SHIJAK-Protestojnë banorët e fshatit Hardhishtë të Shijakut për rrugën e cila sipas tyre po ndërtohet pa kriter.
 
Ndryshe nga herët e tjera ku banorët protestonin për mosprishjen e avllive dhe banesave të tyre, sot ata   kërkojnë shembjen e një pjese të murit mbrojtës të banesës së një bashkëfshatari të tyre, për të realizuar projektin e ndërtimit të rrugës në fshat.
 
Më konkretisht këta banorë kërkojnë ndryshimin e projektit të rrugës që po ndërtohet nga bashkia në zonën e tyre. Ata kanë kërkuar që firma kontraktuese të ndërpresin punimet deri në momentin që bashkia të ndryshojë projektin.
 
Banorët tentuan sot të bllokonin punimet, ndërkohë që policia bashkiake dhe ajo e rendit ishin prezente për të mbajtur nën kontroll situatën. Sipas banorëve, bashkia po mban qëndrim të njëanshëm dhe po dëmton një pjesë tjetër të banorëve.

“Ne kemi hall këtu se po na vriten fëmijët, me mirëkuptim bashkia ta kishte bërë me plan që ne të na zgjerohej rruga dhe ai të merrte pronën e vet”, shprehet një banore.
 
Ndërsa një tjetër banor thotë: “Po ta shikojmë rrugën është shumë e ngushtë në një distancë 100metrash dhe në pretendojmë që ajo të zgjerohet.”
 
"Ne kërkojmë gjerësi, kërkojmë që të hapet rruga për të mirën tonë”, thotë një tjetër banor.
 
Nëse nuk merret parasysh kërkesa e tyre, banorët do të ndërpresin forcërisht punimet dhe nuk do të lejojnë mjetet e rënda të kryejnë aktivitetin për ndërtimin e rrugës.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com