Shifrat alarmante/ 26 të burgosurit që humbën jetën në qeli dhe spitalet e burgut, shkaku kryesor sulmet në zemër dhe gjendja e rënduar psikologjike

Shifrat alarmante/ 26 të burgosurit që humbën jetën në qeli dhe spitalet e burgut, shkaku kryesor sulmet në zemër dhe gjendja e rënduar psikologjike

Vetëm gjatë vitit 2018 kanë humbur jetën 8 të dënuar dhe të paraburgosur kryesisht nga arresti kardiak. Nga qelitë kanë dalë ata që kanë manipuluar në letra gjendjen shëndetësore

Roland Hasani, 44 vjeç, humbi dje jetën teksa transportohej nga burgu i Durrësit në spitalin më të afërt. IEPV Durrës pretendoi për vetëvrasje në kushtet e rënduara psikologjike, trysnisë së izolimit etj., ndonëse pati raportime jo zyrtare se Hasani doli me këmbët e tij nga burgu drejt ambulancës. Si do që të jetë e vërteta, humbja e jetës së Hasanit është një kambanë alarmi për shtetin shqiptar, institucionet dhe organizmat me në fokus respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Gjatë viteve të fundit, edhe 22 të dënuar dhe të paraburgosur kanë humbur jetën në qeli ose spitalet e burgut, kryesisht për shkak të sulmeve në zemër, por edhe shkaqeve të tjera shëndetësore dhe akteve ekstreme. 8 të burgosur kanë humbur jetë vetëm në vitin 2018.

-Në 10 shkurt 2022, Ymer Bejkolli, baba i dy fëmijëve,ndërroi jetë në paraburgimin e Drenovës, për shkak të një arresti kardiak. Bejkolli kishte shfaqur probleme shëndetësore që në 8 shkurt, por në spital u dërgua vetëm pas sulmit fatal.

-Në 9 shkurt 2022, i paraburgosuri në Peqin, Artur Gjoci, 46 vjeç, humbi jetën pas një arresti kardiak. Gjoçi u gjet paraditen e 9 shkurtit në gjendje agonie, ndërsa dërgimi në spital ishte si gjithmonë me vonesë.

-Në shkurt të vitit 2020, ndërroi jetë në burgun e Peqinit, 38-vjeçari Andon Mëhillaj, për shkak të një sulmi në zemër. Ndërhyrja e rojeve të burgut nuk mundi t’i shpëtojë jetën 38-vjeçarit. Policia dhe shërbimi i brendshëm i burgjeve nisi një hetim për zbardhjen e këtij rasti.

-Po në shkurt të vitit 2017, një arrest kardiak i mori jetën 52-vjeçarit Blerim Xheja, i cili vuante dënimin në burgun e Peqinit.

-Në gusht të vitit 2017, një tjetër i dënuar ka humbur jetën në burgun e Zaharisë në Krujë, pas një sulmi në zemër. 69 vjeçari me inicialet I. R, fillimisht nuk është ndjerë mirë, dhe është ankuar se kishte vështirësi në frymëmarrje. I dënuari kishte probleme me zemrën. Ndonëse ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Krujës, nuk mundi të mbijetojë.

-Në prill të vitit 2018, sërish një atak kardiak i mori jetën Erjon Bushit, 38 vjeç, i cili vuante dënimin në burgun e Fushë-Krujës.

-Në tetor të vitit 2018, ndërroi jetë i paraburgosuri D. R., në komisariati nr. 3 Tiranë. 45-vjeçari ndërroi jetë pikërisht për shkak të një arresti kardiak.

-Në korrik të vitit 2018 ka humbur jetën për shkak të një arresti kardiak i dënuari Shaban Alushllari 53-vjeç, i cili po vuante dënimin në burgun e Zaharisë.

-Në qershor 2018, një sulm në zemër i mori jetën Gëzim Allushit, i cili po vuante dënimin në burgun e Elbasanit, por që ishte sjellë në Tiranë.

-Në 17 maj 2018, humbi jetën në rrethana misterioze 27-vjeçari Enea Ftoi, në komisariatin e Korçës. Sipas versionit zyrtar, Ftoi ka humbur jetën për shkaqe shëndetësore.

-Po në vitin 2018, në Spitalin “Nënë Tereza”, ka ndërruar jetë i dënuari M. Z., vjeç 31, banues në fshatin Dardhë, në rrethana të paqarta.

-Në janar 2018, i dënuari A. N, 64 vjeç, ka ndërruar jetë në rrethana të paqarta në spitalin e burgut të Tiranës. 64-vjeçarin e sollën nga IEPV Lezhë.

-Në janar 2018, F. T., 59 vjeç dhe banues në Tiranë, ka ndërruar jetë në spitalin e burgut për shkak të gjendjes shëndetësore.

