina mbrapa këtij Muzeu të Artit Modern mund të jetë një qendër e madhe biznesi, vetëm në këtë rast kjo zgjidhej justifikohet pasi sheshi në vetvete do ketë marrë formë përfundimtare si qendër e arteve dhe trashëgimisë historike. Kjo qendër biznesi do jetë një strukturë ndihmëse dhe mbështetëse që i jep një përmbyllje sheshit pa u bërë shumë okupuese në volum siç do ishte një qiellgërvishtës. E gjithë kjo ndërtesë e dytë e veshur me xhama blu që do reflektojnë qiellin edhe në ditët e vrenjtura përsëri do t’i japin një ngjyrë sheshit në tërësi. Kjo ndërtesë me xhama në ngjyrë blu që do të theksojnë kontrastin mes figurave cilindrike të bardha dhe sferës e cila do të jetë me ngjyrë të artë, e vetmja që simbolizon ngjyrën, në vetvete do të japë kombinimin e mrekullueshëm të qiellit, me ujin, me blunë dhe me zjarrin që është sfera e artë. Ndërtesa blu nuk do jetë më e lartë se 25 metra dhe do ketë ndarje të çrregullta të xhamave me vija që e përshkojnë gjithë fasadën e saj të xhamtë në mënyrë jo simetrike. Funksioni i saj si qendër biznesi nuk do ndryshojë por vetëm disa parametra si në rastin e lartësisë unë do t’i quaja të domosdoshëm të ishin të ulura pasi një ndërtesë e lartë do të shkatërronte gjithë ekuilibrin e ndërtesave që tashmë janë në sheshin Skënderbej, siç është Muzeu Kombëtar, Banka e Shqipërisë (me të cilën cilindri do krijonte një përsëritje dhe shkrirje natyrale), Teatri i Operës dhe kompleksi i Ministrive. Me këtë i jepet zgjidhje problemit të parë që shtrova më sipër anës estetike dhe volumore.
Funksionaliteti
Tani të vijmë tek problemi i dytë, - funksionaliteti.
2 - E pres me ëndje ditën kur sheshi “Skënderbej” do të kthehet në shesh këmbësorësh, por kjo mund të arrihet vetëm atëherë kur të jenë implementuar të gjitha akset rrugore të kryeqytetit duke i krijuar një rrjedhshmëri trafikut të automjetve dhe kjo mund të arrihet me hapjen e akseve prej Muzeut Kombëtar deri në fund tek sheshi i Tiranës së re, aksi i dytë Sheshi para “Partizanit të panjohur” e deri tek stadiumi “Qemal Stafa” dhe aksi më kryesor që do ta lironte përfundimisht trafikun e kryeqytetit do ishte lidhja e akseve të mësipërme me një tunel nga stadiumi “QS” deri tek ish-Kopshti Botanik duke kaluar nëpërmjet Parkut Kombëtar të Liqenit pas Universitetit të Tiranës. Megjithatë jam i ndërgjegjshëm që të gjitha këto propozime janë objekt i një studimi tjetër. Le të kthehemi tek sheshi ynë, që ai të kthehet vërtetë në funksionalitet unë propozoj që të shfrytëzohet hapësira nëntokësore e tij. Meqenëse Tirana e ka të domosdoshme një linjë metroje unë mendoj se do ishte ideale që të ndërtohej që tani stacioni qendror i metrosë poshtë sheshit “Skënderbej” duke e kthyer në një pikë kalimi nëntokësor për të gjithë këmbësorët. Propozoj që të ndërtohet një labirint nëntokësor me rrugëkalime dhe dyqane e shatërvanë nën sheshin aktual duke i dhënë mundësi qytetarëve që të kalojnë nga njëra pikë e sheshit tek tjetra pa qenë nevoja që të ekspozohen ndaj efekteve të motit, shiut në dimër dhe temperaturave e larta gjatë verës.
Përse e bëj këtë propozim? Sepse mendoj që çfarëdo zgjidhje tjetër me pemë të mbjella në shesh ose edhe me tenda do ta shëmtonte qendrën nga ana estetike, do bënte që ajo të humbte gjithë bukurinë dhe madhështinë e një sheshi të hapur me ajër dhe jetë. Zgjidhja që unë propozoj është rindërtimi i pazarit karakteristik të Tiranës pikërisht nën sheshin “Skënderbej”, me dyqane e restorante si dhe më kryesorja, me rrugët e kalimit që do ta përshkojnë sheshin nga njëri cep në tjetrin duke i dhënë mundësi këmbësorëve të ecin lirshëm. Kjo do eleminojë problemin artificial të hijeve në shesh sepse gjithçka do jetë nën tokë me ajër të kondicionuar dhe me konvejerë të sheshtë si në aeroporte. E kemi të gjithë të qartë se një ditë do duhet të ndërtojmë metronë dhe qendra e takimit të të gjitha linjave të metrosë patjetër që do jetë në këtë shesh. Përse atëherë të mos e integrojmë stacionin qendror të metrosë së Tiranës me një Pazar nëntokësor që do t’i japë zgjidhje përfundimtare rigjallërimit? Vizioni im për këtë projekt përputhet më së miri me kahjen e lëvizjes së njerëzve në qendrën e Tiranës dhe vjen si rezultat i studimit dhe reflektimit për vite me radhë të problemeve, duke i parë me sy kritik mangësitë duke kërkuar gjithmonë mundësi të zgjidhjeve sa më optimale. Pra, duke krijuar një “pazar” nën sheshin aktual i çlirojmë përfundimisht këmbësorët nga tortura e ecjes herë në mes të diellit dhe vapës e herë mes shiut dhe të ftohtit. Ky vizion ndjek edhe lëvizjen organike të njerëzve dhe pa pengesa në mënyrë diagonale nga njëri cep në tjetrin gjë që mund të arrihet me disa hyrje në pikat strategjike të sheshit si psh. një hyrje mund të jetë tek fillimi i rrugës së Durrësit me diagonalen nën shesh deri tek lulishtja përpara Sahatit të Madh. Hyrja tjetër nën tokë si në metrotë e gjithë vendeve të tjera të botës mund të ishte tek pallati i parë i Rrugës së Kavajës me një diagonale lëvizjeje të natyrshme deri tek Hotel Tirana. E gjithë lëvizja do kryhej nën tokë me ajër të kondicionuar duke kaluar përmes dyqaneve duke u ndihmuar edhe nga konvejerët e sheshtë që transportojnë këmbësorët pa mundimin e ecjes deri në anën e dëshiruar. Dhe në dalje të shoqëruar me shkallë elektrike që lehtësojnë shumë lëvizjen lart e poshtë.
Identiteti
Tashmë, le të thellohemi tek pika e fundit e planit tonë, ajo e identitetit.
3 - Eshtë mëse e qartë për të gjithë që sheshi “Skënderbej” ka një balancë të përcaktuar qartë ngjyrore që është e bardha e Pallatit të Kulturës, e bardha e Muzeut Kombëtar me xhamat e zi, e bardha e xhamisë, e bardha e Hotel Tiranës, e kuqërremta e Bankës së Shqipërisë dhe ngjyra e verdhë dhe kuqërremtë e kompleksit të Ministrive. Unë mendoj se identiteti i sheshit duhet te përqendrohet në këto ngjyra dhe në vijimësi duke u bazuar në sa thashë më sipër mendoj që fasada e Pallatit te Kulturës me një ndërhyje të thjeshtë dhe jo shumë të kushtueshme në pjesën e brendshme të vishet me një vetratë me xham të zi, gjë që do eliminonte me një të rënë të gjitha mangësitë që shfaq mermeri i kuq i dalë boje, dritaret alumin të dala mode dhe gjithçka do sillej në kohë duke bërë që të dalë në pah kollonata e mermerit të bardhë. Duhen riparuar dhe krijuar një vazhdimësi të shkallëve në gjithë gjatësinë e tyre përpara Pallatit të Kulturës. Gjithashtu edhe ambientet e Pallatit të Kulturës të mos jenë më agjenci turistike dhe shërbimesh të tjera por një Muze i Etnografisë që do tërheqë me qindra vizitorë vendas dhe të huaj duke e kthyer qendrën historike të Tiranës në një qendër të vërtetë të historisë dhe kulturës me kompleksin e Operës, Bibliotekën Kombëtare, Muzeun Historik dhe Muzeun e Artit Modern, me kinema, me qendër nëntokësore dhe me Muzeun e Etnografisë. Pra arrihet edhe kthimi përfundimtar në identitet duke e gjallëruar qendrën e kryeqytetit. Edhe për mozaikun në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar ashtu si shumë artistë të tjerë unë mendoj se nuk ka ndonjë vlerë artistike. Jam në dijeni të debatit që pati disa vjet më parë për këtë vepër, ku disa mbronin idenë e ruajtjes dhe disa heqjen e tij. Në gjykimin tim mbështetem në dy momente themelore. Ky mozaik është pjesë sipërfaqësore e Muzeut. Nëse shtrojmë pyetjen se çfarë plusi estetik ky mozaik ka në kontekstin e ballinës unë mendoj që nuk i shton asgjë asaj balline, nuk ka asnjë të mirë. Ai thjeshtë thekson stilin e realizmin socialist që ka vetë arkitektura e kësaj godine dhe na fut në një frymë të revolucionit kulturor kinez. Mendoj se është më mirë që të çmontohet dhe të vendoset në ambientet e brendshme të Muzeut dhe në vend të këtij mozaiku të vihet një basoreliev mermeri që do zgjidhet me konkurs se kush do ta realizojë, i cili me ngjyrën e bardhë mund të shkrihet shumë më mirë me ngjyrat e gjithë sheshit. Nuk kam asnjë kundërshtim që basorelievi të jetë tërësisht në stilin realist, mjafton që të shpëtojmë nga kinezëria e mozaikut që i jep një vulë shumë të keqe gjithë sheshit “Skënderbej”.
Jam i ndërgjegjshëm që gjithë këto propozime do kërkojnë kohë të thellohen, aprovohen e më pas të implementohen në skenën e madhe të kryeqytetit. Megjithatë dëshira ime e vetme është që Tirana të ketë një qendër historike dinjitoze për të na nderuar të gjithëve, të shpresojmë që kjo dëshirë të bëhet realitet.