Duket se reformat fiskale, të ndjekura nga qeveria, nuk kanë arritur të neutralizojnë efektet e krizës globale mbi ekonominë vendase, çka dëshmohet edhe nga një rritje minimale e të ardhurave buxhetore, ndërkohë që defiçiti buxhetor është rritur 5.7 për qind më shumë nga e njejta periudhë e vitit të kaluar.
Shifrat zyrtare të sapo publikuara nga ministria e Financave lidhur me realizimin e zërave kryesorë të buxhetit të shtetit për periudhën e dymujorit të parë të vitit tregojnë për një rrudhje të taksave më të rëndësishme të sistemit fiskal shqiptar.
Kështu, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), në masën 15.6 miliardë lekë, ka qenë, jo vetëm më i vogël se sa planifikimi qeveritar, por, madje, më ivogël edhe se sasia e parave që janë arritur të grumbullohen në janar-shkurt të vitit 2012, kur nga ky detyrim fiskal u morën 17.1 miliardë lekë.
Pra, rënia është jo pak, por 8.8 për qind. Nga ana tjetër, edhe akciza ka sjellë në arkën e shtetit 6 për qind më pak fonde, duke kaluar nga 5 miliardë vitin e kaluar, në 4.7 miliardë lekë të reja këtë vit.
Ndërkohë, taksidarët qeveritarë kanë shtrënguar ndjeshëm rripin ndaj individëve. Kështu, tatimi mbi të ardhurat personale të të punësuarve ka arritur në 5 miliardë lekë, nga 4.5 njnë 2012-ën, me një rritje në masën 10 për qind.
Në të njejtën kohë, nga taksa e biznesit të vogël janë arkëtuar plot 30 për qind më shumë fonde, duke sjellë 360 milionë lekë, nga vetëm 250 milionë në dymujorin e parë të vitit të kaluar.
Një shpërpjesëtim i dukshëm vijon të konstatohet në vjeljen e kontributeve për sigurimin shoqëror e shëndetësor. Ndërsa për rastin e parë janë rritur hyrjet në masën 11 për qind, duke kaluar nga 8.5 në 9.4 miliardë lekë të reja, për sistemin e Sigurimit Shëndetësor të ardhurat kanë rënë në mënyrë drastike, krahasuar me një vit më parë: -46 për qind, duke arkëtuar vetëm 700 miloionë lekë, nga 1.3 miliardë të planifikuara.
Pavarësisht nga një perfprmancë kaq e dobët e të ardhurave, qeveria ka vijuar me shpenzime pa kursim, që janë rritur 2 për qind në rastin e pagave të administratës, por vetëm 1.4 për qind në rastin e investimeve publike.
Si rezultat, diferenca në total midis shpenzimeve dhe të ardhurave ka sjellë një bilanc negativ, që është 7.4 miliardë lekë ose gati 53 milionë euro, afro 6 për qind më i madh se një vit më parë në të njëjtën periudhë kohore.
Për ish-të përndjekurit është dhënë një fond 40 për qind më i ulët se një vit më parë, por afro 34 për qind më shumë fonde janë kërkuar dhe akorduar për ndihmë ekonomike, që flet për rritje të ndjeshme të numrit të familjeve në nevojë.
Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print)17.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)