-Në 20 tetor të vitit 2021, u nda nga jeta në burg Razip Mahmutaj, për shkak të përkeqësimit të shëndetit.

-Në mars të vitit 2021, u nda nga jeta në rrethana të paqarta Edmond Jonuzi, i cili vuante dënim në burgun e Drenovës.

-Në 4 maj 2022, një ngjarje e rëndë u shënua në ambientet e komisariatit të Kavajës. i ndaluari Ilvi Meta 31-vjeç u gjet pa shenja jete. Sipas versionit zyrtar, i riu i kishte dhënë fund jetës me lidhësen e kapuçit të bluzës për shkak të dhunës psikologjike dhe trysnisë së izolimit.

-Në tetor të 2019, ndërroi jetë për arsye shëndetësore në burgun e Tiranës, Daver Këraj. I burgosuri po vuante dënimin në burgun e Fierit.

-Në dhjetor të vitit 2019, Blerim Protoduari, 39-vjeç, që vuante dënimin në Burgun e Beratit, u gjet i vdekur në qelinë e tij. I burgosuri kishte varur veten me kabullin e televizorit në kushte të rënduara psikologjike.

-Në shkurt të 2017 është përkeqësuar nga ana shëndetësore i dënuari Nebi Ajazi, 78 vjeç, i cili vuante dënimin në Tiranë. Ajazi ndërroi jetë disa ditë më pas në QSUT.

-Haki Abazi, 58 vjeç, ndërroi jetë në burgun e Fushë Krujës, ndërsa u dërgua me vonesë në spital. Abazi dyshohet se humbi jetën pas një sulmi në zemër. Edhe për këtë rast nisi gjoja një hetim.

-Drini Hajdaraj, 50 vjeç nga Patosi, ka ndërruar jetë në burg për shkak të përkeqësimit të shëndetit. Ngjarja e rëndë u harrua shumë shpejt nga organet shtetërore.

-Qemal Zebi,77 vjeç, ka ndërruar jetë në burgun e Fushë Krujës, për shkak të përkeqësimit të shëndetit. Edhe pse në moshë të thyer, Zebi u mbajt në burg, duke mos dalë gjallë.

-Në spitalin e burgut në Tiranë ka ndërruar jetë edhe Dhimitër Dukoli, 60 vjeç, nga Rgozhina. Policia mohoi të kishte shenja dhune, duke theksuar se Dukoli u nda nga jeta për shkaqe shëndetësore.

-Në mars të vitit 2020, Fatmir Veliaj, 40 vjeç, i cili vuante dënimin në burgun e Peqinit, i ka dhënë fund jetës. Për ngjarjen u ngrit një grup hetimor, i cili kishte dyshime për vetëvrasje.

-Në mars të këtij viti, ndërroi jetë në spital Arben Mici, i cili ishte arrestuar për dhunë në familje. Mici dyshohet se i vuri zjarrin me çakmak dhomës ku po qëndronte në Komisariatin e Kamzës, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.

Nga ana tjetër, në media janë denoncuar disa raste kur nga burgu janë liruar të dënuar, me dokumentacion të rremë sikur janë sëmurë dhe të stresuar. Numri i rasateve fatale tregon se në vend të të burgosurve me probleme reale shëndetësore kanë përfituar të dënuarit që gazonin shëndet të plotë. 

Ndërkaq, Prokuroria dhe gjykata, në shumë raste, aplikojnë masa sigurie me dy standarde dhe të papërshtatshme me veprën penale të dyshuar.

Për vrasës, përdhunues, persona të akuzuar për grabitje me dhunë, grabitës pronash, trafik droge etj., në disa raste aplikohet masa e sigurisë arrest shtëpie ose detyrim paraqitje, ndërsa për persona të tjerë aplikohet arresti me burg, edhe pse për veprën penale, për të cilën akuzohen, edhe nëse shpallen fajtorë, mund të dalin me shërbim prove.

Politika të tilla ndikojnë që sidomos të paraburgosurit të marrin akte ekstreme, por edhe në shëndetin e përgjithshëm të të izoluarave.

Në një reagim pas vdekjes së Roland Hasanit, Avokati i Popullit u bëhet thirrje institucioneve shqiptare që të marrin masat e nevojshme për të garantuar jetën e personave që vuajnë dënimin.

Ndërkaq, ka një vendim të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila i kërkon shtetit shqiptar të sigurojë kushte të tilla që të burgosurit të marrin trajtimin e duhur mjekësor për t’u përmirësuar dhe për t’u ri-integruar në shoqëri, duke mos paraqitur më rrezikshmëri për të tjerët.

Nga ana tjetër, Këshilli Evropës ka miratuar një listë me rekomandime për institucionet shqiptare, për përmirësim të kushteve në trajtimin e të burgosurve, sidomos në të kushteve për pacientët e psikiatrisë mjekoligjore.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë