Shfytyrimi i mbamendjes
sonë historike

Shfytyrimi i mbamendjes <br />sonë historike
Mbamendja e të kaluarës
Të gjithë popujt historikë i karakterizon mbamendja e së kaluarës. Ata e mbajnë mend, e rrëfejnë, e shpjegojnë dhe e vlerësojnë të kaluarën e tyre sepse ashtu, me mbamendjen e saj, e dëshmojnë qenien dhe i ruajnë vlerat e krijuara.
Mbamendja e së kaluarës qëndron në themelet e kulturave të të gjithë këtyre popujve që i quajmë historikë.
Historiani i parë dhe më i madhi, Herodoti, në librin e parë me titullin Klijat, të historisë së tij, që aq shumë ka ndikuar në historiografinë e shekujve të mëvonshëm, na bën me dije se atë histori e ka shkruar me qëllim që "me kalimin e kohës të mos zvogëlohet rëndësia e asaj që njerëzimi ka krijuar, me qëllim që veprat e mëdha dhe të mrekullueshme, si ato që kanë krijuar helenët, ashtu edhe ato që kanë krijuar barbarët, të mos harrohen, dhe, më në fund, me qëllim që të shpjegojë përse në mes të helenëve dhe barbarëve janë bërë luftëra".
Shqiptarët hyjnë ndër popujt historikë që me përkushtim të jashtëzakonshëm e mbajnë mend, e rrëfejnë, e shpjegojnë dhe e vlerësojnë të kaluarën e tyre.
Mbamendjen e së kaluarës shqiptare e dëshmojnë edhe letërsia popullore, edhe letërsia e shkruar.
Janë të shumta dhe janë të ndryshme llojet e krijuara gojore me anën e të cilave populli shqiptar e rrëfen të kaluarën e tij. Dhe, jo vetëm e rrëfen, por, në të njëjtën kohë, në të njëjtat lloje gojore, e shpjegon dhe e vlerëson.
Përkushtimi i popullit shqiptar ndaj së kaluarës, domethënë ndaj historisë, edhe më i dukshëm, edhe më i gjithanshëm është në letërsinë e shkruar. Njëra prej veprave të para, sa shkencore aq edhe letrare, në të cilën dëshmohet ky përkushtim ndaj mbamendjes, ndaj shpjegimit dhe ndaj vlerësimit të së kaluarës, është Historia e Skënderbeut e Marin Barletit.

Arsyet e mbamendjes së të kaluarës
Pse e mbajnë mend, e rrëfejnë, e shpjegojnë dhe e vlerësojnë të kaluarën e tyre shqiptarët?
Si letërsia gojore ashtu edhe letërsia e shkruar na dëshmojnë se, si edhe shumë popuj të tjerë historikë, edhe shqiptarët e mbajnë mend të kaluarën e tyre për arsye të ndryshme, që mund të jenë shoqërore, shpirtërore, morale. E të tjera. Të gjitha këto arsye, që e kushtëzojnë dhe e frymëzojnë mbamendjen e së kaluarës, ndërkaq, mund të përmblidhen në pesë kryesoret.
E para, shqiptarët e mbajnë mend, e rrëfejnë, e shpjegojnë dhe e vlerësojnë të kaluarën e tyre, sepse në këtë mënyrë duan të kujtojnë e të tregojnë se çmojnë lart trimat, të cilët atë të kaluar, më të hershme a më të vonshme, e kanë shënuar me veprat e trimërisë, domethënë me veprat e zemrës.
E dyta, shqiptarët e mbajnë mend, e rrëfejnë, e shpjegojnë dhe e vlerësojnë të kaluarën e tyre, sepse në këtë mënyrë duan të kujtojnë e të tregojnë se çmojnë lart edhe ata të cilët atë të kaluar, më të hershme a më të vonshme, e kanë shënuar me veprat e mendjes, domethënë me veprat e urtësisë.
E treta, shqiptarët e mbajnë mend, e rrëfejnë, e shpjegojnë dhe e vlerësojnë të kaluarën e tyre, sepse në këtë mënyrë duan ta gjejnë e ta ruajnë identitetin e tyre, i cili, në kohë më të hershme a në kohë më të vonshme, është rrezikuar prej pushtuesve të ndryshëm, prej sjelljeve, zakoneve, besimeve, mizorive të ndryshme të tyre.
E katërta, shqiptarët e mbajnë mend, e rrëfejnë, e shpjegojnë dhe e vlerësojnë të kaluarën e tyre edhe kur në të, në ngjarjet, në bëmat, në figurat e saj të shquara, gjejnë ngushëllim për shkak të pakënaqësive, dhembjeve, dëshpërimeve, që ua shkakton e sotmja - e sotmja politike, ideologjike, shoqërore, morale, në të cilën janë të gjykuar të jetojnë.
E pesta, shqiptarët e mbajnë mend, e rrëfejnë dhe e shpjegojnë të kaluarën e tyre edhe kur me disa ngjarje, me disa figura të saj, me disa të bëra dhe me veprime të tyre nuk mund të pajtohen, prandaj me mbamendjen, me veprat letrare në të cilat merren me ato ngjarje, me ato figura, të bëra dhe me veprime të tyre, i gjykojnë e i ndëshkojnë.
Dhe, kështu, me këtë mbamendje shqiptarët, si edhe popujt e tjerë historikë, e bëjnë historinë mësuese të jetës prej së cilës brezat që vijnë do të marrin mësim se si duhet vepruar dhe se si nuk duhet vepruar në jetë, se çka duhet bërë dhe çka nuk duhet bërë në jetë, se me çka mund të jesh i dobishëm, e me çka i dëmshëm për popullin tënd.
Nuk ka dyshim se të gjitha këto arsye të mbamendjes historike të popullit shqiptar janë aq të mëdha, aq thelbësore saqë atë mbamendje pashmangshëm do ta bëjnë pambarimisht shumë të përkushtuar dhe tejkohshëm të qëndruar.

Si është mbajtur mend e kaluara në letërsinë shqipe?
Si është mbajtur mend e kaluara në letërsinë shqipe në përgjithësi dhe në letërsinë e periudhave të ndryshme historike në veçanti?
Megjithëse arsyet e mbamendjes së të kaluarës në letërsinë shqipe në përgjithësi janë të njëjta apo përafërsisht të njëjta, mënyrat e sendërtimit artistik gjuhësor të kësaj mbamendjeje prej një periudhe letrare te tjetra janë pak a shumë të ndryshme.
Në letërsinë shqipe të para gjysmës së dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë, domethënë në letërsinë prej historianëve të letërsisë e quajtur letërsia e vjetër, kryesisht fetare, mbamendja e së kaluarës është e rrallë, e paktë. Por, në ato pak vepra të letërsisë së kësaj epoke, siç janë Historia e Skënderbeut e Marin Barletit dhe Rrethimi i Shkodrës e Biçikemit, e kaluara është plotësisht e personalizuar. Përfytyrimet fetare në të janë dukshëm më të shpeshta sesa përfytyrimet laike. E kaluara, historia këtu, në masë të madhe, janë të zëvendësuara prej Zotit, shenjtorëve, engjëjve.
Në letërsinë e Rilindjes Kombëtare, e cila në pjesën e saj më të madhe është letërsi romantike, po ashtu zotëron personalizimi i historisë. Ngjarjet e mbajtura mend janë të rëndësishme, janë të denja për mbamendje, për shkak se në to është shquar një figurë e madhe, për shkak se janë të përfaqësuara prej një figure të madhe historike. Shembulli më tregues i së kaluarës së rrëfyer, të shpjeguar e të vlerësuar kështu janë Istori e Skënderbeut dhe Qerbelaja e Naim Frashërit. Si në këto dy poema historike ashtu edhe në veprat e tjera të shkruara në vargje a në prozë në këtë epokë, figurat historike, bëmat dhe veprimet e tyre paraqiten madhërueshëm, të idealizuara në të gjitha pikëpamjet. Heroizmi i këtyre figurave përfaqëson etikën e tyre. Dhe, ky heroizëm bëhet në emrin e popullit dhe për popullin, por vetë populli pothuajse shihet pak në veprat letrare të kësaj epoke. Trajtimi i së kaluarës ishte vënë kështu në shërbim të ideologjisë kombëtare e cila kishte ideal krijimin e shtetit shqiptar dhe ngritjen atdhetare e morale të shqiptarit.
Megjithëse përbëhet prej prirjesh të ndryshme ideostilistike - romantike, realiste, klasiciste, simboliste apo, madje, ekspresioniste, trajtimi i tillë, romantik, i madhërueshëm, i thjeshtësuar, pak a shumë i ideologjizuar, zotëron edhe në letërsinë ndërmjet dy luftërave botërore. Dëshmia më treguese për këtë që thuhet është epopeja e Gjergj Fishtës, Lahuta e Malcis. Në të, me përjashtim të ndonjë figure historike më shkurtimisht të trajtuar, nuk paraqiten figura të mëdha historike, por figura të zakonshme popullore, reale apo të imagjinuara. Këto nuk janë figura me histori të trashëguar: këto janë figura të panjohura që vetë, me bëmat e tyre, bëhen histori. Duke u marrë, kryesisht, me madhërimin dhe folklorizimin e disa ngjarjeve të mëdha dhe disa figurave përfaqësuese, letërsia e kësaj periudhe, si edhe letërsia e Rilindjes Kombëtare, pothuajse e ka harruar sidomos dramën e madhe që kishte përjetuar populli shqiptar në luftërat ballkanike dhe, pastaj, në të ashtuquajturën kohën e peripecive, kur tre fqinjët - Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe fqinji i përtej detit, Italia, masakrojnë trojet shqiptare dhe u sjellin tragjedi të mëdha vetjake dhe të përbashkëta shqiptarëve.
E mbështetur në politikë e në ideologji tjetër, personalizimin e së kaluarës historike e vazhdon edhe letërsia shqipe pas Luftës së Dytë Botërore, në përgjithësi, kurse letërsia e realizmit socialist në veçanti. Figurës së madhe historike të Skënderbeut tani i shtohen, natyrisht jo në ato përpjesëtime, edhe figurat e Ali Pashë Tepelenës, Abdyl Frashërit, Isa Boletinit, Azem Bejtës, Shote Galicës dhe një numër heronjsh partizanë. Mbamendja e së kaluarës në letërsinë shqipe kurrë më përpara nuk është politizuar dhe ideologjizuar në masën në të cilën është politizuar dhe ideologjizuar në këtë kohë. Për më tepër mund të thuhet se e kaluara në letërsinë shqipe kurrë nuk është rrëfyer, trajtuar e shpjeguar më anshëm, më thjeshtëzueshëm, më rrëgjueshëm se në letërsinë e kësaj periudhe.
Është harruar, natyrisht vetëdijshëm, se, si thotë filozofja e njohur Agnes Heler, në veprën e saj Teoria e historisë, periudhat e së shkuarës duhet t'i kuptojmë me sistemet e tyre të vlerave e jo me tonat: në qoftë se vlerat tona i zbatojmë në gjykimet për to do të lëndojmë të vërtetën dhe normat e së vërtetës. Ekziston vetëm një sistem vlerash zbatimi i të cilit na bën të mundshme që ta organizojmë lëndën historike, që t'ia gjejmë kuptimin dhe që të mos e lëndojmë normën e të vërtetës, dhe ky është sistemi i vlerave që qëndron jashtë historisë, që nuk është historik, por i amshueshëm".

Mbamendja e së kaluarës pas rënies së komunizmit
Mbas rënies së komunizmit është pritur - dhe unë jam njëri prej të shumtëve që kanë pritur - që në letërsinë shqipe gjerë e gjatë, me vëmendje të veçantë, me përvojë të re krijuese, me gjuhë e stil pak a shumë të ri artistik letrar, do të rrëfehet, do të shpjegohet dhe do të gjykohet e kaluara më e largët dhe më e afërme. Është pritur që letërsia e vetëdijes historike do t'i trajtojë ngjarjet, bëmat, figurat e harruara në letërsinë e mëparme, do t'i ritrajtojë dhe do t'i rishpjegojë ngjarjet dhe bëmat e foklorizuara e do t'i çmitizojë figurat e mitizuara, do t'i çlirojë prej shtresave politike dhe ideologjike ngjarjet, bëmat, figurat rëndësinë, kuptimin, domethënien e të cilave e kishte shpërdorur, shtrembëruar a falsifikuar letërsia e mëparshme në Kosovë e, sidomos, ajo e realizmit socialist në Shqipëri.
Mjerisht kjo nuk ndodhi as sa pritej, as si pritej.
Letërsia shqipe në të cilën më përzgjedhshëm se në letërsinë e realizmit socialist rrëfehej, shpjegohej dhe vlerësohej e kaluara, me pjesën e saj më të madhe vazhdoi të jetë e politizuar dhe e ideologjizuar, por, tani, e politizuar dhe e ideologjizuar prej një politike dhe një ideologjie tjetër. Një cenim politik dhe ideologjik i vlerës gjuhësore artistike u zëvendësua prej një cenimi tjetër politik dhe ideologjik. Ngjarjet, bëmat, figurat historike dhe johistorike në realizmin socialist të trajtuara tmerrshëm njëanshëm dhe të vëna në shërbim të politikës e të ideologjisë komuniste, tani u trajtuan dhe po trajtohen po aq tmerrësisht njëanshëm dhe po vihen në shërbim të politikës e të ideologjisë së vetëquajtur demokratike, kur e kur të paliruar prej ngjyresash politike skajshëm të djathta. Në letërsinë e kësaj kohe, domethënë të kohës pas rënies së komunizmit, ndodhi çka nuk ka ndodhur në letërsinë e epokave dhe të periudhave të përparme: ndodhi jo vetëm mirëkuptim, por edhe madhërim i rënieve shpirtërore e morale, që në historinë shqiptare ndodhën ndërmjet dy luftërave botërore dhe, sidomos, gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe gjatë komunizmit. Bashkëpunëtorë të pushtuesit fashist italian, prej vitit 1939 deri në vitin 1943 dhe bashkëpunëtorë të pushtuesit nazist gjerman prej vitit 1943 e deri në vitin 1945, u bënë heronj të gazetarisë, të publicistikës e të disa veprave letrare të vëna në shërbim të disa partive! Bashkëpunëtorë të fashizmit a të nazizmit që në historiografinë dhe në letërsinë me temë historike të popujve historikë quhen tradhtarë të popullit e të shtetit, që gjykohen për tradhti të lartë, u shpallën figura të mëdha kombëtare, disa prej të cilëve u shpërblyen me çmime, medalje e dekorata!
Bashkëpunëtorë të Enver Hoxhës - në shpinën e të cilit, tani, ngarkohen të gjitha fajet për vendosjen, mbajtjen, dhunën, propagandimin, shpalljen e ligjshme, të adhurueshme, të diktaturës, përpos në shtet e në shoqëri, edhe në shkencë, në letërsi e në arte të tjera - partizanë, të përbetuar, palodhshëm servilë ndaj ideologjisë dhe politikës së tij të brendshme e të jashtme, ndaj çdo fjale, çdo sjelljeje, çdo mase, çdo dekreti e çdo ligji të tij, tani ngrihen në shtetin e vetëquajtur demokratik a shpallen figura të mëdha kombëtare, adhurohen në publicistikë, në letërsi, në media të shkruara dhe elektronike, lartësohen me çmime, medalje e dekorata!
Për të qenë edhe më i përgjithshëm, më i përshtrirë në histori, ky shfytyrim i mbamendjes së të kaluarës në letërsi dhe në publicistikë u tregua e po tregohet edhe ndaj figurave të mëdha të Rilindjes Kombëtare, që krijuan shtetin shqiptar - Shqipërinë. Pashko Vasa, Jani Vreto, vëllezërit Frashëri, në mënyrë të veçantë Sami Frashëri, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, nismëtari i modernizimit anglo - amerikan të Shqipërisë, Fan Noli, u mbuluan me mënjanëri, kur e kur me mosdurim në mbamendjen e përtashme historike, me trajtimin e së cilës po merret publicistika shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Për dallim prej këtyre figurave të mëdha kështu të shpërfillura, Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipë e arritura më e madhe shkencore, kulturore dhe politike gjithëkombëtare në periudhën e komunizmit, u vu para një fushate tepër të vrazhdë politike dhe pseudoshkencore!
Është e qartë: letërsia dhe publicistika shqipe, pas rënies së komunizmit, ende nuk ka roman të rëndësishëm për kohën e komunizmit! Kjo e vërtetë e pakuptueshme na bën të shtrojmë pyetjen: a mund të shkruajnë roman të tillë, të rëndësishëm, shkrimtarët të cilët me vepra letrare, me publicistikë, me veprimtari politiko shoqërore në kohën e komunizmit e shpallën diktaturën, me ideologjinë e saj, me politikën e saj, me realizmin e saj socialist, me dhunën e saj, me rendin e saj kushtetutar juridik, në të vërtetë partiak, rend të ligjshëm, të amshueshëm, më humanin e më të tejçmuashmin në botë!
