SHISH, Klosi: Nishani ngutje
për besnikëri ndaj Berishës

SHISH, Klosi: Nishani ngutje <br />për besnikëri ndaj Berishës
TIRANE - Deklarata e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, se emërimi i kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) nuk është kompetencë e tij por e Kryeministrit, nuk është gjë tjetër veçse një “ngutje për besnikëri ndaj Berishës”. Pohimi vjen nga Fatos Klosi, ish-numri një i shërbimeve sekrete shqiptare, gjatë një interviste në TV A1Report me gazetaren Mira Kazhani.

Emërimi i kreut të shërbimeve të inteligjencës dhe shkarkimi i tij i takojnë Presidentit të Republikës, theksoi Klosi, ndërsa “vetëm propozimi është i Kryeministrit”.
Klosi nuk shprehu habi mbi dëshirën e Kryeministrit për të vendosur nën kontroll shërbimet sekrete të vendit. “Berisha pa ardhur akoma Kryeministër kishte vendosur ta shkrinte SHISH, ta kthente në kuadër të ministrisë së Brendshme. Që atëherë u duk dëshira e tij për ta zhdukur”, ndonëse “këtë s’e bëri dot”.

INA RAMA U SABOTUA
Klosi më pas komentoi një tjetër deklaratë të Presidentit Nishani, ku ky i fundit shprehte pakënaqësi mbi punën e kryer gjatë këtyre viteve nga Kryeprokurorja Ina Rama. Klosi foli për një “tallje me institucionet pa ardhur mirë” në detyrë, pasi “pa bërë një analizë” nuk mund “të thuash që jam i pakënaqur”. Ky është “një shembull negativ”, shtoi Klosi. “Vërtetë je i rëndësishëm në këtë vend por nuk je Perëndia”, tha ai mbi Kreun e ri të Shtetit.

Sipas Klosit, Kryeprokurorja Ina Rama “jo vetëm që është anatemuar” por është sabotuar nga gjykatat të cilat nuk e kanë të zhvillojë detyrën e saj normalisht.
Përballë një situate të tillë, të akuzuarit në procesin e 21 Janarit 2011 do të kalojnë pa ‘lagur’? Ai proces “kaloi, ai problem po mbyllet” tashmë, u përgjigj Klosi.

PERGJIMET E OPOZITES
Më pas ish-kreu i SHIK komentoi edhe akuzat e ngritura nga opozita, sipas së cilës ajo po përgjohet nga funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërsa nuk pranoi të thoshte nëse kjo është e vërtetë apo jo, Klosi pohoi se një gjë e tillë është mëse e mundur pasi “atë që mund të bëjë SHISH mund ta bëjë edhe Shërbimi i Ministrisë së Mbrojtjes. Për më tepër, kur Kryeministri Berisha e ka përgjuar opozitën edhe më parë, gjatë viteve 90. I pyetur në këtë drejtim, Klosi u përgjigj prerë: “Sigurisht!”. “Kur erdha unë në Shërbim, gjeta disa numra të deputetëve të opozitës së asaj periudhe, të lidhur. Opozita e asaj kohe përgjohej”, tha ai.

Ndërsa në lidhje me refuzimin e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, për të lejuar në dikasterin e tij kontrollet parlamentare të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Klosi nënvizoi se “nuk ka pengesa ligjore” që Parlamenti të ushtrojë kompentecat e tij kontrolluese, “qoftë edhe ndaj SHIK-ut”...”dhe nëse ka një institucion që ka sekrete, është SHIK-u”.

Ai shpjegoi se Shërbimi Informativ i Ushtrisë (SHIU) jo vetëm që nuk mund të përgjojë deputetët, por “ka një spektër shumë të ngushtë në të cilin operon, ai i Ushtrisë”.

Gjithsesi, Klosi tha se nuk do të çuditej nëse nën përgjim do të ishin vendosur edhe diplomatë të huaj. “Është një eksperiencë e vjetër në Shqipëri përgjimi i diplomatëve”. Pavarësisht nga fakti se nuk jemi më në komunizëm, por në demokraci? “Nuk jemi më në komunizëm por njerëzit janë po ata”, u përgjigj Klosi.
Ndërsa mbi akuzat për trafik armësh në Ministrinë e Mbrojtjes, Klosi shpjegoi se “është problem korrupsioni, jo shitja e armëve”. Sipas tij “armët janë shitur dhe do shiten gjithmonë. Por është e ndaluar që armët të shiten në ato rajone ku ka konflikte”.

KEQARDHJA PER NANO
Klosi komentoi edhe vetëkandidaturën e Fatos Nanos për postin e Presidentit të Republikës. “Më erdhi shumë keq” për mënyrën si u diskretitua, tha ai, pa i fshehur notat e ironisë. Por Nano “nuk kishte asnjë shans të bëhej President”. Marrëdhëniet me ish-numrin një të socialistëve? “Shumë të mira në kohën kur ishte kryeministër. Ishte kryeministër liberal”.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Absurdi vs 'Shtetit të së Drejtës'!

Absurdi vs 'Shtetit të së Drejtës'!