Shisnin viza për 3500 €, pranga djalit
të Ibrahim Rugovës e 9 të tjerëve

Shisnin viza për 3500 €, pranga djalit<br />të Ibrahim Rugovës e 9 të tjerëve
PRISHTINË– Djali i ish presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, Ukë Rugova, deputet i Parlamentit të Kosovës është arrestuar sot nga EULEX-i si i dyshuar për shitje vizash nga ambasada e Italisë.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm forcat policore të EULEX-it kanë bastisur shtëpinë e Ibrahim Rugovës në lagjen "Velania" të Prishtinës. Përveç djalit të ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, Ukës, Eulexi ka arrestuar edhe disa persona të tjerë të dyshuar për krime të organizuar.

Mediat kosovare shkruajnë se tetë vetura të misionit të BE-së për sundim të ligjit janë parë të parkuara para shtëpisë në lagjen "Velania", ndërsa forca të shumta të kësaj njësie, të maskuara bastisën aty. 

Ndaj Ukë Rugovës, EULEX-i ka firmosur një urdhër ndalimi për 48 orë. Aktualisht ai ndodhet në banesën e tij në "Velani".

Burime brenda Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se Policia e EULEX-it përveç Ukë Rugovës, ka arrestuar edhe 7 persona të tjerë dhe se bëhet fjalë për shitblerje vizash. Mes të arrestuarve flitet dhe për një zyrtar të Ambasadës italiane në Prishtinë, F.P.

Ukë Rugova drejton subjektin politik me emrin "Lista Ibrahim Rugova" e cila është pjesë e koalicionit qeverisës që drejtohet nga Hashim Thaçi.

ORA 21:20 RRJETI I UKE RUGOVES, VIZA PER 3500 EURO
Duhej të paguanin 3500 euro njerëzit për të marrë një vizë nga rrjeti i organizuar pjesë e të cilit është edhe deputeti dhe i biri i ish presidentit Ibrahim Rugova, i arrestuar sot nga EULEX-i. Në një raport që e ka siguruar KTV-ja, përshkruhet e gjithë kronologjia për marrjen e një vize, e që mundësohej nga një zinxhir, pjesë e të cilit ishte edhe Ukë Rugova.
 
Raporti është bërë duke u bazuar në përgjime telefonike dhe i njëjti sqaron se ky zinxhir ka funksoniuar nëpërmjet njerëzve të caktuar në ambasada.
 
Kur njerëzit aplikonin për viza italiane dhe paguanin shumën e caktuar e që maksimalja ishte 3500 euro, atyre u aprovoheshin dokumentat pa u përmbushur asnjë kriter, nëpërmjet njerëzve të caktuar në ambasada si Florian Petani, i arrestuar sot që është zyrtar kryesor për viza në ambasadën italiane.


ORA 19:07 JA EMRAT E TE ARRESTUARVE BASHKE ME RUGOVEN
Dhjetë persona janë arrestuar nga policia e EULEX-it për disa vepra të ndryshme penale. Në mesin e të arrestuarve është edhe djali i vogël i ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, Ukë Rugova.
 
Të arrestuarit janë: Ukë Rugova, Izet Beqiri, Florjan Petani, Edison Idrizaj, Fitim Beqiri, Visar Beqiri, Azad Beqiraj, Hamza Beqiri.
 
Burime të Kosovapress thonë se djali i ish presidentit Rugova dyshohet të jetë i përfshirë në shit-blerjen e vizave në ambasadën italiane.
 
NJOFTIMI I EULEX PER ARRESTIMET E SOTME:
Zyra për informim e EULEX-it përmes një komunikate për media ka njoftuar se deri më tani janë arrestuar dhjetë persona. Ndërsa sipas tyre ende janë duke vazhduar bastisjet e disa pronave.
 
“Sot, herët në mëngjes, një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) udhëhoqi një operacion të arrestimit dhe të bastisjes kundër dhjetë (10) të pandehurve për të cilët pohohet se janë të përfshirë në një grup të krimit të organizuar i dyshuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale, përfshirë (1) Krim të organizuar (në kundërshtim me nenin 283 të Kodit Penal të Kosovës ‘KPK’); (2) Ushtrim ndikimi (në kundërshtim me nenin 431 KPK); dhe (3) Mashtrim, kundër ambasadës italiane në Prishtinë (në kundërshtim me nenin 335 ‘KPK’).  PSRK dhe ambasada italiane në Prishtinë janë duke punuar në bashkëpunim të ngushtë dhe reciprok në këto hetime që po vazhdojnë. Operacioni i sotëm është hetim i përbashkët ndërmjet Policisë Kufitare të Kosovës dhe EULEX-it, nën ombrellën e PSRK-së”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

10: 46 ME UKE RUGOVEN I ARRESTUAR DHE FLORIAN PETANI NGA SHQIPERIA
Në pranga kanë përfunduar edhe 7 persona të tjerë.  Njëri nga të arrestuarit është zyrtar i Ambasadës italiane në Prishtinë, Florian Petani, i cili punonte si zyrtar kryesor për viza në Ambasadën Italiane në Prishtinë.

Petani është shtetas i Shqipërisë, por, pas martesës me një kosovare, ka marrë edhe shtetësinë e Kosovës. Ai jeton në Fushë-Kosovë. I arrestuari tjetër është Izet Beqiri, nga Mitrovica, një shok i Ukës. Izet Beqiri pati përballuar shpenzimet e vizitës së Ibrahim Rugovës në Itali në vitin 1999

ORA 10:20 POLICIA E KOSOVES: HETIMI PER SHITBLERJE VIZASH
Media kosovare duke cituar policinë e Kosovës thotë se bëhet fjalë për shitblerje vizash. Përveç Ukë Rugovës në pranga janë vënë edhe 7 persona të tjerë. Njëri nga të arrestuarit është zyrtar i Ambasadës italiane në Prishtinë, F.P.  "Koha.net" ka edhe emrin e një të arrestuari tjetër, I.B. nga Mitrovica, një shok i Ukës.

ORA 09: 30 AVOKATI: PROKURORI I EULEX DHA URDHRIN PER NDALIMIN E UKE RUGOVES
Avokati i Rugovës, Bajram Tmava ka konfirmuar se ka qenë një prokuror i EULEX-it, që ka dhënë urdhër për ndalimin e Ukë Rugovës. Ai tha për median në Kosovë, se kërkesa e prokurorit është që Uka të ndalet për 48 orë.
Avokati Tmava tha se EULEX-i dyshon se djali i ish-presidentit të Kosovës, Uka, është i përfshirë në krim të organizuar si dhe ka shpërdoruar detyrën zyrtare, por nuk ka dhënë hollësi se për çfarë krimesh bëhet fjalë.

ORA 09:30 EULEX-I BASTIS SHTEPINE E RUGOVES NE "VELANI". URDHER NDALIM PER 48 ORE
Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi ka konfirmuar për mediat operacionin e bastisjes.
“Sot në mëngjes ka filluar një operacion bastisjeje dhe arrestimi ndaj një grupi të pandehurish, të cilët janë të dyshuar të jenë përfshirë në një grup kriminal dhe dyshohen për kryerjen e veprës penale të Krimit të organizuar, Mashtrimit dhe Ushtrimit të ndikimit. Të pandehurve janë duke ju bastisur shtëpitë. Operacioni është pjesë e një hetimi të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it”, ka thënë Krasniqi.

Avokati i Ukë Rugovës, Tmava tha se ai "është arrestuar vetëm për 48 orë, derisa të zbatohet procedura e mëtejme”.

Ai bëri të ditur po ashtu se ka qenë i pranishëm gjatë bastisjes me kërkesën e të dyshuarit, Ukë Rugova. 

KUSH ESHTE UKE RUGOVA 
Ukë Rugova është djali i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai është aktualisht deputet i Parlamentit të Kosovës.
Ai drejton subjektin politik me emrin "Lista Ibrahim Rugova", e cila është pjesë e koalicionit qeverisës që drejtohet nga Hashim Thaçi. Po nga ky subjekt politik, EULEX-i kishte arrestuar edhe zëvendëskryeministrin Bujar Bukoshi, por pas procesit gjyqësor ky i fundit doli i pafajshëm.

shtepia e rugoves
(Foto: Shtëpia e Ibrahim Rrugovës) Foto të tjera


 
Redaksia Online
(sg/b.g/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)