Është e qartë: letërsia shqipe sikur është tërhequr para një krijimtarie më së shpeshti gjysmëletrare e gjysmë shkencore - para publicistikës, kujtimeve, ditarëve, prozave dokumentare, filmave dokumentarë, fejtoneve, në pjesën më të madhe të të cilave për diktaturën, për Enver Hoxhën, për zëdhënësit e tij shkencorë, letrarë e artistikë, domethënë për servisin e tij intelektual, si dhe për Kosovën, sidomos pas vitit 1981, larg më shpesh dhe larg më shumë se me të vërteta, shkruhet e flitet me spekulime, me falsifikime, me gënjeshtra, me intriga, me truke, me stil, të stolisur kur e kur edhe më erotikë familjare apo, madje, më të përgjithshme - kombëtare, që do të mund të quhej moralisht dhe kombëtarisht tragjik sikur të mos ishte njëkohësisht banal!
Unë nuk do të flas me këtë rast as për ideologjinë, as për politikën, as për qendrat e brendshme e, sidomos, të jashtme, që e frymëzojnë apo, ndoshta, e financojnë këtë shfytyrim mendor e moral të mbamendjes sonë historike në një pjesë të madhe të letërsisë dhe të publicistikës sonë. Do të them vetëm kaq:
Në historinë më të re shqiptare dhe në krijimtarinë e kësaj historie ngjan çka nuk ngjan në historinë dhe në krijimtarinë e popujve historikë të Evropës sot. Deri kur?

Përgjigjet krijuese artistike në tri pyetje thelbësore
Nuk ka dyshim se populli shqiptar është popull i vogël me numër të vogël banorësh dhe me histori, në pjesën më të madhe të kohës, tragjike. Pushtimet nga pushtues të Lindjes e të Perëndimit, në njërën anë, kurse luftëra për çlirim prej tyre, në anën tjetër, e shënojnë këtë histori. Pushtimet nga të huajt dhe sundimet nga tiranë, despotë e diktatorë të huaj e të brendshëm e bëjnë historinë shqiptare histori që e ka munduar dhe, siç po shihet, vazhdon ta mundojë popullin shqiptar.
Letërsia nuk është lojë artistike. Letërsia është krijimtari gjuhësore artistike, që i drejtohet mendjes, ndjenjave, vetëdijes së njeriut. Kur e rrëfen, kur e shpjegon dhe kur e vlerëson të kaluarën, letërsia, e këtu mendoj në letërsinë e madhe që merret me të kaluarën, pashmangshëm duhet të përgjigjet në tri pyetje: çka? Pse? Si? Pra, çka ka ndodhur, pse ka ndodhur dhe si ka ndodhur? Njeriu, historik a johistorik, është protagonisti i atyre ngjarjeve, i atyre fitoreve a disfatave, i atyre dramave a tragjedive, që qëndrojnë para pyetjeve: çka, si, pse?
Letërsia e vërtetë, letërsia e madhe që e rrëfen, që e shpjegon, që e vlerëson të kaluarën duke mos shpërfillur të dhënat - siç i shpërfillin shkrimtarët e vegjël, duke mos u pushtuar prej të dhënave - siç pushtohen shkrimtarët e mesëm, por duke përzgjedhur të dhënat thelbësore që i bëjnë të mundshme të paraqesë të vërtetën për njeriun, shoqërinë e kohën - siç bëjnë shkrimtarët e mëdhenj, është ajo letërsi mbi të kaluarën, që e bën të kuptuar thelbësisht historinë dhe që e nxit të lirohet prej mundimit të saj njeriun. Për ta çliruar prej mundimit të historisë, për ta vetëdijesuar dhe për ta pasuruar shpirtërisht lexuesin e saj, ajo rrëfen, ajo shpjegon dhe ajo vlerëson me të njëjtin përkushtim e me të njëjtin shikim kritik ngritjet dhe rëniet shpirtërore e morale të njeriut, domethënë të popullit. Si shkrimtar dhe historian i letërsisë shqipe pambarimisht shumë e kam dëshiruar dhe vazhdoj ta dëshiroj romanin historik me semantikë, me estetikë dhe me etikë të tillë: dëshiroj ta shkruajnë shkrimtarë tanë të tjerë dhe dëshiroj ta shkruaj edhe vetë.

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin