Shi dhe dëborë, probleme
në Jug dhe Veri të vendit

Shi dhe dëborë, probleme<br />në Jug dhe Veri të vendit
Reshjet e dendura të shiut, që kanë përfshirë vendin kanë krijuar probleme në disa zona të vendit, mes të cilave edhe në qytetet bregdetare. Në disa qytete moti i keq ka shkaktuar probleme në trafik, ndërsa në porte vështirësohet puna me tragetet. Orët e fundit janë shoqëruar me reshje bore në zonat malore dhe reshje të dendura shiu ne pjesën tjetër të vendit. Deri tani nuk raportohet për rrugë të bllokuara, por policia këshillon të gjithë drejtuesit të tregohen të kujdesshëm gjatë lëvizjes dhe të përdorin zinxhirë.

DIBER
E vështirë situata në Dibër, reshjet e dëborës kanë bllokuar komunat Sllove, Kalaja e Dodës, Lurë. Reshjet e borës kanë shkaktuar probleme edhe në fshatrat Selishtë dhe Qafë-Murr.

BULQIZË
Në Bulqizë rezultojnë të bllokuara komunat Ostren e Trebisht. Rruga nacionale Fushë Bulqizë-Klos është e kalueshme vetëm me zinxhirë

ELBASAN
Shirat e dendur të rëna gjatë mbrëmjes kanë përmbytur një pjesë te lagjes ‘Fushë Mbret’ në qytetin e Elbasanit. Ndërkohë, mësohet se automjetet të cilat udhëtonin paraditen e sotme në aksin rrugor Elbasan-Peqin janë bllokuar përreth 1 orë si pasojë e rrëshqitjeve të dheut dhe vetëm pas ndërhyrjes së policisë, ky aks rrugor është bërë i kalueshëm vetëm në një korsi.

KORCE
Reshjet e borës kanë bllokuar disa komuna edhe në Korcë, duke krijuar vonesa në qarkullimin e automjeteve. Komuna Lekas dhe Miras në Bilisht janë të bllokuara, po ashtu e bllokuar nga reshjet e borës është edhe zona e Mokrës. E bllokuar për kalimin e mjeteve është edhe rruga që të con në fshatin turistik të Dardhës, ndërsa rruga për në Voskopojë kalohet vetëm me zinxhirë.

VLORË
Reshjet intensive të shiut, që kanë filluar mbrëmjen e të enjtes dhe që po vazhdojnë ende, kanë krijuar probleme në disa segmente rrugore në qytetin e Vlorës.
Disa nga rrugët kryesore, duke filluar nga ato përqark godinës së Universitetit “Ismail Qemali”, bulevardi Vlorë-Skelë në disa pika, kryqëzimi në afërsi të godinës së Zyrës së Punës, si dhe disa lagje periferike, janë përmbytur nga ujrat që kanë arritur në një lartësi prej rreth 15 cm. Kjo situatë ka krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve, si edhe për kalimtarët. Ndërkohë, punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike kanë ndërhyrë dhe kanë normalizuar situatën në disa zona të tjera, duke larguar ujin.
Gjithashtu, reshjet kanë vështirësuar qarkullimin në disa segmente rurale, veçanërisht në rrugën Vlorë-Kuç, ku ka patur edhe rrëshqitje dherash, por pa pasoja të dukshme.

SHKODËR
Prej dy ditësh në territorin e Qarkut të Shkodrës, kryesisht në zonat malore, janë rikthyer reshjet e dëborës, të cilat në disa zona kanë filluar të krijojnë trashësi të konsiderueshme.
Sipas informacioneve të marra pranë zyrës së emergjencave civile të prefekturës së Shkodrës, mësohet se "më të shumta këto reshje janë konstatuar në komunën Kelmend të rrethit të Malësisë së Madhe, atë të Shalës në rrethin e Shkodrës, si dhe në zonat e Fierzës, Qafë Qelës dhe Qafë Shllakut të rrethit të Pukës".
Përballë kësaj situate të re strukturat përkatëse pranë prefekturës së qarkut Shkodër kanë marrë masat e duhura për të mbajtur situatën nën kontroll.
Mësohet se të gjitha akset rrugore të këtij qarku janë të kalueshme, ndërkohë që në akset rrugore Qafë Mali – Qafë Shllak, krahas reshjeve të dëborës ka edhe reshje shiu, shoqëruar edhe me rrëshqitje dherash dhe gurësh në anë të rrugës.
E njëjta situatë është edhe në aksin rrugor Qafë Mali – Fierze, ku krahas të tjerave është shembur muri mbajtës në afërsi të pikës turistike të Dardhës, duke krijuar rrezikshmëri në qarkullimin e automjeteve në të dy anët e rrugës.
Situatën e bëjnë edhe më të vështirë në këtë zonë edhe temperaturat shumë të ulëta, që shkojnë deri në minus 12 gradë, të cilat në disa vende kanë krijuar edhe shtresa akulli, duke i detyruar drejtuesit e automjeteve të përdorin zinxhirët

GJIROKASTËR
Jugu i vendit është përfshirë dje dhe sot nga reshjet e dendura të shiu, por pa shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
"Megjithe reshjet e shiut që u shfaqën mbrëmë dhe vazhdojne te jenë prezente edhe sot, të gjitha rrugët kombëtare janë të kalueshme”, tha Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës.
Reshjet e shiut kanë ndikuar pozitivisht në aksin rrugor Jorgucat – Muzinë, me gjatësi 15 km, duke shkrirë ngricat që mbizotëronin prej dy javësh. Strukturat e policisë rrugore kanë kaluar në gadishmëri dhe janë vendosur në të gjitha akset kombëtare. Deri tani nuk është shënuar asnjë aksident i rëndë rrugor, tha Mullai.

(aq./atsh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza