Shëtitje

Shëtitje

Llafazanë, dembelë, shpifarakë, intrigantë, hipokritë, dallkaukë, rroça, poça, pyka, tyça, tyta; mblidhuni dhe ejani të shetisim nëpër Shqipëri. Ngadalë si gjarpri. Shtrembër si drapëri. Shpejt si drita. Drejt si shigjeta. Teposhtë si rrufeja. Do vemi në disa vende ku do j’u laget syri dhe do j’u hallakatet mendja. Mos merrni me vete shami. Lotët do t’i fshini si ka thënë Poeti; me duar ! As aspirina, paracetamola, antidepresiva, se prishet magjia. Gjatë shetitjes do shihni kodra të bukura dhe fusha të mbjella rrethuar nga korije si bizhu’ të jeshilta me të ikë mendja.

Do kaloni mes malesh të egër që do j’u kallin frikën këndshëm. Do bëni foto mbi liqere të kaltra ku në muzg pasqyrohet Luna. Do flisni me fshatarë që do na tregojnë halle me ndërlikime të pa besueshme por të vërteta, që s’i rrok mendja. Do kuvendoni me vejusha veshur me të zeza që do j’u tregojnë për burrat e vrarë për hiç gjë me një mijë mënyra. Do futeni në Kisha të vjetra me mure me myshk, rrethuar me qipariza dhe vorreza ku natën vërtiten fantazma. Do hyni nëpër shtëpira ku, të përkulura me tabaka në dorë, gotën me dhallë do t’ua sjellin katundarka që buzëqeshin si Monaliza. Do kuvëndoni me pleq me sy të thellë dhe rrudha, veshur me xhaketa dhe kapele të vjetra, që nuk duan të dinë sa është ora. Duke ikur e duke fshirë lotët me duar, do bindeni se udhëtimi nëpër Shqipëri, s’ka asgjë nga ngrënia dhe pirja, por vetëm dehja.

Në veri do shihni shqiptarë të egër dhe të hapur që e kanë po aq të lehtë t’ju vrasin në çast, sa edhe t’ju bëjnë mik për kokë. Në jug do jenë më të butë por më të mbyllur. Por edhe ata, për të njëjtat arësye të errëta, j’a do t’ju bëjnë mik për kok’ në çast, ose j’a do t’ju vrasin në vend. Do hyni nëpër supermerkata brenda të cilëve nuk do gjeni duke psonisur si në gjithë botën, popullin, por elitën. Do kaloni nëpër fshatra të internuarish ku ka ende të leckosur shpresë humbur, jetët e shkatërruara të të cilëve vazhdojnë të rrotullohen pafund nëpër spiralet konfuze të fatit të tyre të zi më çmendurisht se gjethet e vjeshtës kur i merr era.

Në një lokal që quhet “Bar Kafe Hardhija”, do hani kos nga ay që pritet me thikë. Mbi derën e një dyqani katundi do shihni një copë letër mbi të cilën është shkruar; “Ofrojmë matje tensioni”. Diku në Myzeqe do takoni një blektor që rrit buallica qumështin e të cilave e çon e shet çdo ditë me aeroplan në Londër. Kur të keni ndalur për tu shplodhur pak në një lokal që quhet; “Restorant Jonxha” njëri do më pyesi mua; Ku i ke psonisur këta budallenj o flori ?! Në raste të tilla, që juve të mos u mbetet qefi, unë do bëj sikur s’do dëgjoj. Në të dalë të Cërrikut drejt Belshit, gjatë një rruge që të shpje në Kuçovë, që ju nuk e dini fare se ajo rrugë ekziston, do ndeshemi me disa merhumër të cilët kohën kur kanë bërë ushtrinë e mbajnë për periudhën më të ndritur të jetës, dhe me këtë mburren.

Fill pas tyre, në një vend të hatashëm plot liqere dhe lëndina, do na presë rrugën një fytyrëvrerosur me një Benz të madh, i cili, me një zë rënkimtar, do t’u ankohet se bën disa biznese agroblegtorale, dhe e mbajnë për më të pasurin, por në fakt është më i varfëri i të tërëve, sepse u ka miliona borxh bankave. Duke kaluar pranë qyteteve, ju që celularët s’i shqitni nga dora, do shkriheni tue u qesh kur në ekranet e aparateve do j’u çfaqen Uajrlesa si; “TofikuNet”, “HajdariCom” apo “MuhametiMobile”. Gjatë kësaj shetitjeje ju do rrini urtë dhe nuk do më thoni mua ule zërin. Unë do bëj si di. Shqiptarëve do j’u thërras me sa të kem në kokë. Në këto raste, ju që s’keni fare ide si janë shqiptarët, do vini re me çudi’ se nga e bërtitura ime jo vetëm nuk do mërzitet askush, por do mbeten të gjithë të kënaqur. Kjo do ndodhi sepse unë këtë mënyrë komunikimi me të bërtitura e kam ngritur në Art.
Ejani pra ta bëjmë këtë shetitje. Se në fund, si gjithmonë, përsëri ju do mburreni unë do bëj sikur s’kuptoj, ju do bërtisni unë do hesht. Veç një gjë harrojeni; që ju të gënjeni, unë t’ju besoj.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë